Perlat e Majkos si tregues i dëshpërimit të maxhorancës

Shqipëria

Perlat e Majkos si tregues i dëshpërimit të maxhorancës

Më: 20 mars 2021 Në ora: 23:14
Pandeli Majko

Pandeli Majko është një lojtar i vjetër në skenën politike të Shqipërisë. Por më shumë se për kontributet në jetën publike, zoti Majko është personifikuar me simbolin e naivitetit politik. Që nga “perlat” me tunele nënujore për të lidhur Shqipërinë me Italinë deri tek justifikimet me dentistë tek Teatri Kombëtar, deklaratat e tij kanë qenë shpesh material i gatshëm për industrinë e memeve. Por Pandi, sic e thërrasin socialistët me dashamirësi, goditi sërish.

Një ditë më parë, në një interviste në Klan, zoti Majko deklaroi se ata që rrezikojnë më shumë nga humbja e maxhorancës në zgjedhje, janë punonjësit e administratës. “Ne po rrezikojmë sepse i gjithë komuniteti i votuesve tanë po rrezikon. Imagjinoni nëse PS kalon në opozitë, goditjen kryesore nuk kanë për ta marrë deputetët e Partisë Socialiste, kanë për ta marrë njerëzit të cilët për shumë arsye dhe për hiç arsye do të pushohen nga puna,” tha Majko.

LEXO EDHE:

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë denoncon shembjen e maternitetit 'Mbretëresha Geraldinë'

Zoti Majko mendon se administrata është ciflig privat i qeverisë dhe kooperative e militanteve socialistëve. Pra në të kanë të drejtë të punësohen vetem ata, që votojnë Partinë Socialiste, ndërsa gjithë të tjerët e kanë të ndaluar të punojnë në shtet, edhe pse mund të jenë më të talentuar. Ky, që flet kështu, është ministër në qeverinë aktuale dhe një ish kryeministër i Shqipërisë. Megjithatë, këtë herë mufkat e zotit Majko nuk janë thjesht material për meme. Më shumë se kaq, ato janë tregues i dëshpërimit të maxhorancës për zgjedhjet që po afrojnë. Një dëshpërim, i cili pasqyrohet tek politika e frikës.

Pothuajse e gjithë fushata e Partisë Socialiste këtë radhë është e bazuar mbi frikën. Mesazhi kryesor i kryeministrit në këtë fushatë është; nëse nuk votoni për mua, Shqipëria do të bjerë në duart Lulit, Monikës, Saliut dhe Ilirit. Pra nëse qytetarët nuk votojnë zotin Rama, do të vijë KCK-ja. Nëse nuk votojnë zotin Majko, socialistët do të ikin nga puna. Nëse nuk votojnë mazhorancën, do të ndodhë Kiameti. Anjë program për zhvillimin e vendit, asnjë ofertë shprese për të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm frikë.

Kjo nuk është çudi. Politika e urren vakumin. Kur nuk mundet të ofrojë më shpresë, mbushet me frikë. Maxhoranca këtë herë duket se e ka zgjedhur drejtimin. Por siç thoshte dhe poeti i madh britanik Samuel Taylor Coleridge; në politikë, ajo që fillon me frikë përfundon me dështim.

Shqipëria nuk ka më nevojë për këtë. Nuk ka neviojë as për tribalizmin politik, as për politikën e frikës. Zoti Majko dhe shefi i tij mund të dalin qetësisht në pension, nëse zgjedhësit do të vendosin kështu. E sigurtë është që Kiameti nuk do të ndodhë. Socialistët, demokratët dhe gjithë të tjerët do të vazhdojnë të jetojnë njësoj si më parë. Dhe frikën që shpërndan zoti Majko, ndoshta do ta zëvendësojë shpresa për një të ardhme me të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat