Atentati në Durrës, pistat ku po heton Policia

Shqipëria

Atentati në Durrës, pistat ku po heton Policia

Më: 20 mars 2021 Në ora: 14:20
Eni Ferhati

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati raportoi se në vendngjarjen ku mbeti i vrarë Edmond Koçi ose siç njihet ndryshe Edmond Çekiçi, ka mbërritur drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Të pranishëm kanë qenë edhe persona nga kupola drejtuese e Policisë së Shtetit si drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj apo drejtori për Krime të Rënda, Arben Dashi.

Sipas burimeve të deritanishme ngjarja e ndodhur ka të bëjë me të kaluarën kriminale të viktimës.

Eni Ferhati sqaroi gjithashtu se atentati lidhet ngushtësisht dhe me ngjarjen e ndodhur në janar të vitit 2021, ku po në të njëjtin vend ngeli i vrarë Edmir Bregu ose siç njihej ndryshe Ilir Kuçi, shok i ngushtë i viktimës. Gazetari theksoi se mund të kemi të bëjmë me një eleminim në seri të disa personave.

Pas atentatit të 24 janarit nuk ka pasur djegie makine siç ndodhi në rastin e 20 marsit për të eleminuar gjurmët po dinamika e ngjarjes është e njejtë. Duhet përmendur gjithashtu se në ndryshim nga vrasja e Edmir Bregut që u bë në orët e vona të mbrëjes, atentati ndaj Edmond Koçit, u bë në 08:40 të mëngjesit.

Gazetari i Euronews Albania u shpreh se në zonë nuk ka pasur dëshmitar okular përveç banorëve të cilët kanë thënë se kanë dëgjuar të shtëna dhe dy makina të ndaluara në rrugë. Ndërkaq në lagjen nr.16 në Durrës ka kamera sigurie dhe ato janë sekuestruar për të zbuluar më tepër të dhëna për ngjarjen.

"Duhet theksuar që nisur nga gjithë tipologjia e kësaj ngjarje por dhe ngjarjes së 24 janarit që besohet se mund të ketë lidhje me ekzekutimin e sotëm kemi të bëjmë me persona të cilët nuk përjashtohet të jenë vrasës me pagesë ndërkohë që sipas të dhënave paraprake ata kanë qenë të kamufluar edhe me rroba të ngjashme me ato të ushtrisë apo Forcave Speciale", th gazetari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat