''Industria fik filtrat natën'', specialistët: Natën niveli i ndotjes është disa herë më i lartë

Shqipëria

''Industria fik filtrat natën'', specialistët: Natën niveli i ndotjes është disa herë më i lartë

Më: 20 mars 2021 Në ora: 14:11
Shqipëri

Ndotja vazhdon të rrezikojë mjedisin dhe shëndetin e banorëve të Elbasanit.  

Ekspertët thonë se nga monitorimet rezulton se natën ndotja në qytet arrin dy deri në tre fish i normës së lejuar ndërsa në rrethina deri në shtatë fish.  

Kombinati metalurgjik në Elbasan nuk funksionon më si një kompleks industrial por subjektet qe ushtrojnë aktivitet aty prodhojnë serish ndotje, mjaftueshëm për të krijuar një mjedis te rrezikshëm për qytetaret, të cilët denoncojnë vazhdimisht por situata sërish nuk ndryshon.

Me rënien e natës, kur aktiviteti njerëzor bie, në Elbasan rritet niveli i ndotjes. Qytetarët dhe specialistët akuzojnë subjektet industriale në ish-kompleksin e Metalurgjisë, se ç'aktivizojnë filtrat e ajrit të impianteve, pasi smogu nuk identifikohet.

 “Pisllëku nga të gjitha anët, 24 orë këtu nuk ndalojnë ja duken vetë dhe sidomos natën ka shumë ambient të pisët, i lëshojnë ato dhe nuk vënë ato filtrat, kemi ngritur zërin po kush na pyet, kush na dëgjon, asnjë deri më sot,” – u shpreh një qytetar.

Ahmet Mehmeti, kryetar i klubit ekologjik në Elbasan tregon për Euronews Albania nivelet e ndotjes brenda në qytet dhe në zonat përreth metalurgjisë.

Tani në Elbasan dy fish ose tre fishi i ndotjes në krahasim me standardet është bërë diçka normale. Në mes të natës ku nuk ka transport e nuk ka djegie të biomasës norma arrin dy fish e tre fish. Kush e sjell këtë përveç industrisë. Në rrethina është shumë më keq. Atje arrin ndotja shtatë fish i standardit të lejuar. Ne këto të dhëna ja kemi dhënë Bashkisë së Elbasanit. Tek ne e keqja është se nuk zbatohet ligji.

Elbasani është kryeqendra e ndotjes industriale e vendit, prej disa dekadash por tashmë Agjencia Rajonale e Mjedisit, është zhvendosur në Berat.  

“Merret ARM e Elbasanit dhe çohet në Berat, ç`kuptim ka kjo? Me cilin u konsultuan, u konsultuan me grupet e interesit, me shoqërinë civile për këto veprime? Elbasani është një zonë e kuqe, ti e merr e çon në Berat, atje ku s`ka çfarë të monitorojë, s`ka çfarë të shikojë. Dhe atje e reduktuar në një mënyrë të tillë që është inekzistente. Dhe këtu është inspektorat, nuk ka një mjet të lëviz. Gjithë këto objekte industriale, si do të monitorohen, si do shikohen, si do penalizohen, për faj dhe moszbatim të ligjit,” – u shpreh Mehmeti.

Në vitin 2017 Këshilli Bashkiak Elbasan shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore në zonën e ish kombinatit metalurgjik, por pavarësisht kësaj, monitorimet e vazhdueshme të institucioneve të pavarura tregojnë se cilësia e ajrit vazhdon të jetë jashtë normave të lejuara.    

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat