Numri 21 në listë/ Kodheli: Falenderoj Ramën që jam ende pjesë e listës, marr 11 mijë vota në Tiranë

Shqipëria

Numri 21 në listë/ Kodheli: Falenderoj Ramën që jam ende pjesë e listës, marr 11 mijë vota në Tiranë

Më: 9 mars 2021 Në ora: 23:53
Kodheli

Ashtu si shumica e emrave të vjetër të PS që ose nuk u futën në listë, ose u futën në zonë të pasigurtë, një nga ato ishte e Mimi Kodheli.

Kodheli e ftuar në News24 e ka konsideruar si nder që pas 20 vitesh në politikë kandidon sërish në listën e Tiranës.

Kodheli ka falënderuar publikisht Ramën dhe të gjithë ata që e besojnë për faktin se do të kandidojë sërish në Tiranë, edhe pse në një pozicion të pafavorshme si ai i 21-ti në renditje.

”Duhet të më jepnit urimin që jam ende në lista, i qëndroj politikës përballë, dhe vijoj të merrem me politikë. Kjo është rrjedha e investimit tim 20-vjeçar.

Dua të falënderoj kryetarin, dhe këdo që beson se të jesh në listën e PS në Tiranë, është gjithmonë nder pavarësisht pozicionit. Mund të tingëllojë patetike, por nuk është në fakt. Varet çfarë interpretimi i jep.

Nuk pati thyerje me Ramën. Kam drejtuar qarkun e Kukësit, qark i djathtë. Qoftë që qarku do të kishte 4 karrige në parlament, 4 pozicione me rezultatin që unë dhe kolegët arritëm, do ishim 2-2 për herë të parë në histori. Ishim 3, dhe për shumë pak vota për 1 mijë vota nuk e morëm të dytin. Përtej kësaj, rritje me 9 mijë e 700 vota ishte rritja relative më e madhe në gjithë Shqipërinë.

E uroj shumë që ky rezultat të jetë rishtaz në Kukës, edhe pse është shumë e vështirë. Për shkak të situatës së ndryshme politike aty. Kam besim tek lista e kandidatëve Nga çfarë mbaj mend ka një vajzë të re menaxhere, që do të dijë të menaxhojë. Dua të bëj dhe parantezën. Kam qenë e mendimit që duhet të ketë lidership politik qarku. E vështirë për një në vend të parë që të ketë lidership politik. Me largimin tim si Ministër Mbrojtje, kam qenë e opinionit se 4 vite janë më shumë të mjaftueshme për të bërë diferencën. Unë jam krenare për çfarë arrita në ato 4 vite. Aq sa për ato projektet, kanë pasur një sukses më pas. Ju flisni për një fut print, njollë të NATO në Shqipëri, projekt të Kuçovës që do jetë bazë logjistike. Që është e filluar dhe e përfunduar nga Mimi Kodheli si Ministre e Mbrojtjes.

Do thoni që nuk kam qenë në frontin e parë të cirkut nga 2017 e këtej. Kam qenë kryetare e komisionit të jashtëm, kam pasur angazhime ndërkombëtare. Duke pasur opozitën parlamentare, dhe jo atë reale, jo atë agresive që unë isha mësuar të përballesha, mbase më është dukur jo e nevojshme të jem në frontin e parë të cirkut pasi s’kisha dhe rivalin. Ndoshta kjo e ka mpakur atë.” – tha Kodheli.

Kodheli tha se pavarësisht renditjes ajo do ta fitojë mandatin dhe do të marrë 11 mijë vota, duke e shpallur këtë një lloj sfide.

“Listat janë një miks i meritokracisë me prurjet e reja. Ju e dini kodin zgjedhor. Kodi zgjedhor në gjykimin tim ka një ngërç që duhej rregulluar. Ne duhet të kemi një start të barabartë. Është një miks mes proporcionalit dhe maxhoritarit. Duhej një rishpërndarje. Për aq sa kohë mua më lind e drejta të kërkoj vota në të gjithë qarkun e Tiranës, pavarësisht zonës.
Jo fare nuk jam jashtë fashës fituese. Unë do marr më shumë se 10 mijë vota dhe do kaloj ata që do marrin më pak se 10 mijë vota që sot konsiderohet i sigurt brenda fashës. Kjo është çështje jo hakmarrje, nuk di të hakmerrem, por sfidoj. Unë sfidoj këdo që mendon që unë nuk do ia mbërrij.

Kjo është logjika. Ditën që ai që më ka vendosur në atë pozicion dhe ata që kanë miratuar atë pozicion bashkë me mua, mendojnë që jam aq e zonja t’i marr 11 mijë vota që do t’i marr”, deklaroi Kodheli.

Ajo tha se beson që do e fitojë mandatin e deputetit, duke qenë dhe votim nominal përveç se partiak. Sa i përket faktit që Edi Rama nuk e zgjodhi më në kabinetin qeveritar, Kodheli tha se për shkak të zgjedhjes së kryeministrit ajo ka hyrë në histori si gruaja e parë ministre e mbrojtjes në vend.

“Që vota për Mimin të ketë vlerë duhet të votohet dhe PS. Nëse dikush nuk pëlqen Mimin, por voton vetëm PS, kjo shkon në koshin e madh dhe më pas përpjesëtohet. Nëse votohet Mimi dhe jo PS, vota ime është nul. I shkon grupit të madh të votave.

Për shkak të zgjedhjes së Edi Ramës, Mimi Kodheli ka hyrë në histori si gruaja e parë ministre e mbrojtjes së këtij vendi. Nga pikëpamja protokollare kam qenë njeriu i katërt më i rëndësishëm në Shqipëri. As nuk e kam ëndërruar nga pikëpamja politike”, tha deputetja e PS.

Ajo deklaroi se ka hyrë në politikë të ndryshoj qytetin e saj Tiranën, që siç tha ajo e ka gjetur të mjeruar. “Kam lënë një pagë disa fish më të madhe dhe jam bërë nënkryetare bashkie për 4 vjet sepse kam dashur t’i shërbej qytetit tim. Dhe sot kur më thonë gjëja më e bukur në karrierë nuk them ministre e mbrojtjes them nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës. E kam bërë këtë sepse kam besuar tek ky ndryshim. Sot jam në një pozicion krejt komod, shumë e vlerësuar nga PS dhe Edi Rama, një nga njerëzit më të vlerësuar. Kam pasur nderin e jashtëzakonshëm të përfaqësoj vendin tim në tryezat më të larta botërore. Unë nga politika kam marrë maksimumin si pak grua dhe pak burrë në këtë vend”, tha ajo.

E pyetur se përse Rama e hoqi nga posti i ministres së Mbrojtjes, Kodheli tha se duhet pyetur kryeministri.

“Duhet të pyesni Edi Ramën, unë besoj se 4 vite kanë qenë të mjaftueshme për të bërë diferencën”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat