Listat e PS-së, Bushati “gjen gabimet” e Ramës: Dominon me dorë të hekurt mbi partinë

Shqipëria

Listat e PS-së, Bushati “gjen gabimet” e Ramës: Dominon me dorë të hekurt mbi partinë

Më: 9 mars 2021 Në ora: 22:13
Andi Bushati

Partia Socialiste një ditë më parë publikoi emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit. Analisti Andi Bushati thotë në emisionin “Shock” në Euronews Albania se lista e PS është një gabim i madh në aspektin politik.

Për të shpjeguar këtë ide, z. Bushati përmendi emrat e disa ministrave të PS-së, të cilët sipas tij ose nuk janë futur fare në listë ose janë caktuar në garë në zonë të pasigurt.

“Lista që ka paraqitur Rama është politikisht një gabim i madh. Pse e them? Sepse po e gjykojmë në këndvështrimin politik, lista e Ramës është një listë që nuk do ketë në parlamentin ardhshëm asnjë nga ministrat e brendshëm, që kanë drejtuar ministrinë për tetë vjet. E përkryer do të thotë se rendi paska qenë një dështim. Në parlamentin e ardhshëm nuk do jetë njeriu që ka drejtuar diplomacinë, nuk do jetë njeriu kryesor që udhëhoqi reformën në drejtësi, që Rama pretendon se e ka një nga kuajt e betejës. Kjo tregon se nuk ke arsye pse të votohesh për një mandat të tretë, por fatkeqësisht lista e Ramës nuk është politike dhe kriteret e përzgjedhjes nuk janë kritere politike", tha ai.

Ai shton se kryeministri Rama në përzgjedhjen e listave nuk ka analizuar kontributin, por ka dashur të imponojë rolin e autoritarit.

“Për mua është një listë që nuk është parë aspekti politik, por aspekti i rritjes së autoritetit të Ramës mbi partinë, që pyet vetëm për pushtetin e vet. Është listë e një personi autokrat, që dominon me dorë të hekurt mbi partinë”, shtoi ai.

Por, ndryshe nga Bushati, analisti Baton Haxhiu thotë se lista e PS-së është listë krejtësisht politike.

“Lista e Ramës është krejtësisht politike e ndërtuar në disa drejtime. Ata që kanë peshë politike e kanë peshën fundore, për arsye se PS do të marrë vota. Unë e konsideroj suksesin më të madh të Edi Ramës që i tregoi publikut se njerëzit që kanë qenë në krye të Ministrisë së Brendshme nuk kanë qenë mjaftueshëm të përkushtueshëm dhe prandaj nuk e meritojnë të jenë në listë dhe ky është reflektim”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat