Banorët e Obotit në mëshirë të fatit: Nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti

Shqipëria

Banorët e Obotit në mëshirë të fatit: Nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 15:38
Obot

Përkeqësimi i kushteve të motit, ka sjellë një situatë të pazakonshme dhe alarmante në zonën e nën Shkodrës.

Në fshatin Obot prej më tepër se një muaji transporti bëhej vetëm me varka të ushtrisë për shkak të nivelit të lartë të ujit mbi sipërfaqe.

Ndërkohë këtë të shtunë edhe ushtria ka pezulluar lundrimin duke i lënë banorët e kësaj zone në mëshirë të fatit.

Banorë të zonave të përmbytura, shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shtetit.

“Gjithë zona është e përmbytur, banesat, asnjë lloj ndihme s’na ka ardhur nga shteti shqiptar,” thotë një banor.

E rënduar paraqitet situata edhe në aksin nga Dajçi drejt Velipojës.

Sipërfaqj e tokës së përmbytur është rritur orët e fundit, duke e çuar në total në 5370 hektarë, ndërsa 24 shtëpi janë të përmbytura dhe 500 të tjera janë të rrethuara nga uji.

Teksa Shkodra po përballet me përmbytje masive, ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë edhe reshjet e dëborës, në disa qarqe.

Në Dibër janë shkaktuar ngrica në rrugë, dhe energjia elektrike është shkëputur në disa fshatra të Bulqizës.

Dëbora ka nisur në orët e para të mëngjesit edhe në Korçë, Pogradec, Elbasan, Kukës dhe Lezhë.

Problemet e para janë shfaqur në akset rrugore, ku ka pasur edhe aksidente për shkak të ngricave.

Në akset rrugore, Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Dardhë, Voskop-Voskopojë , Qafë Priskë-Qafë Mollë, Qafë Priskë-Shëngjergj, Trau Dajt-Teleferik, rruga është e kalueshme me zinxhirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat