“Mes meje dhe Ramës s’ka ma paq!”, marrëdhënia me interes Rama-Doshi dhe Yuri Kim në mes

Shqipëria

“Mes meje dhe Ramës s’ka ma paq!”, marrëdhënia me interes Rama-Doshi dhe Yuri Kim në mes

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 18:21
Rama-Doshi

2 mars 2015, kur Tom Doshi do të shkelte për herë të fundit në selinë e Partisë Socialiste si deputet i kësaj force politike. Në një mbledhje urgjente të grupit parlamentar, socalistët votuan për përjashtimin e Doshit sipas urdhërit të Edi Ramës.

Duke e hequr veten si një person pa dijeni me çfarë po “ziente” në vend, vite më parë, Rama u hoq si parimor duke përjashtuar nga radhët e tijëve “drurin e parë të shtrëmbër” të stivës, të cilin e përcolli edhe me fajlim të gjatë lidhur me vlerat dhe moralin e socialistëve.

Akzuat e Doshit se me informacionet që kishte do të trondiste qeverinë, numri një i kabinetit nuk i pranoi, duke vijuar me “rolin” e tij të mosdijes, madje iu kthye ashpër publikisht bashkëpunëtorit të tij të ngushtë duke i cilësuar si të papranueshme sulmet personale ndaj shumicës dhe qeverisë. Aq sa kërkoi largimin e tij.

“Unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste. Dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare. Nëse qëndrimi i deputetit do të kishte prekur thjesht dinjitetin e personit tim, unë sot do të kisha kërkuar mirëkuptimin tuaj për të mos mbajtur qëndrim të prerë ndaj tij. Por me akuzat e tij, deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupit e të kësaj qeverie. Në këtë grup, gjithkush mund të thotë atë që mendon për qeverinë. Por akush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë. Askush nga ne nuk ka mandat për të vajtuar dhimbjet e reformave apo për t’u ankuar për shpejtësinë e për thellësinë e tyre. Ne nuk jemi në qeveri për t’u matur me hijen e çdo dite, po për t’u matur me rezultatet që do të marrim nga reformat në vitin 2017,”-shprehej Rama.

Megjithatë Doshi nuk e la me kaq…

“Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet shumicës dhe qeverisë. Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukshkalë, për mua dhe të gjithë ata që e votuan në Shkodër, dhe këtë do ta shohë dhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij,”-u shpreh ai. Vetëm pak ditë pas përjashtimit, Doshi akuzoi publikisht para mediave asokohe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, se kishte organizuar vrasjen e tij, dhe të deputetit të Partisë Demokratike, Mëhill Fufit.

Për atentatin e supozuar, Doshi shprehej se prej 5 muajsh kishte njoftuar të gjitha instancat, përfshirë vetë Metën, kryetarin e partisë së tij, Edi Ramën dhe kryeprokurorin e Përgjithshëm, asokohe Adriatik Llalla. Megjithatë pretendimet e tij nuk u vërtetuan kurrë.

Koha kaloi dhe gjakrat u shuan…Tom Doshi gjeti një vend në gjirin e Partisë SocialDemokrate, dhe një mandat të sigurtë për veten e tij në Shkodër. Duke e parë të vështirë që të ‘çante’ në bastionin historik të të djathtës, Rama i shtriu dorën e bashkëpunimit, kolegut të tij të vjetër.

Në fushatën e 2019 u panë e fotografuan bashkë në qytet. Por tani duket se ka ardhur sërish radha që ta lërë pas mikun e tij të vjetër, e gjithë prej presionit të Amerikës. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ngulmon që ai mos të kandidojë në zgjedhje, ndërsa Doshi i sfidon hapur duke u regjistruar në KQZ. Rama nga ana e tij shfajsohet duke përmendur përjashtimin e vitit 2015, por a mjafton kjo? Edhe pse pa të në parti, Rama sërish ka përdorur votën e tij për të kaluar ligje, apo dhe për fituar vota në “terrene të vështira”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat