Atentati në Vlorë, mjeti ishte vjedhur në Greqi, ndaj viktimës u zbraz një karikatore

Shqipëria

Atentati në Vlorë, mjeti ishte vjedhur në Greqi, ndaj viktimës u zbraz një karikatore

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 09:54
Atentati në Vlorë, mjeti ishte vjedhur në Greqi

Policia e Vlorës ka marrë në një pyetje rreth 15 persona lidhur me atentatin me armë zjarri që i mori jetën 40-vjeçarit Gentian Qarri.

Personat e marrë në pyetje janë familjarë, të afërm, dëshmitarë të rastit dhe banorë të lagjes ku ai banonte dhe ndodhi vrasja.

Burime nga policia bëjnë me dije se dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë treguar se kanë parë një automjet që vinte drejt viktimës, brenda të cilës ishin të paktën dy persona.

Sapo kanë parë viktimën kanë ecur me shpejtësi në drejtim të tij dhe e kanë goditur me breshëri nga automjeti.

Dëshmitarët nuk kanë mundur ti njohin pasi autorët kanë qenë të kamufluar dhe janë zhvendosur me shpejtësi drejt pyllit të Sodës ku edhe kanë djegur makinën.

Mjeti ishte me targa greke dhe i vjedhur në vendin fqinj Greqinë. Arma dyshohet se është model 54 ku në total mban 30 fishekë.

Dyshohet se mbi viktimën është derdhur një karikatore e plotë.

Një pjesë e gëzhojave janë gjetur në vendngjarje, disa në automjetet e parkuara pranë, si dhe në trupin e viktimës.

Ai ka marrë plumba në kraharor dhe këmbë.

Për personat që e njihnin, ai nuk ka pasur konflikte në Shqipëri dhe njihej si person i qetë e pa probleme teksa pista kryesore mbetet dënimi i tij në Itali.

Dyshohet se autorët e kanë ditur rutinën e përditshme të tij dhe kanë pritur sa ka dalë nga shtëpia e më pas e kanë ekzekutuar.

Burimet nga policia e Vlorës konfirmojnë se mund të jetë vëzhguar për disa ditë.

Autorët e njihin mirë zonën, pasi janë larguar menjëherë në drejtim të pyllit të Sodës, ku më pas dogjën makinën.

Aty dyshohet se atentatorët janë ndihmuar nga persona të tjerë për tu larguar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat