Vendimi/ Qytetarët nuk mund të shesin apo dhurojnë banesat e përfituara nga “Rindërtimi”

Shqipëria

Vendimi/ Qytetarët nuk mund të shesin apo dhurojnë banesat e përfituara nga “Rindërtimi”

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 15:46
Ilustrim

Shtëpitë individuale dhe apartamentet që do të kalojnë në pronësi të qytetarëve përfitues të programeve të rindërtimit, nuk mund të shiten apo të dhurohen.

Në Fletoren Zyrtare u botua vendimi “Për përcaktimin e rregullave, të kategorive prioritare, masës së përfitimit, autoriteteve përgjegjëse dhe procedurave për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga disa programe të procesit të rindërtimit”.

Vendimi parashikon se në kontrata noteriale e kalimit të pronësisë, pala e dytë që është përfituese e banesës duhet të plotësojë kushtet mos premtimit dhe mospërdorimit nga një palë e tretë. Po ashtu për aq kohë sa kjo marrëveshje do të jetë në fuqi, banesa nuk mund t’i shitet një pale të tretë.

Sakaq kontrata e kalimit të pronësisë duhet të shoqërohet me deklaratën noteriale të heqjes dorë, nga subjektet përfituese, nga çdo pretendim mbi të drejtat e pronësisë për banesën apo shtëpinë individuale të mëparshme.

Nëse qytetari që i kalon pronësia e shtëpisë të re nuk plotëson të gjitha kushtet e vendosura në legjislacionin në fuqi, atëherë kjo marrëveshje nuk do të ketë fuqi ligjore dhe shteti zhvishet nga të gjitha detyrimet e ngarkuara në këtë aktmarrëveshje.

Në vendim përcaktohet se shteti merr përsipër dhe garanton palën përfituese të shtëpisë të rindërtuar se përgjatë gjithë kohëzgjatjes që do të duhet për dorëzimin e pasurisë, sipas parimit “me çelësa në dorë”, do t’i sigurojë subvencionin e pagesës së qirasë deri në momentin që kësaj pale t’i kalojë e drejta e pronësisë së pasurisë.

Kostot e shpenzimeve noteriale dhe regjistrimi i certifikatës të pasurisë në Agjencinë e Kadastrës do të paguhen nga shteti.

Deklarime dhe garanci të palëve

-Pala e parë, deklaron dhe garanton palën e dytë për secilën prej çështjeve të mëposhtme:i) merr përsipër që ndërtimin e pasurisë ta kryejë në përputhje me parimet e rindërtimit, sipas kushteve dhe teknikave që parandalojnë rreziqet e fatkeqësive natyrore në të ardhmen, bazuar në konceptin “rindërto më mirë”;ii) merr përsipër të dorëzojë pasurinë, sipas parimit “me çelësa në dorë”, të gatshme për banim; iii) do të përmbushë detyrimet dhe do të plotësojë kushtet e parashikuara në këtë marrëveshje; iv) për aq kohë sa kjo marrëveshje do të jetë në fuqi, pasuria, objekt i kësaj marrëveshjeje, nuk mund t’i premtohet, t’i jepet në përdorim apo t’i shitet një pale të tretë; v) pala e parë deklaron dhe siguron se ka autoritetin dhe miratimet e duhura për të nënshkruar, zbatuar dhe përmbushur dispozitat e kësaj marrëveshjeje; vi) pala e parë merr përsipër dhe garanton palën e dytë se, përgjatë gjithë kohëzgjatjes që do të duhet për dorëzimin e pasurisë, sipas parimit “me çelësa në dorë”, do t’i sigurojë subvencionin e pagesës së qirasë deri në momentin që kësaj pale t’i kalojë e drejta e pronësisë së pasurisë, në bazë të vlerave dhe kushteve të miratuara, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

-Pala e dytë deklaron dhe garanton palën e parë për secilën prej çështjeve të mëposhtme: i) pala e dytë pranon kushtet në këtë marrëveshje dhe është plotësisht dakord që, në momentin e duhur dhe pas plotësimit të kushteve të vendosura sipas legjislacionit në fuqi, të nënshkruajë kontratën përfundimtare të kalimit të pronësisë së pasurisë, objekt i kësaj marrëveshjeje; ii) kjo marrëveshje përbën një detyrim ligjor, të vlefshëm dhe të ekzekutueshëm për palën e dytë, e cila i ka të gjitha kompetencat të lidhë këtë marrëveshje dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin prej saj; pala e dytë do të nënshkruajë deklaratën noteriale për heqje dorë, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi./Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat