Dëbimi i diplomatit rus, Fatos Tarifa: Të thuhet e vërteta, arsyet jo-serioze, rrezikohet përkeqësimi i marrëdhënieve

Shqipëria

Dëbimi i diplomatit rus, Fatos Tarifa: Të thuhet e vërteta, arsyet jo-serioze, rrezikohet përkeqësimi i marrëdhënieve

Më: 22 janar 2021 Në ora: 20:53
Fatos Tarifa

“Pretekst i shtirur me argument jo serioz që mund të çojë më tej në përkeqësimin e marrëdhënieve me Rusinë,” – kështu e ka konsideruar pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare Fatos Tarifa rastin e dëbimit të diplomatit rus Alexey Krivoshev.

Në një intervistë me gazetaren Bruna Çifligu në edicionin qendror të lajmeve në Euronews Albania, Tarifa tha se për arsyet e përmendura nga qeveria mund të merreshin masa të tjera më të lehta dhe jo direkte “kaq serioze sikurse është dëbimi

“Kjo ngjarje mund të nxisë përkeqësimin e marrëdhënieve me Rusinë, një shtet i fuqishëm dhe me goxha ndikim në arenën globale,” – tha Tarifa duke e konsideruar rastin të paprecedentë dhe që me gjasa mund të ketë arsye të tjera, por të pathëna.

“Nëse të tjerë na kanë urdhëruar dhe ne si një qeveri që gjithmonë bëjmë se ç’na thonë, kjo është gjë tjetër, por publikut i duhet thënë shkaku i vërtetë i kësaj ngjarjeje,” – u shpreh Tarifa.

Tarifa tha se emrat e diplomatëve nuk janë asnjëherë sekret. Ai tha se arsyeja e përmendur nga autoritetet shqiptare për dëbimin e tij nuk ishte serioze dhe se publikut i duhet thënë arsyeja kryesore e largimit të tij.

Qeveria shqiptare njoftoi të enjten dëbimin si të padëshiruar të diplomatit Alexey Krivoshev me arsyen se ka shkelur në mënyrë të përsëritur masat anti-Covid.

Pas dëbimit të tij, ministria e Jashtme e rusisë reagoi duke e konsideruar rastin si provokim që synon të përkeqësojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se “ky rast nuk do të mbetet pa përgjigje”.

Rusia thotë se nuk kanë pasur asnjë rast të vënë në dijeni për shkelje të masave anti-Covid nga Krivoshev.

Rasti në fjalë ndodh pak javë pasi kryeministri Edi Rama tha se e kishte konsideruar “meme” dhe “provokim qesharak”, shprehjen e gatishmërisë nga ambasada ruse për t’i mundësuar Shqipërisë vaksinën anti-Covid “Sputnik V”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat