Ekonomia shqiptare do të vuajë gjatë, ringrihet nga fundi i 2022

Shqipëria

Ekonomia shqiptare do të vuajë gjatë, ringrihet nga fundi i 2022

Më: 2 janar 2021 Në ora: 15:56
Foto ilustrim

Eksperti shqiptar i Moody’s Ilir Hysa në një intervistë të gjatë për Gazetën “Si”, analizon vitin e errët ekonomik 2020 duke e krahasuar atë me vitet 1918-1920 dhe me vitet e depresionit të madh botëror.

Ai parashikon se ekonomia e Shqipërisë do të vuajë gjatë pasojat, edhe pse 2021 sipas tij parashikohet më optimist duke e bazuar argumentin e tij në përhapjen gjerësisht të vaksinës në botë dhe rekuperimin e ekonomisë globale dhe atë të eurozonës.

Në skenarin më të optimist, Hysa parashikon që ekonomia shqiptare do të kthehet në nivelet parapandemike në gjysmën e dytë të 2022 dhe nëse do të ketë të papritura të tjera gjatë rrugës, rikthimi i prodhimit do të zgjatet në kohë.

Eksperti Hysa gjykon se qeveria nuk e ka keqmenaxhuar situatën pandemike.

“Qeveria nuk duhet kritikuar për keqmenaxhim të pandemisë, por ajo duhet kritikuar në dështimin e saj për ta sjellë Shqipërinë realisht më afër Europës nga pikëpamja institucionale, e zbatimit të ligjit, e klimës së të bërit biznes, gjë që çoi në refuzimin e radhës nga Bashkimi Europian për t’a afruar Shqipërinë. Mungesa e diversifikimit më të shpejtë të ekonomisë do të rriste gjithashtu imunitetin e ekonomisë shqiptare në kohë të vështira. Dobësia e Shqipërisë duket qartazi edhe në shifrat e pritshme ekonomike që ka publikuar Banka Botërore, e cila vlerëson se këtë vit prodhimi bruto për rajonin e Ballkanit pritet të bjerë 4.8%, ndërsa për Shqipërinë pritet një tkurrje prej 8.4%. Kjo edhe pse masat e marra prej qeverisë shqiptare janë të ngjashme me ato të vendeve fqinje.”- shprehet eksperti shqiptar i Moody’s.

Si do ta përmblidhnit vitin 2020 në këndvështrimin ekonomik globalisht dhe për Shqipërinë?

Viti 2020 do të mbahet mend si njëri nga vitet më të zymtë dhe më të dhimbshëm në historinë moderne të ekonomisë botërore. Në aspektin njerëzor, dhimbja e këtij viti nuk është parë që nga shekulli i kaluar, që nga Depresioni i Madh (1929-1933) dhe që nga vitet e largëta 1918-1920, kohë kur botën e kishte pllakosur një pandemi tjetër, ajo e Gripit Spanjoll. Historia përsëritet pas një shekulli me pandeminë COVID-19 (Corona Virus Disease of 2019). Dhimbjes së krijuar në aspektin social, si pasojë e përballjes me pandeminë globale—mbi 1.7 million jetë të humbura dhe mbi 80 milionë infektime, iu shtua edhe paraliza ekonomike e disa sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë globale në mëse nëntë muaj të vitit, duke filluar nga marsi. Edhe ekonomia shqiptare nuk mund ti shpëtonte dëmit të krijuar nga masat kufizuese, të cilat gjithësesi i kushtuan vendit mëse 55 mijë qytetarë të infektuar, mbi 1100 qytetarë të vdekur dhe një dëm të madh ekonomik.

Në plan global, parametrat makroekonomikë degraduan shpejt. Për shembull, prodhimi real global i këtij viti pritet të bjerë rreth 4%, mëse dyfishi i rënies gjatë krizës financiare globale të vitit 2009. Dëmi ekonomik do të kishte qenë edhe më i madh nëse ekonomi të mëdha si Kina nuk do të kishin qenë të suksesshme në kontrollin e pandemisë. Tkurrja ekonomike ka përmasa të mëdha gjithësesi, dhe tregjet e punës janë ato që po e ndjenë më së shumti dhimbjen e krijuar. Shkalla a papunësisë globale u rrit mbi 7% në pranverë dhe mbetet ende mbi pikun rreth 6% të përjetuar në vitin 2009.

Kur merret parasysh fakti se pjesa dërrmuese e qytetarëve, përfshirë ata shqiptarë, i sigurojnë të ardhurat vetëm nga rrogat dhe se shumë ekonomi në zhvillim si Shqipëria mundën të sigurojnë mbështetje të kufizuar financiare për të dalë nga kriza, dëmi në fuqinë blerëse të konsumatorëve, shpenzimet e bizneseve dhe në tregtinë e jashtme mund të merret me mend.

Shqipëria është në një situatë edhe më të vështirë ekonomike sesa ajo e nënkuptuar në panoramën e përgjithshme globale. Kjo për disa arsye: Së pari, ekonomia e Shqipërisë ishte në vështirësi ekonomike edhe para shpërthimit të pandemisë në tremujorin e parë të këtij viti. Le të kujtojmë se tremujori i fundit në të cilin ekonomia e Shqipërisë shënoi rritje ekonomike, krahasuar me një vit më parë, ishte tremujori i tretë i vitit 2019. Në periudhën korrik-shtator prodhimi bruto mbeti 3.5% poshtë nivelit në të njejtën periudhë vitin e kaluar. Sektorët që mbetën në gropën më të madhe në tremujorin e tretë, sipas Institutit të Statistikave, ishin aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe atyre mbështetëse (16.6% poshtë nivelit të një viti më parë) dhe tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor (13%). Shprehur ndryshe, tkurrja ekonomike deri tani këtë vit ka mbërritur 5.3%, ndërsa shkalla e papunësisë mbeti e lartë, 11.6%, sipas Anketës së Forcave të Punës në tremujorin e tretë. Së dyti, ekonomia e Shqipërisë mbetet e padiversifikuar mirë. Për fat të keq, ato pak burime të rritjes ekonomike që ka vendi janë edhe mes sektorëve të goditur më fort nga pasojat e pandemisë.

Çfarë ngjarjesh ekonomike sipas jush shenjuan 2020-n?

Pa dyshim, plaga më e madhe ekonomike dhe humanitare këtë vit ka qenë humbja e kapitalit njerëzor. Familjarët, të afërmit, fqinjët dhe kolegët e humbur nga të gjithë ne ishin, direkt ose indirekt, pjesëtarë të ekonomisë, nëse jo të tregut të punës, ata ishin konsumatorë në atë ekonomi. Le të mos harrojmë gjithashtu se përkundër mitit se COVID-19 godet vetëm moshat e thyera, ne të gjithë jemi dëshitarë të humbjeve tragjike të profesionistëve, sidomos atyre të frontit të parë në fushën e mjeksisë. Po të shtohet këtu numri i konsiderueshëm i orëve të munguara të punës si pasojë e pandemisë, efekti negativ bëhet ende më i dukshëm.

Në kontekstin e sektorëve të ndikuar, shërbimet dhe tregtia ishin ato që u dëmtuan disproporcionalisht si pasojë e nevojës për distancim social, rënies së kërkesës dhe të vështirësive në zinxhirët e furnizimit. Kolapsi në numrin e fluturimeve ajrore, udhëtimet detare dhe tokësore në shkallë globale paralizoi turizmin dhe kuptohet që edhe ekonomia e Shqipërisë—e varur gjthmonë e më shumë në zhvillimin e turizmit—pagoi dhe po paguan një çmim të lartë. Numri i pasagjerëve me det dhe me ajër mbetet ende shumë i vogël krahasuar me atë para pandemisë, sipas INSTAT-it. Për arsyet e përmendura më lart, numri i vizitorëve ra ndjeshëm gjatë sezonit të verës, duke tkurrur punësimin dhe të ardhurat në hotele, restorante dhe pjesë të tjera të ekonomisë. Ritmet e ngadalta të rimëkëmbjes nga tërmeti i nëntorit 2019 gjithashtu diktuan pjesërisht panoramën e zymtë ekonomike në vend.

Si i vlerësoni masat ekonomiko-financiare të ndërmarra nga qeveria shqiptare si përgjigje ndaj Covid-19?

Reagimi i qeverisë duhet parë në optikën e dy elementëve të lidhur ngushtësisht. Por para se të trajtoj këto dy tema, dua të ndalem në një sqarim paraprak: Nëse do pretendonim të shëronim plagët e krijuara në Shqipëri, nga një problem kaq i madh global, sikurse është pandemia e këtij viti, duke shpresuar se do të gjenim zgjidhje ideale që shmangin dhimbjen, një pritshmëri e tillë do të ishte utopi. Në këtë sens, edhe masat e parashikuara në VKM nr. 254, të dates 27 mars 2020, dhe VKM nr. 305, të dates 16 prill 2020, në të cilin qeveria zyrtarizoi shpalljen e situatës së jashtëzakonshme, nuk do t’i zgjidhnin të gjitha problemet edhe sikur të shkonin përtej shumës prej afro $120 milionë.

E para, arsyeja pse edhe ndërhyrja më ideale nuk do t’i shëronte të gjitha plagët e krijuara nga pamdemia, ka të bëjë me natyrën e problemit. Kjo sepse përveç mbështetjes ekonomike, përballimi i pandemisë ka kërkuar angazhimin maksimal të profesionistëve të shëndetit publik dhe solidaritet të madh social, dhe në këtë kuptim qeveria shqiptare ka bërë aq sa mundej për të përballuar situatën. E para, sikurse e kam thënë edhe më parë, qeveria bëri sa mundi po të merret parasysh se çfarë kishte në buxhet kur goditi pandemia. Për hir të së vërtetës, duhet shtuar se pandemia ishte kriza e dytë që pllakoste Shqipërinë në harkun kohor të tre muajve. Autoritetet shqiptare ishin ende në mes të vlerësimit dhe reagimit ndaj tërmetit të 26 nëntorit kur filluan të bien sirenat e koronavirusit.

E dyta, masa më të thella fiskale dhe monetare do të kishin më shumë rezultat në mëkëmjen e ekonomisë, por vende të vogla si Shqipëria nuk kishin hapësirë të mjaftueshme fiskale për të ndërhyrë më agresivisht. Të ashtuquajturat “paga lufte” ishin modeste dhe nuk mund të kompensonin plotësisht për mbylljen e aktivitetit ekonomik. Qeveria ka ndërmarrë disa reforma fiskale gjatë mandatit të saj, por për një sërë arsyesh—përfshirë prezencën e korrupsionit të lartë—përpjekjet nuk u shoqëruan me përmirësimin e ndjeshëm e të vazhdueshëm të të ardhurave publike. Si rrjedhojë, mbështetja për shtresat më në nevojë dhe për bizneset, kryesisht për ato të vogla, nuk ka qenë e mjaftueshme për të siguruar rigjenerimin e dëshiruar ekonomik. Kjo ka dëmtuar të ardhurat. Disa studime paraprake tregojnë se dy të tretat e popullsisë kanë hasur vështirësi në sigurimin e artikujve për konsum normal. Padyshim, shkalla e varfërisë është rritur mbi 40% të raportuar më parë nga institucionet ndërkombëtare. Më tej, pronarët e shumë bizneseve, hëpërhë, nuk kanë iluzione për rritje, ato vetëm po përpiqen të mbijetojnë. Kjo edhe pas masave të likuiditetit, prej të cilave kanë përfituar kryesisht bizneset e mëdha.

E treta, në një ekonomi të tregut të lirë, dëmi që iu shkaktohet bizneseve nga rënia e kërkesës nuk mund të kompensohet tërësisht nga masat lehtësuese të qeverisë, kështu që dhimbja është e paevitueshme. Roli i qeverisë nuk është eliminimi i dhimbjes por bërja sa më e menaxhueshme e saj në kohë të vështira. Kjo e thënë, qeveria e sotme dhe të tjera para saj duhet të mbajnë përgjegjësi për dështimin e tyre në përpjekjet për të forcuar sistemin ende të dobët shëndetësor në vend, të cilin e ekspozoi keqas pandemia. Qeveritë ndër vite janë fajtore edhe për korrupsionin dhe keqmenaxhimin e fondeve publike, gjë që i ka lënë financat publike në gjendje të mjeruar kur nevojiten më së shumti. E kush e harron skandalin me projektin prej 2.2 km në Unazën e Re të Tiranës dhe faturën e kripur prej €40 milionësh?!

Sipas jush si duhej vepruar në këtë situatë duke u krahasuar edhe me vendet e tjera të botës e veçanërisht të rajonit?

Qeveria shqiptare është përballuar me dilemën “zgjidh helmin-(pick your poison)”, e njëjta dilemë që ka testuar drejtues qeverish anembanë botës: Të izolojë plotësisht (përkohësisht) shoqërinë dhe ekonominë dhe të rrisë mbështetjen fianciare për të kompensuar të ardhurat e humbura, gjë që e bënë disa vende të zhvilluara europiane por që Shqipëria nuk e përballon dot financiarisht, apo të hapë gjithçka, duke rritur kështu numrin e infektimeve dhe të vdekjeve nga COVID-19. Kjo e dyta ka potencialin të mbingarkojë sistemin ende të dobët shëndetësor në vend. Për këtë arsye, ekuilibri i gjetur në masat e marra nuk duhet kritikuar, së paku në përmbajtje. Si çdo çeshtje tjetër që analizohet edhe në formë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë komunikim më të mirë të zyrtarëve shtetërorë, por kjo nuk e ndryshon faktin që situata do të shoqërohej me dhimbje gjithësesi. (Edhe një parantezë e vogël: Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet më shumë në përcaktimin e prioriteteve buxhetore në vend. Parlamenti, komisionet parlamentare dhe qeveria duhet të organizojnë më shumë dëgjesa publike nga ekspertë jopolitikë të fushave të ndryshme.)

Pak a shumë, edhe vendet e tjera të rajonit (por edhe përtej) kanë aplikuar qasjen liro-shtrëngo, duke reflektuar dinamikat e pandemisë. E theksoj, qeveria nuk duhet kritikuar për keqmenaxhim të pandemisë, por ajo duhet kritikuar në dështimin e saj për t’a sjellë Shqipërinë realisht më afër Europës nga pikëpamja institucionale, e zbatimit të ligjit, e klimës së të bërit biznes, gjë që çoi në refuzimin e radhës nga Bashkimi Europian për t’a afruar Shqipërinë. Mungesa e diversifikimit më të shpejtë të ekonomisë do të rriste gjithashtu imunitetin e ekonomisë shqiptare në kohë të vështira. Dobësia e Shqipërisë duket qartazi edhe në shifrat e pritshme ekonomike që ka publikuar Banka Botërore, e cila vlerëson se këtë vit prodhimi bruto për rajonin e Ballkanit pritet të bjerë 4.8%, ndërsa për Shqipërinë pritet një tkurrje prej 8.4%. Kjo edhe pse masat e marra prej qeverisë shqiptare janë të ngjashme me ato të vendeve fqinje.

Në ç’masë është dëmtuar ekonomia shqiptare sipas jush dhe cilët sektorë do ta vuajnë më gjatë krizën?

Sikurse e thashë më parë, nëse bazohemi tek prodhimi i përgjithshëm bruto, dëmi mbi ekonominë shqiptare ka qenë dhe vazhdon të mbetet disproporcional, por dëmi nuk mbaron aty. Detajet do të bëhen më të qarta me kohën. Vlerësimi i plotë i dëmit ekonomik nuk do të mund të bëhet i plotë as kur pandemia të jetë vënë plotësisht nën kontroll, por ka disa gjëra që mund të thuhen edhe tani si kritere bazë vlerësimi. Për shembull, me valën e dytë të infektimeve në 2-3 muajt e fundit, prodhimi bruto ka gjasa të tkurret sërisht në tremujorin e fundit të vitit, duke e sjellë tkurrjen vjetore tek rreth 8%. Ka edhe aspekte të tjera që duhen vlerësuar sikurse janë shëndeti i fuqisë punëtore dhe i bizneseve. Për shembull, a do të ketë një valë të re largimesh nga Shqipëria pas këtij përkeqësimi ekonomik? A do të ketë falimentime biznesesh në muajt që vijnë, etj. Turizmi, tregtia, shërbimet prodhimi industria dhe bujqësia kanë patur një vit të vështirë. Siç dihet, disa fermerë dhe fasonë që i kanë dhënë mundësi Shqipërisë të dalë në tregjet ndëkombëtare kanë përjetuar vështirësi të mëdha financiare këtë vit. A do t’a humbin ata emrin e krijuar të produkteve të tyre në tregjet e huaja? Përgjigjjet e pyetjeve të tilla do të na japin një ide më të qartë rreth dëmit të shkaktuar nga pandemia globale.

Për sektorët më të prekur si e parashikoni rimëkëmbjen?

Rimëkëmbja në rang global do të vijë me heqjen e masava kufizuese dhe me rikthimin e normalitetit social. Vetëm në kushte të tilla konsumatorët e prodhuesit do të kthejnë normalitetin në tregje, duke mbështetur rritjen ekonomike. Pra, faktori vendimtar për fatin e sektorëve që po vuajnë më shumë është rigjallërimi i kërkesës për produktet e tyre. Në rastin e Shqipërisë do të nevojitet edhe normalitet në lëmin politik. Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe ecuria normale e zgjedhjeve dhe e procesit pas-zgjedhor do të jenë të një rëndësie të veçantë për ekonominë dhe për proceset integruese të Shqipërisë.

Si e parashikoni 2021 si vit ekonomiko- inanciar?

Viti 2021 do të jetë vit më i mirë për ekonominë shqiptare, e cila do të përfitojë nga shërimi gradual i ekonomisë globale. Përmirësimi do të nisë me vaksinimin masiv të popullsisë, i cili do të kontribuojë në uljen e numrit të infektimeve dhe vdekjeve. Ky realitetet i ri do të ndikojë pozitivisht në psikologjinë e tregut. Megjithatë, për Shqipërinë, një përmirësim i tillë i ndjeshëm do të ndodhë vetëm në gjysmën e dytë të vitit.

Por kuptohet që as viti që vjen nuk do të jetë pa sfida. Konfliktualiteti që ka shoqëruar vendin gjatë tranzicionit nuk ka gjasa të zhduket papritur, sidomos në një vit kur priten zhvillime interesante edhe në fushën e sundimit të ligjit.

Kryerja e vaksinës do ta ndihmojë ekonominë sipas jush?

Sigurisht. Vaksina është shpresa e vetme në mbylljen e kapitullit tragjik të COVID-19, dhe zbulimi i vaksinës në kohë rekord është fitore për njerëzimin. Shtrirja kohore e impaktit mbetet disi e pakristalizuar, megjithatë. Efektet pozitive do të fillojnë të ndjehen para se qytetarët shqiptarë të jenë vaksinuar masivisht. Kjo sepse vaksinimi gjetkë do të lehtësojë pasojat e pandemisë në ekonominë botërore dhe do të ulë mundësinë e mbartjes së virusit në Shqipëri. Pastaj, vaksinimet në Shqipëri do të ulin hovin e pandemisë, ndonëse efektet e saj mund të vazhdojnë për vite me radhë. Por në fund të fundit, pritet të provohet teza që shumë ekonomistë, mes tyre edhe unë, kanë mbështetur që nga fillimet e pandemisë. Pra, do të provohet bindja se kriza ekonomike nuk mund të adresohet pa zgjidhur krizën e shëndetit publik. Kjo sepse këto dy kriza janë të lidhura ngushtësisht.

Kur mund të mbërrijë ekonomia në nivelet parapandemike?

Duhet thënë se parashikimet ekonomike bazohen në supozime të caktuara. Pastaj, ka gjasa që gjërat të shkojnë 50% të kohës më mirë dhe 50% më keq. Në këtë sens, parashikimet ekonomike bazohen në supozimin se ky është fillimi i fundit të pandemisë, por nuk përjashtohet mundësia e të papriturave të reja në dinamikën e saj në muajt që vijnë, dhe ekonomia shqiptare mund të ndeshet edhe me probleme të reja. Por për thjeshtësi po supozojmë se gjithçka shkon mirë tani e tutje. Në një skenar të tillë, po të merret parasysh rënia e madhe ekonomike e këtij viti dhe rritja modeste e pritshme e vitit 2021 (më e vogël sesa rënia e këtij viti), ekonomia shqiptare do të mundet të kthehet në nivelet parapandemike të prodhimit jo më herët sesa në fundin e vitit 2022. Me daljen e problemeve të papritura kjo rimëkëmbje mund të zgjasë edhe më gjatë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat