Celibashi kundër Pandeli Majkos: Duhet të regjistrohen nëpërmjet portalit “e-albania”

Shqipëria

Celibashi kundër Pandeli Majkos: Duhet të regjistrohen nëpërmjet portalit “e-albania”

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 12:27
Foto ilustrim

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u kërkoi emigrantëve që të regjistrohen përmes portalit “eAlbania” që të marrin pjesë në zgjedhje.

Celibashi e quajti votën e emigrantëve si një proces delikat, megjithatë tha se KQZ-ja në ditën në vijim do të ketë gati projektvendimin se si do të jetë lista e emigrantëve votues.

Përmes këtij deklarimi, numri një i KQZ-së indirekt korrigjoi deklaratën e një jave më parë të ministrit për Diasporën Pandeli Majko, i cili surprizoi kur tha në mbledhjen e Nënkomisionit për Diasporën dhe Emigrantët se mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare edhe pa bërë deklarimet e adresave.

Çdo emigrant shqiptar përmes portalit “e-albania” i duhet të bëjë deklarimin e adresës. Pas hapjes së një llogarie në “ealbania”, shkohet në seksionin “Familja” nga ku përzgjidhet seksioni i deklarimit të adresës së shtetasit që jeton jashtë Shqipërisë. Hapi tjetër është përdorimi këtij shërbimi përmes krijimit të aplikimit të ri e më pas plotësimi i formularit të posaçëm, ku kërkohen të dhënat e shtetit ku banon dhe adresa e saktë. Ky regjistrim nuk ka asnjë kosto, është falas.

“Kemi besim që emigrantët mund të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.  Po punojmë teknikisht për ta realizuar. Kërkojmë konsensus edhe nga emigrantët dhe partitë politike për këtë çështje. Modeli i Kosovës për votën e emigrantëve nuk mendoj se është i duhuri, nuk ka siguri”, u shpreh Celibashi.

I pyetur për koston e zgjedhjeve të 25 prillit, u shpreh se pa përfshirë identifikimin dhe votimin elektronik, kostoja shkon jo më shumë se 10 milionë euro. Por, sipas tij, nëse përfshijmë identifikimin dhe votimin elektronik, kostoja e zgjedhjeve shkon 37 milionë euro.

KUFIZIMET

Nga data 25 dhjetor, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët por dhe një sërë institucionesh të tjera, duhet të respektojnë detyrimin ligjor për të raportuar në KQZ minimalisht 5 ditë para të gjitha aktivitetet e tyre publike.

Në faqen e KQZ-së u publikuan dje vetëm aktivitete ditore të Kryeministrit dhe 2 ministreve, Balluku dhe Gjonaj, për të cilat komisioneri Celibashi ka dhënë miratimin për t’u zhvilluar.

Aktivitetet për të cilat do të cilësohen se bien ndesh me aktin që përcakton rregullat e veprimtarive me karakter publik të institucioneve shtetërore, si dhe përdorimin e burimeve njerëzore, financiare para dhe gjatë zgjedhjeve do të publikohen në rubrikën “aktivitete të ndaluara”. Por që ky filtër i përditshëm të bëhet për 4 muaj rresht nuk është aq e thjeshtë për një strukturë të ristrukturuar si KQZ-ja dhe vështirësitë i pranon dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Aktivitetet që cilësohen si në shkelje të këtij akti janë çdolloj kontrate e firmosur nga qeveria apo kryebashkiakët pas datës 24 dhjetor nga qeveria. Por për çdo punë të nisur përpara kësaj date, krerët e këtyre institucioneve nuk pengohen të vijojnë inaugurimet apo inspektimet. Sa i takon identifikimit biometrik, KQZ-ja është në fazën e prokurimit të 6 ofertave, ndërsa për votimin dhe numërimin elektronik janë në pritje që partitë t’iu dërgojnë zonat ku do të aplikohet ky projekt-pilot në 25 Prill.

MAJKO: DIASPORA MUND TË VOTOJË, EDHE NËSE NUK DEKLARON ADRESËN E BANIMIT

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, gjatë një mbledhjeje në Komisionin për Diasporën dhe Emigrantët, më datë 21 dhjetor deklaroi se emigrantët mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare edhe pa bërë deklarimet e adresave. “Është krijuar një kakofoni. Duket sikur po të mos kesh deklaruar adresën, ti nuk merr të drejtë të votosh. Nuk është kështu. Në KQZ do regjistrohen drejtpërdrejt. Sistemi që do të krijohet pranë KQZ-së, sipas modelit të një shteti më të ri të rajonit, Kosovës, është me aplikim sipas shtetasve tanë jashtë vendit, të cilët aplikojnë me pasaportë apo me kartë identiteti dhe kjo krijon listën e votuesve dhe jo e kundërta”, tha Majko.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat