Prapaskenat e vizitës së Edi Ramës tek Erdogan në fillim të janarit

Shqipëria

Prapaskenat e vizitës së Edi Ramës tek Erdogan në fillim të janarit

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 18:34
Edi Rama dhe Erdogan

Në ditët e para të janarit 2021, rreth datës 6, Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Ankara, ku natyrisht do të pritet nga Presidenti turk e “vëllai i tij politik”, Rexhep Tajip Erdogan. Një vizitë që Rama e ka shtyrë, pasi ka pritur një vendim pozitiv nga presidenca gjermane në fund të dhjetorit për Konferencën e hapjes së negociatave.

Por pasi Merkel nuk i dha mundësinë që ta shfrytëzojë për fushatë elektorale, një vendim pozitiv të BE-së, babloku është kthyer tek ai që tashmë nuk e ka thjesht një partner e mik, por edhe model të implementimit të politikës.

Siç mësohet, më shumë se një vizitë protokollare e zyrtare, do të jetë një tur elektoral, ku Edi Rama dhe Erdogan do të japin edhe një mesazh për të tërhqur votat e atij grupi popullsie në Shqipëri që njeriun e fortë të Turqisë e kanë idhull.

E lajmi i parë siç mësohet, që do të dalë nga takimi ndërmjet Edi Ramës dhe Erdoganit, pritet të jetë shpallja e vendimit që Turqia ka rezervuar edhe për Shqipërinë, sasinë e vaksinave anti-Covid që ka blerë dhe pritet t’i shpërndajë në fillim të vitit 2021.

Vetë Rama, në konferencën e shtypit të para dy ditëve, e paralajmëroi se “një vend mik” do të na japë vaksinat, por pa e përmendur me emër. Që prej asaj dite u kuptua se nuk bëhet fjalë as për SHBA e as për ndonjë vend të Bashkimit Europian.

Kjo pasi Rama tha që nga SHBA nuk del dot asnjë dozë vaksine, ndërkohë që sulmoi BE-në, kur tha se “Europa ka vendosur që Ballkanit t’i japë vetëm tepricat e vaksinave që do të shpërndajë në vendet anëtare”.

Tashmë, ka shumë gjasa që pas Serbisë, e cila ka vendosur të marrë nga Rusia vaksinën “Sputnik V” e ta shpërndajë në popull, Shqipëria të jetë vendi i dytë i Ballkanit Perëndimor që largohet nga zona e influencës e Bashkimit Europian.

E pikërisht këtu, ka gjasa që retorika e Edi Ramës të forcohet gjatë vizitës së tij në Ankara, ku prej kohësh merr jo vetëm inspirimin e modelit të tij politik të qeverisjes së gjatë, por edhe trajnimin e kuadrove të partisë së tij nga AKP e Erdoganit.

Ndërkaq, përveç çështjes së vaksinës, duket se Rama do të zgjasë edhe më shumë dorën e Erdoganit në Shqipëri, për të marrë atë vendim që Merkel e ndaloi një vit më parë.

Që Turqia të komandojë qiellin shqiptar nëpërmjet aeroporteve dhe linjave strategjike ajrore. Ishte Gjermania ajo që e pengoi Edi Ramën t’i japë Erdoganit aeroportin e Vlorës.

Por tashmë është një fakt strategjik që duket se është vendosur prej kohësh; jo më kot Erdogani i fali Edi Ramës çarterin e flotës ajrore qeveritare turke, me të cilin babloku bredh nëpër botë.

Turqia, e cila menaxhon aeroportin e Prishtinës, shumë shpejt do të marrë edhe atë të Tiranës, duke futur nën sqetull edhe aeroportet e Kukësit dhe Vlorës. Plani i kompanisë turke Limak, e cila menaxhon edhe aeroportin e tretë të Stambollit që konsiderohet më i madhi në botë, është që të bëhet “mbreti i Ballkanit”, pasi ëndërron të marrë në menaxhim edhe aeroportin e Shkupit, atë të Nishit që është i treti në Serbi, dhe aeroporti e Sarajevës në Bonsjë-Hercegovinë.

Nëse ndodh kjo, që është shumë e pritshme, listës së oligarkëve që shërbejnë për Edi Ramën do t’i shtohet edhe një më i fuqishëm dhe shumë e “frikshëm”.

Nihat Özdemir, i cili sot është Presidenti i Federatës Turke të Futbollit është një nga njerëzit më të pasur në vend. I listuar edhe në Forbes, Özdemir pritet të bëhet oligarku më u fuqishëm në Shqipëri, pasi do të ketë të gjithë menaxhimin e aroporteve dhe pikërisht kompania e tij të marrë në dorë ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Rama, ka kopjuar “copy paste” nga Erdogan modelin e tij të oligarkëve dhe të dhënies së ekonomisë kombëtare në PPP njerëzve më të besuar të tij.

Të ashtuquajturat “Tigrat e Anadollit” u bënë jo thjesht njerëzit që morën në dorë kontratat më të rëndësishme publike, por edhe u kthyen në mbështetësit financiarë më të fortë të partisë së Erdoganit, AKP.

Në këtë mënyrë i dhanë atij një qeverisje të gjatë që ka zënë fill pa ndërprerje që në vitin 2003.

E pikërisht këtë model ka ndjekur edhe Babloku me oligarkët e tij, që me padronin e Limakut, sipas gjasave do të ketë edhe më shumë fuqi.

Zgjidhja e qeses së Erdoganit ndaj Ramës, si me 500 banesat në Laç apo ndërhyrja tek Banka Islamike për të dhënë kredinë më të madhe për rindërtimin, përveç mbështetjes ngaqë bllokoi deri tani një marrveshje detare me Greqinë, është bërë pikërisht për synimin strategjik të aeroporteve. Ikja e gjermanëve nga Rinasi, ishte pikërisht nisja e një hapi të madh strategjik që tani thjesht po realizohet në hapat e tij…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat