“Viktimat i binin xhamit me grushte, donin të dilnin”, flet banori: Makinën e tërhoqa me zetor

Shqipëria

“Viktimat i binin xhamit me grushte, donin të dilnin”, flet banori: Makinën e tërhoqa me zetor

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 11:46
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një aksident tragjik u shënua mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur kthesa e Qarrit në Fier, ku makina e një çifti bashkëshortësh përfundoi në kanalin anash rrugës.

Si pasojë Ndue Preçi 62 vjeç dhe Pashke Malçi 61 vjeçe humbën jetën si pasojë e mbytjes në ujin e kanalit.

Sakaq banorët, të cilët janë gjetur të parët në vendin e ngjarjes kanë treguar më shumë detaje në momentin e aksidentit.

Njëri prej tyre ka treguar se si është thërritur me lajmërimin që një aksident ka ndodhur dhe që duhej të nxirrte një makinë nga kanali me zetor. Ai ka treguar më tepë, duke thënë se në momentin e aksidentit çifti i bashkëshortëve është munduar të dalin nga xhami i pasmë i makinës duke e goditur me grushte, por fatkeqësisht nuk kanë mundur.

“Më mori në telefon një Bujar Troka. Më tha hajde me sekonda se është mbytur një makinë. Ndeza zetorin dhe vij brenda 10 minutave këtu te vendi i ngjarjes. Takoj një Haki, nuk e di ca mbiemri ka. Ku është makina i thashë, ka rënë brenda në ujë. Po personat ku janë, janë brenda tha ai. Në këtë unë marr papagallin e zetorit, i futem te xhami i pasmë, e godas dhe i nxjerr personat. I vë litarin makinës dhe e nxjerr lartë, personat ishin mbytur.

Kur Hakiu ishte këtu, po shikonte që donin të dilnin nga xhami i pasëm dhe i binin xhamit. I thashë pse s’more një gur që ta thyeje që të dilnin”, u shpreh banori.

Shkak i aksidentit mendohet se është bërë shpejtësia e madhe e makinës dhe lagështia në rrugë, gjë që ka bërë që mjeti të dalë nga rruga dhe të përfundojë në kanal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat