Portali tatimor “Self Care”, Ibrahimaj: Ja si do funksionojnë bizneset e vogla dhe dyqanet online

Shqipëria

Portali tatimor “Self Care”, Ibrahimaj: Ja si do funksionojnë bizneset e vogla dhe dyqanet online

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 17:24
Delina Ibrahimaj

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj ka qartësuar në RTV Ora edhe idenë e të funksionuarit online nëpërmjet programit tatimor “SelfCare”.

Ibrahimaj ka bërë me dije se në këtë portal bizneset e vogla do të kenë mundësinë për të lëshuar faturat e tyre, ndërkohë që çdo tatimpagues do të ketë një nënshkrim elektronik të detyrueshëm.

Ibrahimaj: Për të gjithë biznesin e vogël që ka vështirësi është marrë masa që të përdoret portali “SelfCare” që është portali i fiskalizimit, për të ndryshuar fatura. Nëse më parë një biznes i vogël duhej të blinte një kasë për të lëshuar kuponin tatimor, tashmë mund të përdorin platformën online dhe ti lëshojnë nëpërmjet saj faturat. Çdo tatimpagues në Shqipëri duhet të ketë nënshkrimin elektronik që është i detyrueshëm për të gjithë tatimpaguesit, por jo vetëm për procesin e fiskalizimit, por për të gjitha shërbimet që kryhen online.

Për të gjitha shërbimet që ofrohen nga e-albania, tatimpaguesit duhet të marri certifikatën elektronike që të nënshkruajnë elektronikisht të gjitha faturat. Ky është një detyrim ligjor që tatimpaguesit dhe bizneset kanë, ndonëse deri tani nuk është përforcuar dhe nuk është i lidhur me procesin e fiskalizimit, por me aplikimet elektronike që ato bëjnë për veten e tyre.

Portali “SelfCare” do të përdoret për të gjitha bizneset?

Ibrahimaj: “Selfcare” është portali i faturave që do të përdoret nga të gjithë tatimpaguesit, por biznesi i vogël do të ketë mundësi që të lëshojë fatura nëpërmjet këtij portali. Ndërkohë që gjithë tatimpaguesit e tjerë do ta përdorin portalin për ta populluar me të dhënat e biznesit të tyre edhe për të bërë ndryshimet në faturat e tyre.

E pyetur nga gazetarja Besmira Pelushaj, nëse kjo metodë do të funksionojë njëlloj edhe për bizneset që operojnë online, Ibrahimaj është shprehur se “Dyqanet që operojnë nëpërmjet shitjeve online, lëshojnë fatura si çdo subjekt tjetër, pavarësisht se nuk kanë një dyqan fizik. Ato patjetër do të duhet të fiskalizohen dhe të lëshojnë faturat e tyre.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat