Liçaj: E pajustifikueshme dhuna ndaj aktivistëve, qeveria të lërë agallëkun, është shërbëtore e popullit

Shqipëria

Liçaj: E pajustifikueshme dhuna ndaj aktivistëve, qeveria të lërë agallëkun, është shërbëtore e popullit

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 19:49
Neritan Liçaj

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit ka zhvilluar ditën e sotme një protestë përballë Ministrtisë së Brendshme pas shoqërimit dhe dhunimit që iu bënë ditën e djeshme aktivistëve të çështjes së Teatrit nga efektivët e policisë.

I pranishëm në protestë aktori i njohur Neritan Liçaj u shpreh se dhuna e djeshme është e pajustifikuar në çdo pikëpamje.

Neritan Liçaj: Arsyet pse dalim në protestë janë të shumta. Sot është për baziken,  për dhunën që u ushtrua dje ndaj aktivistëve të Teatrit. Që ishte e pajustifikuar nga çdo pikëpamje. Është normale që ne do reagojmë. Ne u jemi bashkuar të gjitha protestave që janë zhvilluar. Sepse mazhoranca nuk plotëson misionin për të cilën është zgjedhur. Nuk ka ca ti japë më këtij kombi. Ne jemi për protesta qytetare përsa kohë kemi këtë mazhorancë arrogantë që nuk i jep zgjidhje problemeve dhe shton dhunën policore.

Licaj u shpreh se qeveria duhet të lërë agallëkun dhe arrogancën por t’i shërbejë popullit si detyrën kryesore që kanë.

Neritan Liçaj: Ne nuk tërhiqemi. Gjëja më e mirë që do i këshilloja mazhorancës dhe qeverisë unë si një qytetar i thjeshtë do ishte t’i vinin gishtin kokës, të dalin nga sistemi të lejojnë zgjedhje të ndershme që hallet e qytetarëve të zgjidhen. Se me dhunë nuk e mbajnë dot dhe e ka treguar historia. Mazhoranca dhe qeveria duhet të kenë parasysh që nuk janë agallarët e këtij vendi por janë shërbëtoret e qytetarit sepse përkthimi i parë i fjalës ministër është shërbëtor i popullit. Ta lënë agallëkun dhe arrogancën se nuk prodhon asgjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat