Të rinjtë e partive dhe ata të protestës, Kërpaçi, Këlliçi dhe Shabani analizojnë revoltën që nxiti vrasja e Klodian Rashës

Shqipëria

Të rinjtë e partive dhe ata të protestës, Kërpaçi, Këlliçi dhe Shabani analizojnë revoltën që nxiti vrasja e Klodian Rashës

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 23:39
Protesta

Floida Kërpaçi, Belind Këlliçi dhe Endri Shabani komentuan për Euronews Albania shpërthimin e protestave pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe qasjen politike ndaj këtyre protestave.

Kërpaçi, drejtuese e Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI) tha se kishte qenë pjesë e protestës që ditën e parë, pasi sipas saj, ajo nuk ishte protestë politike por “protestë pro-jetës”.

“U vra Klodiani [ por mund të ishte gjithësecili prej nesh, teksa të rinjtë janë të braktisur, të pa-përfaqësuar dhe në vështirësi ekonomike dhe sociale,” – tha Kërpaçi.

Këlliçi, i cili drejton Forumin Rinor të Partisë Demokratike, tregoi se të rinjtë demokratë ishin të parët që reaguan për vrasjen, kjo pasi “ajo ndodhi si simbolikë e keqe në një datë të lirisë”, duke nënkuptuar këtu 8-dhjetorin, ditën e nisjes së lëvizjes studentore të vitit 1990 që nisi fundin e diktaturës në Shqipëri.

“Pas një aktiviteti që kemi pasur gjatë ditës, aktivitete që i bëjmë përgjithësisht çdo vit, ne ishim të parët që dolëm në protestë, i bëmë thirrje të rinjve në rrjeteve sociale dhe më pas ishim vazhdimisht pjesë e reagimeve që erdhën nga qytetarët, nuk kemi dashur dhe nuk na takonte ne që të mbanim flamurin e organizatorëve sepse është protestë që prek çdo të ri,” – tha Këlliçi.

Por ndryshe nga drejtuesit e forumeve rinore të dy partive të mëdha, drejtuesi i partisë së re “Nisma”, Endri Shabani, tha se ajo që ndodhi pas vrasjes së Klodian Rashës ishte një revoltë më shumë se sa një protestë. Shabani e paralelizoi revoltën si shpërthimin e një vullkani, që mbledh me vite të tëra energji.

“E shoh si një vullkan që normalisht gëlon gjithë kohës nën tokë deri sa krijohen disa të çara në tokë dhe më pas shpërthen. Kështu unë e pashë si një të çarë në sistem e cila shpërtheu një tension që po rritet ndoshta prej 30 vitesh por në mënyrë intensive viteve të fundit,” – tha Shabani duke shtuar se të rinjtë e sotëm janë të pamundur dhe të pashpresë për të ardhmen.

Sipas drejtuesit të Nismës aktualisht po përjetohet një krizë e demokracisë përfaqësuese ku të rinjtë nuk besojnë më te përfaqësuesit, dhe në tërësi revoltohen ngjashëm si te protesta e studentëve.

“[I riu] nuk është i qartë se çfarë kërkon, por është i qartë se çfarë nuk pranon më dhe largohet...” – tha Shabani duke shtuar se sa më e lartë do jetë dhimbja e përjetuar aq më e madhe shpërfaqja e zemëratës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat