Zgjedhjet e 25 prillit/ KQZ do të marrë kamera me qira për monitorimin e numërimit

Shqipëria

Zgjedhjet e 25 prillit/ KQZ do të marrë kamera me qira për monitorimin e numërimit

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 09:40
Foto ilustrim

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rrisë cilësinë e kamerave, të cilat do të përdoren në çdo qendër të numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit.

Por duke qenë se pajisjet që ka në inventar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë të vjetra dhe për shkak se gjatë përdorimit në zgjedhjet e mëparshme janë konsumuar dhe shumë prej tyre nuk funksionojnë, në zgjedhjet e ardhshme do të shpallet tender për t’i marrë me qira.

Sipas aktit të miratuar në mbledhjen e djeshme me 5 vota pro dhe asnjë kundër nga Komisioni Rregullator, pajisjet mund të përdoren nga kontraktori që do të merren me qira ose subjekt tjetër.

Kamerat me rezolucion të lartë do të vendosen në tavolinat ku numërohen votat dhe në monitorët do të krijojnë akses për t’i parë përfaqësuesit e mediave, vëzhguesit e ndryshëm dhe subjektet zgjedhore. “Komisioni Rregullator miratoi përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve), për regjistrimin dhe shfaqjen e fletëve të votimit, në vendin e numërimit të votave në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021.

Përdorimin e sistemit e transmetimit video në kohë reale të monitorimit të numërimit të votave nga vendet e numërimit të votave, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021. Përdorimi i sistemit te videomonitorimit behet në bazë të rregullave procedurale te miratuara me akt normativ të KQZ-së referuar parashikimit ligjor të nenit 179, pika 3, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar, përdorimi i kamerave regjistruese e monitorëve (ekraneve), dhe sistemi i transmetimit video në kohë reale nga vendet e numërimit të votave, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2 të këtij vendimi, kryhet nga operatorë të kontraktuar me procedurën e prokurimit publik të parashikuar në nenin 33, pika, 2, germa “c”, të ligjit nr 9643, datë 20.11.2006 ‘Për prokurimin publik’, i ndryshuar’”, thuhet në aktin e miratuar dje.

MONITORIMI NGA KQZ

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në fjalën e tij ditën e djeshme tregoi edhe risinë që do të ketë në zgjedhjet e ardhshme sa i përket monitorimit të procesit të numërimit të votave.

Celibashi theksoi se për të monitoruar procesin e numërimit të votave në çdo VNV, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të realizojë edhe një sistem paralel monitorimi, i cili do të kryhet nga ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i parë prej aty në monitorë, në kohë reale, këto VNV.

“Kamerat regjistruese me rezolucion të lartë dhe monitorë (ekrane) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre në vendin e numërimit të votave (VNV) instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Ndërkohë, për herë të parë në ambientet e KQZ-së do të transmetohen në kohë reale pamjet nga të gjitha qendrat e numërimit të votave. Ky do të jetë një element më shumë për monitorimin e procesit. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, ruhet në medie elektronike dhe dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve së bashku me materialet e tjera zgjedhore”, tha Komisioneri Celibashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat