U sulmua nga Rama, KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Selimi

Shqipëria

U sulmua nga Rama, KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Selimi

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 13:16
U sulmua nga Rama, KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Selimi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur që të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Apelit Administrativ Relinda Selimi, edhe pse kjo e fundit ishte sulmuar kohë më parë nga ana e kryeministrit Edi Rama, për ndërtimin e një karburanti në zonën e Lungomares në Vlorë.

Pronën e gjyqtares dhe të bashkëshortit të saj Shkëlzen Selimi, Rama do ta etiketonte si një ‘peshqesh të KÇK-së’ – një term i përdorur nga kreu ekzekutivit për anëtarë të korruptuar të sistemit të drejtësisë.

Sot KPK tha se nuk kishte gjetur probleme me karburantin dhe as nuk vuri në dukje probleme të mëdha në pasuritë e tjera të familjes – që kapin një vlerë totale prej 57,8 milionë lekë.

KPK po ashtu la të kuptohej se ndryshe nga bashkëshorti, i shkarkuar me vendim të Komisionit të konfirmuar edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA për lidhje me persona të përfshirë në krìmin e organizuar, gjyqtarja e përzgjedhur sëfundmi në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, KED kishte figurë të pastër dhe nuk ishte e ndikuar nga marrëdhëniet e bashkëshortit.

Në një seancë që zgjati më shumë se 4 orë, trupa gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici, i drejtoi gjyqtares një sërë pyetjesh, por relatimi nuk vuri në dukje probleme që zakonisht çojnë në shkarkim të subjektit.

Selimi u pyet për karburantin dhe edhe për një policë sigurimi të lëshuar në emër të saj dhe të bashkëshortit, për përdorimin e një mjeti në pronësi të shtetasit I.Ç. – i skeduar nga policia për aktivitete krìminale.

Ajo mohoi të kishte dijeni dhe lidhje me kontaktet krìminale të bashkëshortit; deklaratë që relatori Lulzim Hamitaj e mori të mirëqenë. Rilinda Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Librazhdit dhe më pas, për rreth një dekadë në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, Selimi është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit.

Në qoftëse konfirmohet në detyrë, si anëtare e KED-së, Selimi do të përzgjedhë dhe kandidatët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke i vënë vulën e saj reformës në drejtësi, një investim i Bashkimit Europian dhe SHBA-së për të luftuar korrupsionin dhe krìmin e organizuar në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat