Abilekaj: Vështirë të vihet drejtësia për Klodian Rashën

Shqipëria

Abilekaj: Vështirë të vihet drejtësia për Klodian Rashën

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 00:53
Enton Abilekaj

Enton Abilekaj, analist nga Shqipëria, ka thënë se besimi është shumë i vogël se do të ketë drejtësi për Klodian Rashën, i cili dy ditë më parë u vra nga Policia.

“Mënyra se si është procedua deri më tani nga policia, me disa njoftime të një pas njëshme dhe kontradiktore. Mënyra se si u procedua pas protestave të djeshme dhe të sotme, pasi u shpërndanë protestuesit, me arrestime të shumta dhe me dhunë ndaj protestuesve mundësia që të kemi një proces të drejtë për kapjen e autorit është shumë e vogël. Besimi që duhet të kemi në një proces të drejtë është shumë i vogël dhe ajo që po pretendon Qeveria sot të bëjë me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe me premtimin për një drejtësi të shpejtë për Klodianin”, ka thënë Abilekaj.

Ai gjithashtu ka shprehur dyshimet e tij se kryeministri Edi Rama është me të vërtetë i interesuar të ketë drejtësi për këtë rast.

“Dhe gjithashtu me atë që Rama, me betimin e tij para qytetarëve mendoj që është vetëm një dëshirë, një karrotë për qytetarët që të qetësohen dhe për protestën që të shuhet. Nëse Rama do të ishte me të vërtetë i interesuar për të vënë drejtësinë atëherë do të kishte minimalisht kërkuar nga Policia për një hetim të shpejtë të brendshëm për të sqaruar ngjarjen, rrethanat se si ndodhi nga vet Policia dhe pastaj të marrë masat e menjëhershme derisa Prokuroria të japë një mendim”, ka thënë Abilekaj.

Sipas tij zemërimi i këtyre protestave shkon edhe përtej vrasjes së Klodianit.

"Me sa duket ne kemi vetëm një dëshirë për të shuar valën e protestave, valën e zemërimit që po shprehet dhunshëm në rrugët e Tiranës dhe që shkon përtej revoltës për vrasjen e Klodianit”, shprehet ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat