Flasin shokët e Klodian Rashës: Nuk ka pasur armë, doli të blejë cigare

Shqipëria

Flasin shokët e Klodian Rashës: Nuk ka pasur armë, doli të blejë cigare

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 11:24
Shokët e Klodian Rashës

Shokët e Klodian Rashës, i cili u vra nga një efektiv policie mesnatën e të martës, kanë vendosur lule ditën e sotme në vendin ku u qëllua 25-vjeçari.

Ata kanë hedhur poshtë versionin e policisë, që thotë se i riu ka qenë i armatosur në momentin që është urdhëruar të ndalojë nga patrulla e policisë.

”Klodianin e kemi pasur shok prej 20 vitesh.. Ka gëzuar respektin e çdo njeriu që e ka takuar të paktën një herë në jetë. Natën që ka ndodhur ngjarja Klodiani ka qenë me ne, shokët e tij dhe aq sa jam unë i armatosur, ka qenë Klodiani. Ai nuk ka pasur kurrë në jetën e tij armë, pasi nuk ka pasur probleme me njeri. Policia insiston që ka pasur armë, por ai ka qenë me ne derinë orën 23:00 të natës dhe nuk ka pasur asnjë armë. Dhe familja e tij e di se, ai as në shtëpi, as në lagje dhe as 100 metra larg, kurrë në jetën e tij nuk ka pasur armë. Ka qenë njeri që respektohej nga të gjithë”, – thotë njëri prej tyre pak para ceremonisë mortore të Rashës.

Ata thonë se Klodiani ka qenë djalë shumë i mirë dhe fare problematik dhe se atë natë kishte dalë për të blerë cigare.

“Arma që është gjetur nuk i përket Klodianit. Nuk ka qenë kurrë njeri problematik. Ai ka dalë për të blerë cigare tek një kioskë që funksionon 24 orë. Klodiani i urrente armët”,  pohon një tjetër shok i viktimës.

Klodian Rasha u qëllua nga një efektiv i policisë dhe gjeti vdekjen e menjëhershme, pasi nuk iu bind urdhrit të tij për të ndaluar, ndërsa kishte shkelur orën policore.

I riu u qëllua për vdekje në rrugën “Dritan Hoxha”, ndërsa mori dy plumba, një në kokë dhe një në shpatull.

Uniformat blu thanë se i riu është qëlluar pasi nuk i është bindur urdhrit dhe ka kanosur me sende te forta policin. Ky i fundit është arrestuar dhe akuzohet për kapërcim të kompetencave për përdorimin e armës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat