Gjykata e Lartë, liron nga akuzat ministrin Basha

Shqipëria

Gjykata e Lartë, liron nga akuzat ministrin Basha

Nga: Bota sot Më: 10 prill 2009 Në ora: 13:13

Tiranë, 10 prill

Akuzat ndaj ministrit Basha për korrupsion janë cilësuar si spekulime. Gjykata e Lartë i ka cilësuar të pavlefshme hetimet ndaj Lulzim Bashës, ish ministër i Transporteve dhe aktualisht ministër i Jashtëm, akuzuar për abuzime me fondet në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Në seancën e sotme, me një vendim të prerë gjykata e ka quajtur kërkesën për gjykim të pavlefshme, duke u shprehur se hetimet e bëra pas datës 6 nëntor janë të pavlefshme. "Hetimet për ministrin Lulzim Basha janë jashtë afateve hetimore"- njofton Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Vendimi i Gjykatës së Lartë për pavlefshmërinë e akuzave ndaj Bashës dhe drejtorit të rrugëve Andi Toma është i formës së prerë. Kolegji Penal vendosi që ministri të mos jetë më i pandehur duke hedhur poshtë kështu aktin e Prokurorisë për të.

Pas një hetimi prej më shumë se një viti, Basha u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tendera" lidhur me fondet për ndërtimin e rrugës Rrëshen- Kalimash gjatë kohës kur drejtonte ministrinë e Punëve Publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat