Familja Lekoviqi që lufton për ekzistencë

Shkupi

Familja Lekoviqi që lufton për ekzistencë

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 21:01
Ilustrim

Kushtet shumë të vështira ekonomike dhe sociale të cilat i kanë familja Lekoviqi nga Shkupi, i kanë detyruar që ato të jetojnë në një hapësirë aq të mjerueshme që nuk ngjan aspak në shtëpi.

11 vite kjo familje ka jetuar në këtë shtëpi, por së pari vërshimet e 6 gushtit, pastaj edhe tërmetet e fundit e kanë bërë të pa banueshme. Valbona Lekoviqi, nënë e tre fëmijëve me dhembje të madhe në shpirt tregon se kjo shtëpi është shumë e rrezikshme për të banuar fëmijët e saj aty, sepse ajo në çdo moment mund të rrënohet.

“Jam nënë e tre fëmijëve, dy djem dhe një vajzë, gjatë gjithë kohës janë të sëmurë, gjithmonë janë me bronhit, era i vjen shtëpisë, këtu nuk kam kushte unë për të jetuar…Vet shtëpia ju tregon, kjo shtëpi më veçsa nuk ka rënë, unë nuk mund të jetoj më këtu, për fëmijët se mos e bëftë Zoti mi zen shtëpia fëmijët”, thotë Valbona Lekoviqi.

Nëna Valbona tregon se prej një muaj e gjysmë është detyruar të shkojë të jetojë tek nëna e saj, por ajo thotë se këtë periudhë janë duke e përjetuar shumë rëndë për shkak se fëmijët gjatë gjithë kohës kërkojnë të kthehen tek shtëpia e tyre.

“Momentalisht nuk jetojmë këtu për shkak se shtëpia është shumë e vjetër, kushtet janë shumë të rënda për të jetuar fëmijët këtu. Kam jetuar deri para një muaj e gjysmë, momentalisht jetoj tek nëna ime”, sqaron Valbona Lekoviqi.

Kryefamiljari Elmazi punon kohë pas kohe, por jo rregullisht. Siç shpjegon Valbona vetëm kur kanë punë e thërrasin edhe atë me një pagë shumë të ulët që e bënë të pamundur mbijetesën e kësaj familje pesë antarëshe.

Kjo nënë bën apel deri tek të gjithë dashamirësit dhe ata që kanë mundësi financiare, për të dhënë kontribut për ndërtimin e një shtëpie të re, që sikur të gjithë fëmijët e tjerë edhe fëmijët e saj të kenë folenë e tyre për strehim. Të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë atë, mund ta kontaktojnë në numrin e telefonit 072/710-080. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat