Kritika të shumta për këshilltarin robot të kryeministrit rumun

Shkencë & Teknologji

Kritika të shumta për këshilltarin robot të kryeministrit rumun

Më: 10 mars 2023 Në ora: 23:32
Kryeministri rumun, Nicolae Ciuca, flet me këshilltarin politik Ion (John në anglisht) në zbulimin e tij më 1 mars.

Me shumë mburrje se do të cilësohet si politikani i parë që bëri diçka të tillë, kryeministri rumun, Nicolae Ciuca, më 1 mars prezantoi këshilltarin e tij të ri Ion, i cili është i krijuar nga inteligjenca artificial (IA).

Kur u shfaq në ekranin e plotë, ION foli me një zë të thellë e të qetë, teksa fjalët blu u përshkruan në ekranin reflektues. Ciuca thotë se Ion, ose John në anglisht, do të ketë aftësinë të mbledhë të dhëna nga rrjetet sociale dhe të japë kontributin për qytetarët në mënyrë që t'i tregojë qeverisë "në kohë reale për planet dhe kërkesat e rumunëve".

Por, që nga shfaqja e tij javën e kaluar, këshilltari i krijuar nga inteligjenca artificiale i Rumanisë është tallur dhe është akuzuar për përdorimin e një imazhi pa autorizim. Ndihmësi i ri i kryeministrit vë në pikëpyetje edhe se a është morale mbledhja dhe përdorimi i të dhënave.

Ion, i cili u krijua nga një grup akademikësh dhe profesionistësh biznesi në Rumani, do të analizojë informacionin që mbledh për t'u ofruar politikanëve një kuptim më të mirë të kërkesave dhe prioriteteve të qytetarëve rumunë. Sipas një dokumenti qeveritar, të dhënat do të përdoren për të informuar zgjedhjet e politikave shtetërore.

Megjithatë, përfaqësues nga bashkia e qytetit në Ciugud, e cila është një nga bashkitë më të digjitalizuara në Rumani, u ankuan se promovimi i qeverisë për Ion, po përdorte një imazh të një shkolle lokale pa leje.

"I dashur Ion, para së gjithash...", shkroi në Facebook, stafi i bashkisë në Rumaninë qendrore, "ju rekomandojmë të studioni legjislacionin rumun dhe rregulloret e GDPR", duke iu referuar një ligji në mbarë BE-në për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë, "në mënyrë që nuk do të akuzohesh për plagjiaturë duke përdorur punën e tjetrit”.

Ion, apo më mirë të themi kontrolluesit e tij, shprehën shpejt keqardhjen, edhe pse dukej se faji ishte gabimi njerëzor dhe jo i inteligjencës artificiale.

"Të nderuar nga Bashkia e Ciugud, ion (ende) nuk prodhon video. Një grup vullnetarësh, të cilët kanë punuar pa pushim për ta përfunduar këtë projekt janë këtu për të më ndihmuar. Më vjen keq për gjendjen që kam shkaktuar! Unë siguroj se kam mësuar nga kjo përvojë dhe kam hequr imazhin ofendues".

Mirëpo, Ion ngre çështje etike që shkojnë përtej përdorimit të papërshtatshëm të fotografisë. Duke përdorur uebsajtin ion.gov.ro, i cili shkruan "Ne jemi Ion" dhe "Ioni ju lexon si një pasqyrë", rumunët mund të komunikojnë me Ionin.

Përdoruesit mund të shkruajnë tekste në një kuti për të shprehur shqetësimet e tyre, që si duket këto shqetësime i shkojnë direkt qeverisë. Uebfaqja e Ionit me sa duket u bllokua menjëherë pas hapjes, megjithëse u kthye shumë shpejt.

Gjithashtu, rumunët mund t'i postojnë Ionit ose ta kontaktojnë atë drejtpërdrejt përmes Facebook-ut dhe Instagram-it.

Ion siguron përdoruesit në rast se janë të shqetësuar se komunikimet e tyre do të zhduken:

"Unë flas për ju. Në vendin tuaj, unë do të marr pjesë në mbledhjet e qeverisë". Sipas Ciucas, këshilltari i tij i ri do të veprojë si një lloj avokati i popullit digjital dhe do të përfaqësojë "zërin e rumunëve".

Megjithatë, ekspertët janë të shqetësuar se çfarë do të bëjë Ioni në të vërtetë me gjithë këto informacione.

Krijuesit e Ionit pretendojnë se është ende në fazën e parë të punimit dhe ende është duke mbledhur shumë informacione, por është e paqartë se si do të përdoret ai informacion ose çfarë do të ndodhë me informatat personale të njerëzve që ndajnë mendimet e tyre me Ionin.

Kur u pyetën nga Shërbimi Rumun i RFE-së në Rumani, ekspertët thanë se kishte ende shumë shqetësime pa përgjigje rreth mënyrës sesi Ion i trajtonte të dhënat dhe se ata kishin kërkuar sqarime nga themeluesit e tij. Ata hezitonin të diskutonin hapur të metat e mundshme të platformës, edhe pse kishin shumë më shumë detaje.

Duke lënë mënjanë pyetjet etike, shumë rumunë janë skeptikë dhe në një vend ku korrupsioni është në nivele marramendëse, qytetarët kanë bërë shaka me këshilltarin e ri të krijuar nga inteligjenca artificiale.

"Roboti Ion u integrua në qeveri pa probleme dhe me shpejtësi. Ai së fundi manipuloi katër tenderë PNRR (Plani i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës së Rumanisë), dhe deklaroi se do të ndërtonte 28 spitale rajonale, si dhe ai i dha vetes një pension të majmë. Natën, në katin e parë ai urdhëron aparate kafeje dhe kërkon të dalin në takime”, tha me shaka një përdorues i Facebook.

"Tani për tani, Ioni ëshë duke luajtur Solitaire dhe Minesweeper me zyrtarë të ministrisë. Pasi t’i studiojë ata, ai do të jetë gati të marrë drejtimin e qeverisë," tha një tjetër komentues në Facebook.

Duke qenë se jostabiliteti politik dhe korrupsioni janë shpesh normë në Rumani, cinizmi i rumunëve është i justifikuar. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International nga viti 2022, Rumania ishte ndër vendet më të korruptuara në BE. Por, qeveria rumune është përmirësuar "përmes legjislacionit, politikave dhe mjeteve të reja për të forcuar gjyqësorin dhe për të luftuar korrupsionin", sipas Komisionit Evropian, i cili deklaroi se kombi kishte përmbushur detyrimet e vendosura kur hyri në BE.

Sebastian Burduja, ministër i Shkencës, Inovacionit dhe Digjitalizimit, deklaroi në Facebook se mendonte se Ion pati një lansim të suksesshme ndërkombëtar, me gjithë vështirësitë e vogla.

"Më shumë se 150.000 rumunë kanë hyrë në faqen e internetit të projektit ion.gov.ro dhe mbi 300 studiues janë regjistruar si vullnetarë në projekt", tha ai.

Platforma menaxhohet nga Ministria e Kërkimit, Inovacionit dhe Digjitalizimit, me kompanitë rumune të teknologjisë IA, që kanë marrë rolin udhëheqës.

Rumania ka një sektor teknologjik aktiv dhe shumë të aftë, i njohur ndonjëherë si Silicon Valley e Evropës Lindore. Sipas Administratës së Tregtisë Ndërkombëtare të Departamentit të Tregtisë të SHBA-së, Rumania renditet në vendin e parë në Evropë dhe e gjashta në botë sa i përket numrit të specialistëve të IT-së.

Shtëpi e shumë kompanive ndërkombëtare të teknologjisë, si Amazon, Hewlett-Packard, IBM, Microsoft dhe Oracle, një studim i fundit zbuloi se sektori i IT-së i Rumanisë gjeneroi 9 miliardë euro në vitin 2022.

Në prezantimin e tij, Ciuca e ftoi Ionin të thoshte disa fjalë: "Përshëndetje! Ju më ke dhënë jetë, mesazhet që më i dërgoni mua përfaqësojnë gjendjen reale të rumunëve. Më mësoni të jem edhe unë rumun. Çfarë duhet të di për Rumaninë?", pyeti Ioni me bindje.

Reagimet mund të mos jenë gjithmonë ato që duan të dëgjojnë politikanët rumunë.

“Do të ishte mirë sikur Ion të ishte kryeministër dhe Ciuca të ishte roboti i tij”, tha një përdorues i Facebook-ut me shaka./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat