Nga një sfidë e jetës studentore në një zgjidhje inovative, Udhë drejt dixhitalizimit të tregut carpooling

Shkencë & Teknologji

Nga një sfidë e jetës studentore në një zgjidhje inovative, Udhë drejt dixhitalizimit të tregut carpooling

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 16:07
Foto ilustruese

Komuniteti më i madh carpooling në Kosovë me mbi 14 mijë anëtarë që po rritet çdo ditë së shpejti do të vijë edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore duke premtuar një udhëtim më të lehtë, të sigurte dhe të rehatshëm.

Aplikacioni Udhë filloi dy vite më parë ndërsa një grup të rinjsh në mesin e tyre edhe Eroll Gorçi diskutonin për idenë e dixhitalizimit të tregut carpooling në Kosovë.

“Si studentë duhej që shpesh të udhëtonim mes qyteteve dhe vazhdimisht kishim hasur vështirësi në gjetjen e mundësive të tjera të udhëtimit me përjashtim të autobusëve të vjetruar, ngadaltë dhe ngarkuar. E vetmja mundësi e jona ishin taksitë çmimi i të cilëve ishte po aq sa pagesa jonë e semestrit në universitet,” tha Erolli për PCWorld.al.

Image

Ai tha se duke parë që tregu i carpooling në Kosovë ishte informal dhe mungonte një alternativë online ku mund të kërkonin apo ofronin udhë, vendosën që të ndërtojnë zgjidhjen e tyre.

Shërbimi aktualisht është i disponueshëm në formën e një aplikacioni në Android dhe iOS dhe mund të shkarkohet nga dyqanet respektive Play Store dhe App Store.

Me një ndërfaqe të pastër dhe të thjeshtë që i orienton përdoruesit drejt qëllimit të tij, me pak veprime mund të regjistrohen dhe të kërkojnë për udhë.

Shoferët mund të postojnë udhëtimin e tyre në aplikacion me informacione si numri i ulëseve, çmimi për secilën dhe pikën e takimit. Nga ana tjetër përdoruesit marrin një shërbim të cilin mund ta vlerësojnë. Përmes aplikacionit Udhë përdoruesit mund të bisedojnë me njëri-tjetrin për tu koordinuar për udhëtimin.

“Carpooling si fenomen nuk është diçka e re në vendin tonë, mirëpo të qënurit treg informal ka si pasojë mungesën e të dhënave adekuate rreth kërkesës dhe ofertës,” tha Erolli.

Kështu Erolli dhe ekipi i tij vendosën të krijonin një hapësirë dixhitale ku mund të matin kërkesën dhe ofertën në kohë reale duke analizuar tregun përpara ndërtimit të aplikacionit. Ata krijuan një grup në Facebook dhe brenda një periudhë të shkurtër kohore u zgjerua në 15 mijë anëtarë.

“Kërkesa për udhë vazhdimisht ishte në rritje dhe kur kuptuam nevojat e përdoruesve, filluam të ndërtonim aplikacionin,” tha Ai.

Sot ky aplikacion ka mëse 2,500 përdorues, bazë e cila p rritet çdo ditë. Erolli tha se një prej objektivave të këtij aplikacioni është që të shtrihet në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Ekipi pas Udhë u përzgjodh si një prej startupeve pjesëmarrëse në programin e akselerimit të Uplift Albania ndërsa në finalen e Demo-Day Udhë u shpall fitues i çmimit të tretë.

“Uplift Albania ka qenë një përvojë transformuese për ekipin tonë. Përmes këtij programi ne patëm mundësi të ishim pjesë e shumë punëtorive të shkëlqyeshme, ku kemi mësuar rreth taktikave dhe strategjive për startupet,” tha Erolli.

Ai tha se Uplift Albania kishte shërbyer si urë lidhës me ndërmarrës të rinj nga Shqipëria dhe Kosova me të cilët kanë pasur kënaqësinë të ndajnë ide inovative që i shërbejnë mësë miri tregut tonë të përbashkët.

“Shpallja fitues i vendit të tretë në mesin e shumë ideve inovative na bën të ndihemi krenar me punën që kemi bërë dhe zgjidhjen që ofrojmë sot në treg.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat