Sigurimi shëndetësor fillon vitin e ardhshëm

Shëndetësia

Sigurimi shëndetësor fillon vitin e ardhshëm

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 20:06

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Ferid Agani, premton se ligji për sigurimet shëndetësore do të hyjë në fuqi që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Sipas tij, kontributet e qytetarëve do të fillojnë që nga 1 janari, ndërsa shfrytëzimi i sigurimeve shëndetësore do të fillojë në muajin prill të vitit 2015.

Nga 1 janari i vitit 2015, çdo qytetar i cili ka pagë mesatare prej 450 euro do të paguajë për sigurimin shëndetësor 3.5 %, që i bie 16 euro në muaj. Të njëjtën shumë do ta paguajë edhe punëdhënësi për çdo punëtor. I njëjti kontribut do të jetë edhe për bizneset e mëdha private, ndërsa bizneset e mesme dhe të vogla do të jenë të liruara nga pagesa për punëmarrësit. Ata që nuk janë të punësuar dhe ata të cilët punojnë në kompanitë e mesme dhe të vogla private, do të paguajnë nga 2 euro në muaj për secilin anëtar të familjes.
"Pensionistët, punëtorët e Trepçës, familjet e dëshmorëve dhe familjet me asistencë sociale do të jenë të liruar nga pagesa për sigurimet shëndetësore, mirëpo ata do ta marrin këtë shërbim 100%, mirëpo nuk do të jenë të gjithë pensionistët e liruar, sepse ata të cilët kanë të hyra shtesë do të paguajnë për sigurimet shëndetësore", ka thënë ministri Agani.
Të liruara nga pagesat do të jenë edhe personat me aftësi të kufizuara, studentët, ata të cilët janë nën moshën 18-vjeçare, gratë shtatzëna dhe lehonat, mirëpo pagesa e këtyre kategorive do të mbulohet nga familjarët e tyre. Për ata të cilët nuk janë me ndihmë sociale, financimi për sëmundjet e rënda do të jetë i përbashkët.
"Një shërim i cili do të kushtojë 30 mijë euro, 4 apo 5 mijë do të paguhen nga familjarët, ndërsa pjesa e tjetër do të paguhet nga fondi për sigurimet shëndetësore, shërbimet parësore do të jenë gratis, për ato dytësore do të jetë një shumë e vogël prej 5 deri në 6% që do të participojnë qytetarët, ndërsa për shërbimet tretësore kontributi nga familjarët do të jetë 20 deri në 30 %", ka nënvizuar Agani.
Ai thotë se qytetarët do të kenë të drejtë të drejtohen tek spitalet private vetëm atëherë kur shërbimet e kërkuara nuk mund t`i marrin nga institucionet publike, e kjo sipas tij, do të arrihet me marrëveshjet publiko-private. Ndërsa barnat e përshkruara nga mjeku qytetarët do të mund t`i marrin vetëm në barnatoret me të cilat do të arrihen kontratat me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Fondin për Sigurimet Shëndetësore e ka përkrahur Banka Botërore me 25.6 milionë dollarë, mirëpo kjo marrëveshje ende nuk është miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat