Pse optimistët janë më pak të prekur nga sëmundjet?

Shëndetësia

Pse optimistët janë më pak të prekur nga sëmundjet?

Më: 17 prill 2014 Në ora: 09:19

Si mund të veprojë optimizmi për t’i bërë njerëzit më pak vulnerabël dhe pesimizmi më tepër vulnerabël ndaj sëmundjeve kardiovaskulare? Mundësitë ndahen në tre kategori:

Optimistët janë veprues dhe kanë stil jete më të shëndetshme

Ata besojnë se veprimet e tyre kanë vlerë, ndërsa pesimistët bien në gjendje të pashpresë dhe pasive. Optimistët veprojnë në përputhje me këshillat e mjekut. Njerëzit me kënaqësi më të madhe jetësore (kënaqësia lidhet me optimizmin) kanë më tepër mundësi për të mbajtur dietë, të mos pinë duhan dhe të ushtrohen rregullisht, në raport me njerëzit me kënaqësi të ulët. Sipas një studimi, njerëzit më të lumtur flenë më mirë se të palumturit. Optimistët jo vetëm që nuk ndjekin këshillat mjekësore, por ata marrin masa për të shmangur ngjarjet e këqija, ndërsa pesimistët janë pasivë ndaj tyre.

Mbështetja e miqve

Sa më tepër miq dhe dashuri në jetën tuaj, aq më pak sëmundje. George Vaillant ka gjetur se njerëzit që kanë një person të cilin mund ta marrin në orën 3 të mëngjesit për t’i thënë një shqetësim, ishin më të shëndetshëm. Po ashtu, njerëzit e vetmuar ishin më pak të shëndetshëm, krahasuar me njerëzit e shoqërueshëm. Njerëzit e lumtur kanë rrjete sociale më të pasura krahasuar me të palumturit. Vetmia mund të dojë shoqëri, por shoqëria nuk e do vetminë; ndaj vetmia e pesimistëve mund të jetë rruga drejt sëmundjes.

Mekanizmat biologjike

Ka një numër të madh rrugësh biologjike, njëri prej të cilëve është sistemi imunitar. Disa psikologë amerikanë kanë bashkëpunuar në vitin 1991 dhe kanë marrë gjak nga optimistët dhe pesimistët e moshuar dhe kanë testuar pëgjigjen e tyre imunitare. Gjaku i optimistëve kishte përgjigje më të shpejtë ndaj kërcënimit – u prodhuan më tepër qeliza që luftonin infeksionin, të quajtura limfocite T, krahasuar me pesimistët.

Një tjetër mundësi është gjenetika: optimistët dhe njerëzit e lumtur mund të kenë gene mbrojtëse nga sëmundjet kardiovaskulare ose kanceri.

Një tjetër rrugë potenciale biologjike është përgjigja ndaj stresit të përsëritur. Pesimistët dorëzohen dhe kanë më tepër stres, ndërsa optimistët përballen më mirë me të. Episodet e përsëritura të stresit, veçanërisht kur dikush është i pashpresë, mobilizojnë hormonin e stresit (kortizolin) dhe përgjigje të tjera që rrisin dëmtimin e mureve të enëve të gjakut dhe shkaktojnë arteriosklerozë.

Prodhimi i shtuar i fibrinogenit, një substancë e përdorur në mpiksjen e gjakut, është një mundësi tjetër. Fibrinogeni i tepërt shpie në mpisje gjaku në sistemin e qarkullimit. Njerëzit me emocione pozitive prodhojnë më pak fibrinogjen sesa ata me emocione negative.

Ndryshueshmëria e ritmit të zemrës është një kandidate tjetër për mbrojtjen ndaj sëmundjeve kardiovaskulare. HRV është termi i shkurtër i përdorur për intervalet e rrahjeve. Të dhënat sugjerojnë se njerëzit me HRV të lartë janë më të shëndetshëm, kanë më pak sëmundje kardiovaskulare, më pak depresion dhe aftësi më të mira mendore.

Mekanizmat e mësipërm nuk janë testuar ende. Ato mbeten thjesht hipoteza të arsyeshme por secila mund të jetë ose kontribuese, ose frenuese e vulnerabilitetit nga sëmundjet kardiovaskulare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat