​Parandalimi i kancerit të gjirit, Spitali Amerikan me këshilla dhe pako për qytetarët

Shëndetësia

​Parandalimi i kancerit të gjirit, Spitali Amerikan me këshilla dhe pako për qytetarët

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 11:39
Foto ilustrim

Në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, stafi i Spitalit Amerikan do të qëndrojë gjatë tërë ditës në sheshin e kryeqytetit, ku do të ofrohen këshilla për qytetarët. Po ashtu, do të prezantohet edhe pako gjinekologjike, e cila do të jetë e vlefshme deri në fund të këtij muaji. Në muajin tetor, të njohur ndryshe si “muaji rozë”, pulmologia dhe onkologia, Mejreme Krasniqi Maloku thotë për KosovaPress se qëllimi i vetëdijesimit është që të gjithë pacientët të paraqiten para simptomave të para. Mesazhi i saj për qytetarët është për vetë kontrolle, ndryshimit të stilit të jetës dhe shtim të aktivitetit fizik.

Ajo thekson se ka interesim të lartë të qytetarëve që të ekzaminojnë se çfarë ndodhë në brendësinë e organizimit të tyre.

Krasniqi-Maloku: Spitali Amerikan çdo vit ka pako për ekzaminimet bazike

“Muaji tetor dhe për Spitalin Amerikan është muaji i shtimit të ndërgjegjësimit të popullatës për sëmundjen e kancerit të gjirit. Spitali Amerikan çdo vit organizon një pako, në të cilën përfshihen ekzaminimet bazike për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, atëherë kur kanceri i gjirit ende nuk ka simptoma. Një ultrazë për femrat e moshës nën 40-vjeçare dhe mamografi për femrat mbi moshën 40-vjeçare. Po ashtu në këtë pako janë të përfshira disa analiza bazike, si dhe ekzaminime me atë të së cilave bëhet diagnostikimi i hershëm i karcenomës së qafës së mitrës, e cila po ashtu në onkologji paraqet një problem në vete për gjininë femërore”, thotë ajo.

Përveç këtyre ekzaminimeve, secili pacient ka mundësi që të takohet me mjekun specialist ku bëhet analizimi i analizave të realizuara.

Krasniqi-Maloku: Në gjithë botën ka shtim të numrit të rasteve me kancer të gjirit

“Në gjithë botën ka shtim të numrit të rasteve, po ashtu edhe në Kosovë. Numri i rasteve me kancer shtohet në gjithë botën dhe kjo nga njëra anë si pasojë e ndryshimit të stilit të jetës dhe nga ana tjetër si pasojë e diagnostikimit të hershëm. Jo pse edhe më parë nuk kemi pasur numër të madh të këtyre pacientëve, mirëpo në vendet me zhvillim të ulët dhe zhvillim të mesëm ka çaluar në diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje. Dhe kjo direkt ka ndikuar në uljen e jetëgjatësisë dhe rritjen e vdekshmërisë të këtyre pacientëve të diagnostikuar me sëmundjen e kancerit të gjirit”, shton Krasniqi Maloku.

Tutje, Krasniqi Maloku shton se sëmundja e kancerit të gjirit ndryshon nga personi në person, për çka bën thirrje që të mposhtet frika.

Krasniqi-Maloku: Në momentin e diagnostikimit të kësaj sëmundje të bëhemi të guximshëm

“E njëjtë është vetëm frika nga kanceri i gjirit. Kur kemi parasysh që ne jetojmë në një kulturë të tillë popullore, në të cilën kjo frikë përjetësohet, kjo frikë rritet dhe kjo i bën që shumicën nga njerëzit të kenë frikë të shkojnë dhe të diagnostikohen dhe ekzaminohen, edhe në qoftë se kanë simptomat e para. Ndërsa, qëllimi i vetëdijesimit është që të gjithë pacientët dhe të gjitha femrat dhe meshkujt të cilët kanë problem, të paraqiten para se të kenë probleme të tilla, para se të paraqiten simptomat e para. Sepse vetëm atëherë kur sëmundja është pa simptome, suksesi i trajtimit është shumë i lartë dhe mbijetesa është shumë e lartë. Prandaj mendoj që është mirë që në vend të kësaj frike, frikën ta zëvendësojmë me kuriozitetin tonë për të gjetur se çfarë ka në brendësinë e trupit tonë, me shtimin e kujdesit tonë që të vet kontrollohemi dhe të bëjmë kontrolle të rregullta, së paku një herë në vit tek mjeku, pastaj ekzaminime që parashihen për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundje, ultrazëri apo mamografia. Dhe të shtojmë angazhimin tonë që në momentin e diagnostikimit të kësaj sëmundje të bëhemi të guximshëm dhe të veprojmë me kohë”, shprehet pulmulogia.

Pulmologia dhe onkologia nga Spitali Amerikan këshillon gratë për vetë kontrolle dhe ndryshim të stilit të jetës.

Krasniqi-Maloku: Të angazhohemi në vet kontrolle dhe kontrolle te mjeku

“Mesazhi im për muajin tetor është që secili nga ne përpos të angazhohemi në vet kontrolle dhe kontrolle tek mjeku, të bëjmë të pamundurën për ndryshim të stilit të jetës, shtimit të aktivitetit fizik dhe dietë të shëndetshme, sepse dihet që edhe këta janë faktor të rrezikut për paraqitjen e kancerit të gjirit. Po ashtu në rastet e diagnostikuara me kancer të gjirit dhe të trajtuara një herë, janë faktor të rrezikut të rikthimit të sëmundjes. Dhe gjithsesi duhet të bëjmë çka është e mundur nga vetvetja që këtë sëmundje ta mbajmë nën kontroll”, përfundon ajo.

Me thirrjen “Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë”, përfaqësues nga Spitali Amerikan do të qëndrojë deri në orën 16:00 në sheshin e Prishtinës, për të ofruar këshilla për qytetarët dhe për të prezantuar pakon për muajin tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat