Nisin provat klinike për vaksinën kundër kancerit të gjirit

Shëndetësia

Nisin provat klinike për vaksinën kundër kancerit të gjirit

Më: 30 tetor 2021 Në ora: 12:25
Foto ilustrim

Një vaksinë kundër formës më agresive dhe vdekjeprurëse të kancerit të gjirit është një hap më afër realitetit.

Klinika Cleveland njoftoi se do të nisë të testojë për herë të parë vaksinën te njerëzit, e cila është krijuar për të parandaluar kancerin e gjirit trefish negativ, një formë e kancerit që nuk i përgjigjet terapive hormonale ose ilaçeve dhe mund të parandalohet vetëm me mastektomi (termi mjekësor për heqjen kirurgjikale të njërit ose të dy gjinjve, pjesërisht ose plotësisht).

Deri më tani, zhvillimet për vaksinat kundër kësaj forme të kancerit kanë qenë të kufizuara në laborator dhe te kafshët. Testimi te njerëzit mund të fillojë tani që Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi fazën e re të hetimit.

“Në planin afatgjatë, ne shpresojmë se kjo mund të jetë një vaksinë e vërtetë parandaluese që do t'u jepet grave të shëndetshme për të parandaluar që ato të zhvillojnë kancerin e gjirit trefish negativ, forma e kancerit të gjirit për të cilin kemi trajtimet më pak efektive,” tha në një deklaratë për shtyp Dr. G. Thomas Budd nga Instituti i Kancerit Taussig në Klinikën Cleveland.

Studiuesit do të fillojnë me doza të ulëta në vetëm disa pacientë dhe do t'i monitorojnë nga afër përpara se të rrisin dozën dhe të përfshijnë më shumë pjesëmarrës.

“Pasi të kemi kuptuar sa vaksina mund të bëjmë, do të shohim efektet në sistemin imunitar”, tha Budd. “Kjo do të na ndihmojë të dimë nëse vaksina po bën atë që duam të bëjë dhe më pas do të shtojmë dozat.”

Studimi vlerësohet të përfundojë në shtator të vitit 2022 dhe financohet nga Departamenti i Mbrojtjes në SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat