Genet dhe pikëpamjet politike

Kërko punë

Genet dhe pikëpamjet politike

Më: 14 tetor 2012 Në ora: 13:38

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara mbahen debatet e kandidatëve për president të dy partive politike, një studim i ri sugjeron se genet mund të luajnë rol në pikëpamjet politike të njerëzve. Studjuesit thonë se ndikimi gjenetik duket se është tepër i lidhur tek problemet sociale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Berman sjell hollësitë:
Për vite me radhë, shkencëtarët kanë menduar se pikëpamjet politike të njerëzve përcaktohen nga mjedisi ku ata banojnë, si psh nga ato që mendojnë prindërit dhe miqtë e tyre, si dhe nga komuniteti ku ata banojnë.

Por një studim i ri thotë se faktorët mjedisorë nuk janë përcaktuesit e vetëm dhe se genet ndikojnë në masën rreth 50 për qind tek pikëpamjet politike të njerëzve.
Rose McDermott, profesore e shkencave politike në Universitetin Brown në Rhode Island, është bashkautore e studimit të kohëve të fundit. Ajo thotë se faktorët socialë, si familja dhe miqtë, mund të përcaktojnë drejtimin e pikëpamjeve politike të njerëzve, por se biologjia duket se ndikon tek pikëpamjet e tyre në përgjithësi.

“Që nga pikëpamjet themelore liberale e deri tek prirjet konservatore duket se marrin informacione nga këta faktorë gjenetikë.”

Studimi u bazua tek analizimi i të dhënave nga dhjetra studime mbi binjakët në Shtetet e Bashkuara dhe në Australi. Binjakët identikë kanë të njëjtën ADN dhe McDermott thotë se në 60 për qind të rasteve ata mund të kenë mendime të ngjashme politike, gjë që le të kuptohet për rolin e fortë të geneve në pikëpamjet politike. Binjakët jo-identikë, të ndryshëm gjenetikisht, ka më tepër mundësi të kenë pikpamje të ndryshme politike, gjë që tregon se mjedisi luan një rol më të fortë në preferencat e tyre politike.

Ngaqë këto studime janë ende në fazat e para, ekspertët kanë identikuar vetëm një numër të vogël genesh që mund të ndikojnë tek sjellja, si psh pjesëmarrja në zgjedhje dhe dhuna politike. Por sipas profesores McDermont, pikëpamjet politike të trashëguara duket se ndikojnë më tepër në krijimin e opinioneve mbi çështje sociale.

“Ne na u desh të kujdesemi për fëmijët për shumë, shumë breza me radhë. Prandaj, në një kontekst të ditëve tona, kjo mund të ndikojë, si psh në qëndrimet kundrejt abortit, tek mendimi për martesën mes homoseksualëve dhe çështje të tjera të kësaj natyre.”

Profesorja McDermott dhe kolegët e saj shpresojnë që zbulimet e tyre mund të çojnë në depërtime më të thella lidhur me ideologjinë politike dhe ndikimin e saj tek politikat publike.

Një artikull lidhur me ndikimet tek pikëpamjet politike është botuar tek revista shkencore “Trends in Genetics”, Prirjet në Gjenetikë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat