Lushnja..., çfarë u ofron vizitorëve?

Reportazhe

Lushnja..., çfarë u ofron vizitorëve?

Nga: Dr. NIKO FERRO / ANDREA LIKO Më: 8 mars 2016 Në ora: 13:44

Lushnja e sotme, e vjetër dhe e re, zotëron pasuri të shumta kulturore, historike, etnografike madje dhe arkeologjike... Të mbledhura së bashku, për turistin vendas dhe të huaj ato ofrojnë një “prekje” të butë e të ëmbël të kulturës sonë...Janë ftesë për të ardhur, kërkesë për të qëndruar dhe arsye për t’u rikthyer. Për shembull, grupe të tëra vizitorësh shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo diasporës, madje edhe turistë të huaj janë të regjistruar si bujtës të disahershëm në Shtëpinë ku më 1920 u mblodh Kongresi Kombëtar i Lushnjës. Sepse ajo është e vetmja “kala” e kulmeve historike të Shqipërisë që është ruajtur në parametrat e 100 viteve më parë. E vetmja, absolutisht..Pastaj, kënga aq e njohur “Hajt’ t’dalim nga Myzeqeja...” më së shumti shpreh këtë të vërtetë : dëshirën e hershme të “të huajve” për vizituar këtë zonë vleraplot.

Sot askush nuk dyshon që qendra e Lushnjës me sheshin e qytetarëve, shëtitoren moderne, lulishten, pedonalet, ansamblet e godinave historike e kulturore, etj., është një mjedis i rrallë kreativ e relaksues...Ata, të cilët prej një viti mungojnë në Lushnjë, me siguri mbeten të befasuar.

...Por ne po e nisim me pasuritë e lashtësisë.

Treva e Lushnjës ka qytezën e hershme të Babunjës (Arnisa), e cila daton që në shek VI p.e.s. Dy vite më parë këtu punoi për gati dy muaj një ekip i specializuar arkeologësh të huaj, të udhëhequr nga profesorë gjermanë... Jo shumë larg saj, ngrihet i mirënjohuri, Manastiri mesjetar i Ardenicës, ku thuhet (këtë tezë e mbrojnë edhe murgjit e Manastirit) se ka vënë kurorë i madhi Skënderbe. Këtu kultura dhe antikiteti ndërthuren në të gjithë strukturën e ndërtesave, duke e kthyer atë në një ansambël të vërtet mbresëlënës. Po nuk janë vetëm këto. Pranë qytetit tonë ruhen dy ura të vjetra karakteristike për nga ndërtimi, ura të datuara në shek. XII-XV. Edhe më : për fat, pranë autostradës Lushnjë-Fier ngrihen Kishat mesjetare të Krutjes, Bishqethmit, Kadipashajt, Toshkëzit, madje jo shumë larg kësaj autostrade ndodhen kishat e famshme të Karavastasë. Të parë në këndvështrimin e afrueshmërisë, objektet janë lehtësisht të vizitueshëm.

Nëse do të flisnin për ndërtimin e këtyre kishave, do të veçonim se, veç hershmërisë, ato ruajnë diçka të bukur tepër origjinale, pra diçka të veçantë nga kishat e tjera të Shqipërisë. Për shembull, ato dallohen për hajatet e mëdhenj strehues, të cilët, veç të tjerave, mbyllin brenda tyre kambanoren e kishës, një stil që tashmë identifikohet si “të tipit myzeqare”.

Ju ofrojmë muzetë.

Lushnja në qytet ka tre muze, atë Historik, brenda të cilit është edhe Galeria e Arteve, Shtëpinë Kongresi i Lushnjës, Muzeun e Sportit – besojmë nga të rrallët në Shqipëri - si dhe 2 dhoma – muze : për Kongresin Kombëtar Arsimor të vitit 1920 dhe të Dëshmorëve. Sakaq në qytet ka edhe një monument të realizmit socialist - vepër e skulptorit të njohur Perikli Çuli - mjaft i kërkuar nga turistët amerikan, çek dhe gjerman...Por edhe shqiponjën – obelisk kushtuar Kongresit Kombëtar të Lushnjës, të janarit 1920, si dhe memorialin që dëshmon Aktin e ngritjes së Flamurit dhe Shpalljen e Pavarësisë më 27 nëntor 1912...Ne ndjehemi mirë kur dhjetëra të rinj sidomos, lushnjarë e të ardhur, fotot që përhapin në adresat që duan i bëjnë gjithmonë pranë këtyre objekteve.

Ndalemi tek turizmi natyror.

Treva e Lushnjës ofron shumë mundësi relaksi dhe zbavitjeje për dashamirë të ecjeve në natyrë, janë trajektoret përreth kodrave mjaft piktoreske të Darsisë dhe të Karatoprakut, ku janë zhvilluar beteja të njohura që në kohën e romakëve, por edhe më vonë. Veçojmë betejën midis Jul Çezarit dhe Pompeut apo betejën e Savrës, të vitit 1387... Për më tepër, kjo trevë ofron mundësinë për të zhvilluar edhe sportet ujore. Mendojmë se zona ku mund të tërhiqet turizmi vendas apo i huaj janë rezervuarët e Kasharajt, Thanës, Kryekuqit etj., të cilët përveç gjelbërimit, afrojnë dhe çlodhje. Pse jo edhe udhëtime të organizuara me varka.

Madje, për ecje natyrore mund të pëlqehet dhe kodra e Stan Karbunarës ku ruhen themelet e një kalaje të hershme. Një ëndërrimtar i guximshëm ndoshta mund të mendojë aty një teleferik i cili mund ti jap pushuesit mundësinë “të prek” me shikim të gjithë fushën e Myzeqesë, si dhe të freskohet me burimin e Mollasit, pika më e lartë këtu, 299 m mbi nivelin e detit.

Por edhe kodra mister e Vainit mbi Lushnjë. mund të përdoret për turizëm. Fjala vjen, shumë pak e dinë që këtë kodër ruhen dëshmitë e një Bazilike 1500 - vjeçare.

Të kalojmë tek Divjaka një qytet i ri dhe një bashki më vete, gjithësesi brenda kontureve të hershme të Lushnjës. Bukuria e natyrës flet vetë. Pishat, mbi 10 km bregdet, vlerat kurative të ansamblit harmonik pyll- rërë – det -, ecjet në natyrë etj., e bëjnë atë më të kërkuarën dhe më të bukurën, dhuratë e zotit që e meriton vlerësimin perl të natyrës. Këtu mund të ofrohen garat e hipizmit, lundrimit pse jo edhe të eksplorimit të pyllit të saj. Mjaft e kërkuar nga turistët e huaj. Jo shumë larg nga Divjaka ndodhet laguna e Karavastasë, tashmë e mbrojtur. Moratoriumi për gjuetinë e ka gjallëruar tërë zonën me prurje të mëdha shpendësh, mbi të cilat qëndron “zoti mbret”, pelikani kaçurrel, i vetmi në llojin e vet në gjithë Mesdheun...Eshtë një hapësirë e tërë, pra, e cila ofron të gjitha mundësitë për zgjerim të dijeve dhe relaks...

Eshtë afër mendjes që në këto hapësira mund të njihesh e të shijosh edhe gatimet tipike të zonës, - gjithmonë të bollshme, të shumëllojshme e të freskëta, - fal restoranteve të vendosura buzë rrugës.Të tilla ka brenda në qytete, ka buzë detit, brenda në pyllin e Divjakës e mbi kodrën e pishave në Ardenicë, i sheh përgjatë autostradës, por mund t’i kërkosh edhe në Ballagat e Kryekuq, kudo në këtë trevë. Dhe një garanci e kumtojmë “duke vënë duart në zjarr” : kudo gjen mikëpritje, mikëpritje, mikëpritje; kudo ke bollëk, bollëk, bollëk; kudo prek shije, shije, shije, kudo, kudo, kudo ndihesh si në shtëpinë tënde...

Me pak fjalë, Lushnja i ka të gjitha mundësitë reale për zhvillimin e turizmit. Mjafton që ajo të ketë edhe pak më shumë vëmendjen e posaçme të Qeverisë...
Pelikani Kaçurrel, i vetmi në llojin e vet në të gjithë Mesdheun
Manastiri i Ardenicës
Këtu, 96 vjet më parë u mblodh Kongresi Kombëtar i Lushnjës
Kisha e Karavastasë e restauruar

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat