Arsyet pse duhet të vizitoni parkun e Viroit (Video)

Reportazhe

Arsyet pse duhet të vizitoni parkun e Viroit (Video)

Më: 7 shtator 2015 Në ora: 18:53

Një nga zonat më të frekuentuara në Gjirokastër është parku i Viroit. Falë një investimi të Qeverisë shqiptare dhe të Bashkisë, i është tjetërsuar pamja zonës turistike. Tashmë si pjesë e guidave turistike ky Monument Natyre po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga turistë vendas e të huaj.
Parku i Viroi është një nga zonat më të bukura në Gjirokastër që shërben si një ambient çlodhës për banorët.
Me një fond prej rreth 50.4 milion lekë, dhënë nga buxheti i shtetit dhe bashkia Gjirokastër, infrastruktura e përmirësuar së fundmi e ka kthyer liqenin artificial dhe Mëmën e Viroit, si një prej burimeve më të mëdha karakteristike në jug të vendit, në një destinacion mjaft të preferuar, me mjedise argëtuese për të gjitha moshat.
Parku i Viroit që ndodhet vetëm 3 km nga Gjirokastra, kryesisht gjatë pasditeve është mjaft i populluar. Qytetarët pohojnë se kjo hapësirë është një mundësi e mirë për të kaluar disa orë larg monotonisë së përditshme.
Mundësia e ecjes në këmbë apo me biçikletë anës së liqenit, por edhe shijimi i peisazhit shumëngjyrësh po tërheq gjithnjë e më tepër turistët e huaj në këtë zonë e cila është bërë pjesë e guidave turistike.
Të apasionuarit pas zhytjes kanë mundësi të eksplorojnë një burim në të cilin po kryhen studime mbi lidhjen që mendohet se ka me 4 burime të tjera, Syri i Kaltër, Skotini, liqenin e Kallpaqit dhe Janinës.
Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veri-perëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë tej mase joshës këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbaje me krenari.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat