Kongresi i Shqiptarizmit

Reportazhe

Kongresi i Shqiptarizmit

Nga: RQ Më: 20 janar 2014 Në ora: 11:07

84 vjet më parë, përfaqësuesit e shqiptarizmës e ndjenë të nevojshme t’i dilnin zot vatanit ngelur në duart e të huajve, edhe pse 'de juro' ky vend kishte “fituar” pavarësinë, brenda kufijve të cunguar, vendosur më 1913 nga Fuqitë e Mëdha në Londër.

Se sa afër shpërbërjes e tragjedisë kemi qenë në fundin e Luftës së Parë Botërore mjafton të kujtojmë thënien e një komandanti të trupave italiane në Vlorë kur thoshte:

''Vepra e ushtrisë italiane në Shqipëri është e çmuar dhe populli i vogël e shpreh mirënjohjen e vet me këto fjalë: 'Ne i lutemi Zotit ditë e natë që italianët mos të ikin prej Shqipërisë”. 'Ushtrija jonë në 4 vjet ka zgjuar prej gjumit një popull të vdekur prej 5 shekujsh''.

Kjo ishte gjendja e këtij vendi gjatë periudhës 1913-1920. Pikërisht në këtë periudhë të viteve '20, Shqipërisë për fatin e saj nuk i munguan burrat si Konica(Mehmet) e shumë të tjerë, që në Konferencën e Paqes në Paris paraqitën platformën shqiptare.

Për t’iu dhënë forcë këtyre kërkesave, delegacioni shqiptar iu drejtua edhe shtetit amerikan. Pikërisht në pragun e kongresit të Lushnjes përpjekjet e burrave shqiptarë u drejtuan edhe në 'frontin' verior, për të mos lejuar, jo vetëm aneksime në veri të vendit, por as për të lejuar ndërtimin e një hekurudhe gjatë Drinit, duke kaluar në toka shqiptare me destinacion portin apo limanin e Shëngjinit.

Mosmarrja në konsideratë nga Fuqitë e Mëdha e këtyre përpjekjeve legjitime, krijuan kushtet që përfaqësues nga të gjitha krahinat të mblidheshin në fund të janarit në Lushnje, duke i dhënë jetë atij që quhet “Kongresi i Lushnjes”.

Është për t’u nënvizuar fakti se jo vetëm që vendi ishte nën protektoratin e të huajve, nga veriu në jug, por edhe një fakt domethënës që qeveria provizore e Durrësit kërkoi ndalimin e këtij kongresi të shqiptarëve, duke dërguar edhe 2 kompani milicësh në drejtim të Lushnjes nën mbrojtje të autoriteteve italiane(e jo të shqiptarëve).

Kongresi i Lushnjes pati si program po ato që paraqiti në Konferencën e Paqes e nuk iu morën parasysh; ai zgjodhi edhe qeverinë, siç dihet me kryeministër Sulejman Bej Delvinën dhe ministër të Jashtëm Mehmet Bej Konicën.

Për t’u shënuar qenë rezultatet e këtij kongresi: nga njëra anë rezultatet pozitive të 'zbrazjes' së territorit shqiptar nga të huajt dhe nga ana tjetër reagimi antishqiptar i “Lëvizjes sadiste”, udhëhequr nga Osman Bali e Halit Lleshi në bashkëpunim me pushtuesit.

Kjo për të mbajtur pozitat në Shqipërinë e Mesme të lakmuara nga Esad Pasha e të premtuara nga të huajt, kryesish nga Serbia, gjë që ndikuan edhe në rënien e kësaj qeverie sa shqiptare aq edhe të brishtë.

Këto 5 rreshta nuk mendova t’i shkruaj për të treguar një pjesëz të historisë që është vendimtare për ta kujtuar për një popull që kërkon të ardhme, por mbi të gjitha për t’i lënë brezit të ri ta bëjë vetë paralelizmin midis asaj të shkuare e këtyre 22 viteve në të gjitha pikëpamjet; jo vetëm ekonomike e sociale apo gjeografike e politike, që ndryshojnë shumë pak, por mbi të gjitha për atë që e ka karakterizuar këtë popull e burrat shqiptarë: Shqiptarizmi e përgjegjshmëria, aq të munguara në këto vite të vështira për Shqipërinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat