Pesha ndër kohëra e njeriut të mirë, Sul Lushaj - Bota Sot
Pesha ndër kohëra e njeriut të mirë, Sul Lushaj

Reportazhe

E shtunë, 22 shtator 2018

Pesha ndër kohëra e njeriut të mirë, Sul Lushaj

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 17 dhjetor 2016 Në ora: 23:43
Sul Lushaj me Princin Leka

1.Njeriu shekullor, shqiptaro-australiani Sul Lushaj, ka historinë e tij të veçantë të përshkruar me artin e fjalës e faktet e kohës në 224 faqe të monografisë “Hyjnorja Australi”-botim i Akademisë Monarkiste Shqiptare në Tiranë, në 100–Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Jeta e veprimtaria e tij aktive kombëtare, si monarkist e legalist i përjetshëm, pasqyrohet në gjithato portrete, intervista e shkrime të tij, si në radion “Zëri i Shqiptarëve të Lirë” në Melburn të Australisë, në gazetat “Atdheu” – botim i OKLL në Amerikë, në “Atdheu”, “Dardania” e “Republika” në Shqipëri, në “Bota Sot” në Zvicer-Kosovë-Amerikë, etj. Për ma tepër, emri i tij figuron për disa dekada në çdo numër të gazetës “Atdheu” (botimi në Amerikë) si një nga bashkëpunëtorët e saj në Australi. Ai, prej vitit 2005, është antar i Akademisë Monarkiste Shqiptare në Tiranë. Ai është recensent apo konsulent në disa botime librash si ai me kujtime “Mbreti Zog ashtu siç e kam njohur” i Hugh Grant - ish ambasador i SHBA në Shqipëri, etj.

Sul Lushaj në ma të bukuren moshë, 27 vjeçar, pas persekutimit rreth katër vjeçar nga rregjimi komunist me burgosje për gjashtë muaj në burgun-ahur në Tropojë të Vjetër, internimit në kampe përqëndrimi në Tepelenë, Vlorë e Tiranë, në vitin 1953, përmes breshnive të plumbave e theu kufinin në Gjoricë të Peshkopisë e kaloi në Dibër të Madhe në Maqedoninë nën Jugosllavinë Federaliste. Historia përseritet, në gene e me vepra. Edhe baba i tij, Muzli Shaban Lushaj, me familje – vet i gjashti, kreu një arratisje të pastër politike nga Shqipëria komuniste, e kishte thye kufinin me luftë të rreptë e pa gjakderdhje në Qafë Gllavë të Shipshanit, afër Koshares legjendare në Kosovë, pikërisht më 4 prill 1949, kur në Uashington të Amerikës u themelue NATO. Shteti jugosllav e keqtrajtoi politikisht e fizikisht të riun Sul Lushaj, e dergon përkohor në kampin e Klaçovës në Maqedoni, e mbasandejna, për gjashtë muaj në burgun famëkeq të Gerovës në Kroaci, nuk iu mundësue bashkimi me familjen e tij në Podujevë të Kosovës deri nga fill vitin 1954. Atij, pas një viti, më 1955, i trokiti fati në udhën e emigracionit politik. Një komision amerikan e qiti në Itali, në kampin “De Capo di Santo Mario” me 200 refugjatë në pritje për të kapërcye Atlantikun, drejt Amerikës. Po, Sul Lushaj, më 18 prill 1957 u nis drejt Australisë së largët, e kapërceu Oqeanin Paqësor, i filloi jetësimi i “Andrrës Australiane”, ku i kaloi dinjitar mbi dy të tretat e jetës së tij, si një qytetar elitar shqiptaro-australian.

Me ardhjen e Demokracisë së re euro-atlantike në Shqipëri, Sul Lushaj ka disa vite jete që është rikthye përgjithmonë në Atdheun e tij, ndërkohë që me mijëra shqiptarë ikin nga atdheu ynë për në shtete e kontinente të tjera. Mbretëri e legalisti i njohur, Sul Lushaj, i ardhur për të përshendet si kryetar i Partisë së Legalitetit të Australisë në Kongresin e XII të kësaj partie në Shqipëri (i dyti në Atdhe, pas atij të Zall-Herrit) deklaronte në gazetën “Dardania” (nr. 18, tetor 1993) se “po të mos vija do të vdisja me sy hapur drejt Shqipërisë”.

2.Sul Lushaj u lind në një kullë alpine trekatëshe në Gegaj të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës më 15 qershor 1926, mbi një vit pasi ish kryeministri Ahmet Zogu u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë.

Ai, si rrallë kush në kohën e sotme, jetoi e kontribuon në tre breza të Dinastisë Zogu - të Monarkisë Shqiptare: me Mbretin Zog I, me Mbretin Leka I dhe, tashti, me Princin Leka II Zogu. Ka mbi 60 vite jetë, nga Kosova, Italia, Australia e, tani, në Shqipëri, që siç e thekson në një intervistë të vitit 2002 “Me Mbretin na kanë lidh idealet dhe jeta për të mos u ndarë as nga vdekja”.

Sul Lushaj është ndër veprimtarët e shquar të Monarkisë e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”. Ai, prej vitit 1984 deri më 1993 ishte antar i KQ të Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” dhe, prej vitit 1993 deri më 2009, antar i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”. Ai, prej vitit 1984 deri më 2010, ishte kryetar i degës së Partisë së Legalitetit” në Australi.

Atdhetari mbretnor e legalist Sul Lushaj pati fatin historik të ishte i ftuar nderi në Dasmën Mbretnore Kombëtare të Madhnisë së Tij, Leka I – Mbret i Shqiptarëve dhe në tetor 2016 në Dasmën Mbretnore Kombëtare të Naltësisë së Tij, Princi Leka II Zogu. Ai, më 8 tetor 1995 erdhi nga Australia në Tiranën metropolitane për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Lindjes së Mbretit Zog I – Mbreti i Shqiptarëve.

Sul Lushaj u njoh për herë të parë nga afër me Mbretin Leka I Zogu në pranverën e vitit 1969 në Australi kur Madhnia e Tij kreu atje  një vizitë historike, pati një pritje madhështore nga komuniteti shqiptaro-australian i atyhit dhe nga personalitete zyrtare të shtetit mik Australian. Sula, asokohe, në atë vizitë, ishte mikpritës e shoqërues i Mbretit Leka. Australia, ku jetoi mbretnori e legalisti Sul Lushaj, njëherash është dhe vendlindja e Mbretëreshës së Shqiptarëve Susan Alan Robert Cullen –Ward, që e njohu e nderoi gjithë jetën për dashurinë e kontributet e Saj për Shqipërinë Etnike.

Ai, ende edhe sot, ndonëse 91 vjeçar, merr pjesë në veprimtari të Oborrit Mbretëror Shqiptar dhe të Partisë së Legalitetit. Mbreti Leka I pohonte në Johanesburg të Afrikës së Jugut (mars 1994): “Ai është mbretëror besnik, po dhe Unë e kam mik të Familjes Mbretnore”.(Monografia “Hyjnorja Australi”, fq. 5). Abedin Mulosmanaj, ministër i Oborrit Shqiptar në Mërgim, në prill 1996 deklaronte: “Te burra si Sul Lushaj peshon në gjithçka. Burra të tillë është kënaqësi ti takosh shpesh” (Vepra “Hyjnorja Australi”, fq. 32).

3.Në këto ditë dhjetori 2016, në Oborrin Mbretëror Shqiptar në Tiranë, me një ceremoni protokollare mbretnore, Princi Leka II i Shqiptarëve, e dekoroi mbretnorin e legalistin Sul Lushaj me medaljen “Royal Wedding”, të shoqëruar dhe me një “Letër Mirënjohjeje”. Ky ishte një vlerësim e nderim i lartë ndaj tij, për kontributet e tij. Princi Leka II theksoi se “Jam i nderuar të falenderoj z. Sul Lushaj  për shërbimin e tij patriotik kundrejt Kombit Shqiptar dhe Familjes Mbretërore Shqiptare…Në nderim të të gjithë burrave e grave të Diasporës, të cilët nuk reshtën kurrë së shpresuari për lirinë e Shqiptarëve”. Vet, Sul Lushaj, shprehet se “ishte kënaqësi e veçantë që kjo dekoratë m’u dha nga Trashëgimtari i Kurorës Mbretërore Shqiptare, nga pasardhësi trashëgimtar i Mbretit Leka e Mbretëreshës Susan, nga Naltësia e Tij, Princi Leka i Dytë Zogu i Shqiptarëve”.

Realisht, Sul Lushaj, gjatë gjithë jetës së tij në mërgimin shumdekador, ka parë tek Mbreti Zog I dhe tek Mbreti Leka I, tek Familja Mbretërore Shqiptare, dritën e pashuar dhe shpresën e gjallë për Shqipërinë Etnike, Demokratike e Mbretnore, për rikthimin e tij në Atdhe, në Shqipëri e në Kosovë, në Tropojë, në Tiranë - kryeqëndren e shqiptarëve të botës. Ai, mbretnori e legalisti Sul Lushaj, i nderuar, ma herët, me Çmimin “Konstandini i Madh” nga Akademia Monarkiste Shqiptare dhe, tani, dhjetor 2016,  me Medaljen “Royal Wedding”,  në intervista të tij në gazetat “Dardania” e “Atdheu” deklaronte atdhetarisht e shpirtnisht: “Ndonëse jemi larg në Australi, Shqipërinë e kemi në zemër” dhe “Për Flamur, Mbret e Atdhe japim jetën si me lè”. Kryetari i Senatit të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, ing. Skënder Zogu në Paris të Francës, thotë shpesh për mikun e tij të kahershëm se “burra të mirë si Sul Lushaj i bajnë nder Kombit Shqiptar”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test