Mësohen kandidatët për kryetar të Prizrenit

Prizreni

Mësohen kandidatët për kryetar të Prizrenit

Më: 27 mars 2017 Në ora: 23:20
Prizreni

Derisa zgjedhjet lokale në nivel të vendit do të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti, partitë politikë tashmë kanë nisur që të përcaktohen për kandidatët e mundshëm për kryetar të komunave.

Pas Prishtinës, Prizreni është njëra ndër komunat që zgjon më së shumti interesim.

Nijaziu Kryeziu sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se debati për kandidatura ende nuk është në fazën e përcaktimit kur bëhet fjalë për emra të përveçëm.

Kryeziu nuk e përjashton mundësinë për një rikandidim të mundshëm të kryetarit Ramadan Muja.

“Është biseduar në forumet e partisë, dhe natyrisht jemi në fazën e analizës për këtë gjë. Çdo anëtar i PDK-së mund të propozohet dhe të propozojë pa kufizimie”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, PDK me partnerët qeverisës janë vullneti dëshira dhe koncepti i kërkesave të qytetarëve për të vazhduar mëtutje zhvillimin dhe ecjen tutje të Prizrenit.
Nga ana tjetër Haxhi Avdyli, kryetari i degës së LDK-së në Prizren, thotë se partia e tij janë në fazën e diskutimit dhe më së largu deri në muajin prill edhe do të zyrtarizojnë kandidatin për të parin e komunës.

Për LDK-në në Prizren kandidat të mundshëm pritet të jenë Hatim Baxhaku ose Haxhi Avdyli.

“Jemi në fazën e diskutimit se kush do të jetë kandidat. Ne në Prizren e kemi një traditë që kryetari i degës zakonisht kandidon por ne jemi duke e shiku nëse kandidat do të jem unë apo Hatim Baxhaku . Nuk ka kurrëfarë diskutimi dhe pretendimi njëherë, jemi duke e bisedu me nëndegë dhe me aktivistët për t’i marrë edhe mendimet e tyre. Brenda muajit prill do të dalim me kandidaturën të cilën përmes dikutimeve tona do të zgjedhim se cili e ka mundësinë apo përkrahjen në mënyrë që ne mos ta humbasim këtë shansë”, ka thënë Avdyli..

Për dallim nga partitë e lartëpërmendura Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është treguar më e vendosur dhe më e shpejtë kur bëhet fjalë për kandidatin.

Kjo parti ka zgjedhur Lulëzim Kabashin të kandidojë për kryetar të Prizrenit.

“Po kandidatura ime është vendosur tash e 6 muaj, unë do të jem kandidat për kryetar të Prizrenit. Nëse s’kishim me qenë optimist për fitore atëherë s’do të kandidonim hiç”, ka thënë Kabashi.

Kurse, partia e Fatmir Limajt këtë ‘garë’ ia ka besuar deputetit Zafir Berisha.
Ky i fundit me Bashkimin Demokratik pati arritur të korrë një rezultat të mirë në zgjedhjet e vitit 2013.

Kurse sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje kontakti me ta ka qenë i pamundur për të marrë ndonjë prononcim të mundshëm lidhur me këtë temë.

Kujtojmë se qytetin e Prizrenit e udhëheq PDK-ja që nga viti 2007me Ramadan Mujën si kryetar i komunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat