Isa Mustafa amniston krimin dhe kriminelët - Bota Sot
Isa Mustafa amniston krimin dhe kriminelët

Politika

E enjte, 20 shtator 2018

Isa Mustafa amniston krimin dhe kriminelët

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 16 shtator 2018 Në ora: 11:50
Adriatik Kelmendi dhe Isa Mustafa

Përgjatë intervistës së parë, të dhënë në "Rubikon" nga Isa Mustafa, pas sëmundjes disa mujore, ne, miqtë e tij, përjetuam dy ndjenja, njëherësh: gëzimin për rehabilitimin, shërimin e tij dhe zhgënjimin, për disa nga deklarimet e tij paushalle dhe tërësisht mashtruese e dizinformuese, kërcënuese e cinike.

Citojmë deklarimet e Isa Mustafës: 

"Në fund të vitit 2016, vendi kishte arritur të përmbushë të gjitha kushtet, përfshirë edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit"!!

Jo vetëm në vitin 2016, por, as sot, në shtator 2018, Kosova nuk ka përmbushur asnjërin nga kushtet, që zotëri Mustafa mashtron opinionin, madje, me një qëllim të caktuar, të cilin do ta themi në kontekst të shkrimit.

1) Janë 1.820 krime, vrasje politike të "pa zbuluara", të pa ndëshkuara ligjërisht. Edhe ndonjë i "gjykuar", është mjaftuar vetëm me "gishtin e ngrehur", por, jo shtyrësin, porositësin, paguesin e vrasësit;

2) Është cinizëm i skajshëm të thuhet se është përmbushur kushti i luftimit të korrupsionit! Ndërkohë që, korrupsioni, pra, hajnia zyrtare, ka gllabëruar pasuritë e tundshme dhe të patundshme të brezave shqiptarë! Hajninë zyrtare mund ta bëjnë vetëm zyrtarët. Pyesim, sa zyrtarë, të profilit të lartë, janë dënuar dhe sa sekuestrime, konfiskime të pasurive, pa mbulesë reale, janë bërë? Asnjë!

3) Janë 300 mijë dosje stoqe dhe shumë qindra tjera të fshehura dhe të heshtura, të cilat " i harron" ish-partneri i Hashimit dhe i Kadrisë në qeverisje, Isa Mustafa! Pra, kushti i tretë cilësor, sistemi i drejtësisë, jo vetëm që nuk është përmbushur, por, përkundrazi, është përbaltur dhe kriminalizuar tërësisht!

Rrjedhimisht, nuk ka qenë pengesë demarkimi i kufirit me Malin e Zi, por, mospërmbushja e tri kushteve-bazë, të cilat nuk do të arrijnë kurrë t`i përmbushin krerët partiakë në koalicionin PAN: Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj - argatë të Hashimit -, këta kryekriminelë dhe kryehajna të Kosovës, të cilët janë gadi "për mejdan", sa  herë ju përmendët emri për hajni!

Pra, janë krimi dhe kriminelët në pushtet, që promolgojnë, stërzgjatin liberalizimin e vizave, për qytetarët e Kosovës, të zhytur në krime gjithëfarëshe. Dhe, liberalizimi i vizave do të bëhet, jo me përmbushje të kushteve, por, me kompromise të tjera, të dhimbshme për Kosovën.

Isa, në cilësinë e kryeministrit, duke u betuar se "janë përmbushur të gjitha kushtet e BE-së", amniston dhe rehabiliton krimin dhe kriminelët numerikë të Kosovës, përfshi edhe krerët në koalicionin PAN!!!

"Votojeni demarkacionin, Kosova do të këtë vizat e liberalizuara", - i thanë zyrtarët e BE-së Isës. Dhe, ai, i vetëdijshëm për humbjen e territorit të Kosovës, aprovoi marrëzinë dhe tradhtinë - njëherësh, duke shtuar presionin ndaj deputetëve të LDK-së.

Mashtrimet manipulative të Isës dhe kërcënimi i deputetëve të LDK-së

Sulmi denigrues i Isa Mustafës, karshi deputetëve të LDK-së, me theks të veçantë, grupimin reformatorë, ka një prapavijë të qartë: përgaditja për anashkalimin e tyre, në zgjedhjet e pritshme. 

"Në qoftë se ata kanë bërë diçka është se kanë çu LDK-në në opozitë, vetë deputetët e LDK-së me Kadri Veselin", - ka akuzuar Isa Mustafa!

Ky është një mashtrim manipulativ i Isës. Nuk është vonesa e demarkacionit që rrëzoi qeverinë Mustafa, rrjedhimisht, as deputetët e LDK-së. Por, është koalicionimi në PAN, i partive-banda: PDK-së, AAK-së, Nisma dhe Lista "Srpska", të cilat, për hesapet e tyre, shfrytëzuan karrierizmin e shfrenuar të Isa Mustafës dhe, në fund, "e hodhën si limon të shtrydhur".

Shpifja groteske e Isës për deputetët e LDK-së:

"Fillimisht thanë se janë humbur tetë mijë hektarë, mirëpo më vonë u ndërruan qëndrimet", - dizinformon Isa Mustafa!

E vërteta është se deputetët e LDK-së, fillim e mbarim, kanë pasur një qëndrim dhe atë e kanë shprehur hapur dhe botërisht: "Kosova po humbë tokë për viza dhe ky është krim e tradhti ndaj Kosovës".

Realisht, Hashimi dhe Isa, për t`i gëzuar postet e tyre hiç meritore dhe të pista, u dakorduan"

1. Malit të Zi t`i besohet vijëzimi kufitar me Kosovën;

2. Demarkacioni të kushtëzohet me liberalizimin e vizave, u sugjëruan zyrtarëve të BE-së, për ta lehtësuar aprovimin nga populli varfanjakë, i ngujuar nga pjella e tij, "komandantët" kriminelë të "Rogner-it", të mbështetur nga Tirana zyrtare social-komuniste dhe Serbia me aleatët e saj tradicionalë. 

Deputetët, madje, jo vetëm të LDK-së, u ndodhën nën presionin kërcënues, deri në rrugaçëri, të Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Isa Mustafës, Kadri Veselit, me kompani, për ta votuar demarkacionin. Ishte i tepërt qortimi që anëtarësia e LDK-së u bëri deputetëve të tyre, pse, më në fund, votuan, pothuaj se, me dhunë psikologjike. Ata u ndodhën në pozicionin, siç thonë frengët, "fait a copli", para faktit të kryer.

Kur Hashim presidenti thotë se Kosova, me demarkimin aktual të kufirit me Malin e Zi, "nuk humbë asnjë pëllambë tokë", ndërsa Isa kryeministri e absolutizon edhe më shumë se "Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë", ndërkombëtarët dakordohen, pajtohen dhe as nuk pyesin çfarë thotë opozita. 

Thënë troç: "Qeveria bënë çka donë vet, populli të mos hajë m...! Kosova nuk është - qendra e botës -, shefat botërorë kanë edhe halle tjera. Edhe gjysmën e Kosovës me ia falë Malit të Zi apo Serbisë, ata thonë ok-ej, janë pajtuar palët paqësisht. 

Vërtet, pazarin konspirativ për demarkacionin e bëri Hashimi. Por, atë e nënshkroi edhe ministri i brendshëm i LDK-së, Skënder Hyseni, natyrshëm, me lejen e shefit të tij, Isa Mustafës!

Isa thotë se "nuk e ka diskutuar dhe nuk do ta diskutojë, meqë secili duhet të mbajë përgjegjësi individuale". Nuk do koment, kërcënimi për deputetët, kundërshtues të demarkimit, sipas vijëzimit të bërë nga Mali i Zi, është i drejtëpërdrejtë dhe agjitimi hakmarrës, nga Isa me klanin e tij, tashmë, ka filluar.

Megjithatë, Isa vazhdon ta diskutojë me klanin e tij dhe kjo diktohet në reagimet, gjithë helm e vrerë, që bënë garda e Isës, pjesë e klanit të tij, kundër deputetëve me integritet dhe të dinjtetshëm. 

Janë ata që kanë përçarë e ndarë një herë LDK-në dhe janë gadi ta përsëdytin ndarjen. Pritja në qetësi e heshtje, të kësaj gjëme të madhe, është fatale për LDK-në dhe Kosovën.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test