Vihet në praktikë fuqia opozitare LDK-VV

Politika

Vihet në praktikë fuqia opozitare LDK-VV

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 16 korrik 2018 Në ora: 10:17
Kuvendi i Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë koordinuar mes vete të enjten në Kuvendin e Kosovës për mosmiratimin e disa ligjeve.

Një vendim i tillë është mirëpritur nga politikanët, të cilët janë kundër qeverise si dhe nga analistët politikë.

Ata thotë se ky është një reflektim i duhur i një blloku opozitar të fuqishëm të cilët mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje në mënyrë që të krijohet një qeveri pa krahun e luftës.

Islami: VV u reformua me largimin e PSD-së

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami thotë se shpëtimi i Kosovës është në duart e dy subjekteve politike opozitare më të mëdha në Kuvendin e Kosovës.

Image
Gazmend Islami

“LDK-ja e cila e ka filluar një reformë të brendshme, tash vetëm po tregon sinjalet e veta pozitive që është duke u konsoliduar dhe duke marrë rolin e udhëheqësit si partia më e madhe opozitare. Gjithashtu edhe Vetëvendosja është duke e kuptuar rolin e saj politik që e ka në këto momente vendimtare për Kosovën. Pra me largimin e njerëzve të cilët e kanë krijuar subjektin e ri politik PSD, Vetëvendosja vetëm sa është reformuar dhe ka kuptuar që vetëm me LDK mund të krijoj një bllok të fuqishëm opozitar dhe kjo është dëshmuar të enjten dhe jam i bindur se në të ardhmen jo të largët këto dy subjekte politike do ta çojnë në shtëpi qeverinë Haradinaj, natyrisht edhe të disa partive tjera politike që janë brenda Kuvendit të Kosovës apo deputetët individual që janë kundër kësaj qeverie të pakicës”, shprehet Islami për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, ky është sinjali i parë politik që pas zgjedhjeve të ardhshme mund të krijohet një bllok i fuqishëm me LDK-në dhe partitë më të vogla të djathta dhe Vetëvendosjes si parti socialdemokrate.

“Pra vetëm në këtë mënyrë do të dalin fitues dhe të krijojnë një qeveri përherë të parë pas shumë kohësh pa PDK-në dhe pa krahun e luftës, dhe vetëm në këtë mënyrë do të mund të shkëputet zingjiri i korrupsionit i krijuar nga mafia politike Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli dhe grupacioni rreth tyre”, pohon ai.

2019 me qeverisje LDK-VV?  

Islami shton se, këto dy parti, por edhe partitë tjera e kanë kuptuar rolin historik që kanë në këto momente duke i lënë anash inatet personale.

“Shpresoj dhe jam shumë i bindur që viti 2019 do ta gjejë Kosovën me një qeveri të LDK-së, VV-së dhe partive të djathta si Balli Kombëtar Demokrat, partia Republikane dhe disa parti tjera më të vogla”, përfundon Gazmend Islami.

Analisti politik, Faik Krasniqi pohon se, është shenjë e mirë ky veprim i LDK-së dhe Vetëvendosjes, që nuk kanë votuar ligje nëse ato ligje nuk kanë qenë në interes të qytetarëve të Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

“Kjo jep një shpresë se ka filluar formimi i një blloku opozitar, dhe këtij bllokut duhet t'i bashkohet edhe PSD-ja. Por, opozita pa ndihmën edhe të dy deputetëve të pozitës e kanë të pamundur ta rrëzojnë qeverinë. Për një gjë të tillë janë të vetëdijshëm edhe ata”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Uniteti i domosdoshëm

Njohësi i çështjeve politike Faton Mehmeti potencon që, e vetmja rrugë që Kosova të dalë nga kjo mjegull që e ka kapluar nga ky koalicion qeverisës është një opozitë e bashkuar, respektivisht koalicioni opozitar LDK-VV.

Image
Faton Mehmeti

“Vetëm një opozitë e unifikuar, do të mund të ndalonte këtë të keq që e ka kapluar vendin, me këtë degradim të skajshëm që vendi është përfshirë. Nëse opozita është unifikuar do të ishte diçka pozitive për vendin, pasi jo çdo gjë do të mund të bënin këta që janë në pushtet. Një opozitë e fortë është e mirë për mbrojtjen e demokracisë, pastaj rritet besimi i qytetarëve ndaj tyre që nesër mund të jenë në pushtet”, pohon Mehmeti.

Ai e përshëndet këtë nismë të LDK-së dhe VV-së për mosmiratimin e ligjeve që i propozon qeveria e të cilat bien ndesh me të drejtat e qytetarëve.

“Opozita është gardian i demokracisë, dhe si e tillë edhe duhet të veprojë. Me bashkëpunimin e tyre, këdo dy parti do të shtojnë besimin tek qytetarët, që nesër të jenë në pushtet për të dëshmuar një ndryshim të kursit qeveritar. Kjo është për të mirën e Kosovës dhe të qytetarëve”, thotë ai.

Ndërsa, analisti i politikës në Kosovë, Leon Duhanaj thekson se, çdo subjekt politik, i cili i është nënshtruar procesit zgjedhorë në bazë të kushtetutës dhe ligjeve të vendit, e ka jo për vullnet, por për obligim, koordinimin dhe bashkëpunimin me subjektet tjera në shërbim të interesave të vendit!

“Me vetë faktin që një moment bashkëpunimi duket si senzacion tregon shumë se ne ç'gjendje kemi degraduar si shoqëri politike. Për këtë mos durim ka kontribuar me së shumti Lëvizja Vetëvendosje dhe, bazuar në ketë fakt, nuk besoj që ka ndonjë qëllim konstruktiv edhe në ketë rast. Opozita është e thirrur për ta korrigjuar Qeverinë. Nëse ka lëshime duhet ta ngrisin zërin, në mënyrë që opinioni të sensibilizohet dhe Qeveria t'i rishikojë vendimet nëse vërtetë janë të dëmshme për vendin. Opozita nuk është aty vetëm për të thirrur zgjedhje të parakohshme, por për të sjellë ide alternativë. Për fat të keq, ky term, në Kosovë, duket të jetë i panjohur dhe në vend të tij, përdorët fjala zgjedhje, për të cilat, partitë opozitare mendojnë dhe veprojnë që nga momenti i kur formohet një qeveri”, përfundon Duhanaj.

Edhe analisti politik Ali Hertica, e ka komentuar vendimin e LDK-së dhe VV-së për mosmiratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës.

Image
Ali Hertica

Bllok për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Sipas tij, pushteti dhe qeverisja Haradinaj do ta ketë të vështirë të miratojë ligje në Kuvend, edhe kur nevojiten vetëm 61 vota.

Ai thotë se, dy partitë opozitare të vendit janë bashkuar në seancën parlamentare ku po diskutohej për rezolutën në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës.

“Mirëpo, pavarësisht debatit që ngjalli kjo pikë, në fund pozita nuk ia doli që të siguroj votat e mjaftueshme për të kaluar këtë, tani po reflektojnë këto dy subjekte politike se janë të harmonizuar që të shkojnë drejt formimit të një blloku opozitar për të rrëzuar qeverinë Haradinaj, sepse kjo qeveri ka bërë disa shkelje ligjore dhe e ka degradua Kuvendin dhe qytetarin me disa skandale”, thotë Hertica për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat