Presion i madh për Asociacionin, Kosova në ‘udhëkryq’ – çka pritet pas mesazhit të nënsekretares amerikane?

Politika

Presion i madh për Asociacionin, Kosova në ‘udhëkryq’ – çka pritet pas mesazhit të nënsekretares amerikane?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 maj 2024 Në ora: 15:59
Nënsekretarja Allen dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kosova po vazhdon të jetë nën trysni për themelimin e Asociacionit.

Kërkesat e ndërkombëtarëve për këtë gjë janë intensifikuar kohët e fundit.

Madje, Asociacioni po del të jetë pengesë e madhe për Kosovën dhe proceset e saj në integrimin evropian.

Së fundi, ishte nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen e cila e konsideroi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si hap thelbësor në jetësimin e synimeve euro-atlantike të Kosovës.

Allen këto deklarata i bëri pas takimit të zhvilluar të dielën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Konfirmoj se ne mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euro-atlantike, përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe e di se kjo është me rëndësi për ju. Diskutuam për hapin thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Allen.

Bërja e hapave drejt Asociacionit ka qenë kusht për Kosovën edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës - organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut - më herët gjatë javës.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet një herë në vit dhe mbetet e paqartë se kur Kosova do të mund të bëhet anëtare e organizatës.

Duket se Kosova nuk e ka ‘rrugën e lehtë’ drejt anëtarësimit të saj, ku të gjitha marrëveshjet e tjera me Serbinë nuk po merren parasysh dhe i gjithë fokusi po vazhdon të jetë te Asociacioni.

Mirëpo, sa është e drejtë kjo gjë!?

Burjani: Pengesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE është gabim i madh

Image
Blerim Burjani

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli Blerim Burjani.

Së pari, tha se ndërkombëtarët normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e lidhin përmes Asociacionit, prandaj nuk i përfillin marrëveshjet tjera dhe gjithë fokusin e kanë në këtë pikë.

“Dialogu Kosovë-Serbi është dialog për themelim të asociacionit, në thelb temat e tjera dhe marrëveshjet e dikurshme mund të presin, por asociacioni është thelbësor për të funksionuar pushteti lokal dhe të integrohen serbët në institucionet kosovare.

Për këtë arsye të gjitha shtetet perëndimore e lidhin normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes asociacionit”.

Krahas kësaj, ai komentoi edhe kushtëzimet që Kosovës po i bëhen nga ndërkombëtarët, në lidhje me proceset e integrimeve evropiane,

Sipas tij, pengesa e anëtarësimit në KiE ishte një gabim i madh i shteteve të fuqishme evropiane, pasi me këtë fiton Serbia, Rusia dhe Kina.

“Kushtëzimi i Kosovës për të njohur subjektivitetin ndërkombëtar përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare është pengesë për të bërë Kosovën të barabartë në marrëdhënie ndërkombëtare, kjo do të thotë se Kosovës nuk i hapen dyert më nga miqtë e saj ose duhet të dëgjojë ose të mbetet vetëm.

Realisht për momentin Kosova është lënë pas dore, apo në të ardhmen mund të mbetet dalëngadalë e izoluar, kjo do të thotë se jemi shtet sa duan miqtë tanë, jo sa dëshirojmë ne vetë në vendimmarrje.

Vendimmarrja dhe sovraniteti në nxjerrjen e vendimeve nga Kosova mbetet e limituar, pengesa e anëtarësimit në KiE është gabim i madh i këtyre shteteve. Me këtë fiton Serbia, Rusia dhe Kina, se vetëm këto shtete nuk e dëshirojnë Kosovën askund e as në ndonjë organizatë”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

Duhanaj:  Për fat të keq, të gjitha kërkesat për të drejta ekskluzive për serbët, burimin fillestar e kanë tek trazirat e marsit 2004

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj tregoi si nisi gjithë çështja e Asociacionit dhe kërkesat për të drejtat e komunitetit serb.

Si fillim, ai i ndërlidhi këto çështje me trazirat e marsit.

“Çështja e asociacionit, është ngjizur si derivat i marrëveshjeve Kosovë-Serbi, përkatësisht nga negociatat para statusit. Të drejtat e minoriteteve, me theks të veçantë ato të komunitetit serb, ishin trajtuar me kujdes ekskluziv.

Për fat të keq, të gjitha kërkesat për të drejta ekskluzive për serbët, burimin fillestar e kanë tek trazirat e marsit 2004, për të vazhduar me pastaj të përdoren në çdo proces negociues”.

Gjithashtu, Duhanaj shpjegoi se dhe komentoi marrëveshjet e arritur në vitet 2013-2015, dhe refuzimin që Kurti ia kishte për këtyre marrëveshjeve.

“Pas marrëveshjes së 2013, përkatësisht 2015 ku për herë të parë Serbia vuri nënshkrimin në një dokument ku Kushtetuta e Republikës së Kosovës u pranua si organi i cili duhej ta jepte fjalën përfundimtare mbi statutin e asociacionit. Serbisë i duhej lëvizje e re e cila do ta shembte këtë marrëveshje në të cilën pranohej autoriteti kushtetues i Kosovës.

Për fat të keq, ketë shërbim me zell të madh ja kreu Albin Kurti dhe Vetëvendosja, duke shëmbur me dhunë çdo përpjekje për një përmbyllje të këtij procesi.

Pas ardhjes së tij në pushtet, duke vazhduar me qasjen e tij agresive, arriti ta deintegroi Kosovën edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke e çuar në izolim e besa edhe në sanksione”, nënvizoi analisti politik.

Më tej, ai u tregua kritik ndaj Kurtit dhe qasjes së tij më ndërkombëtarët, derisa foli edhe për përplasjet dhe sanksionet.

“Kurti me qasjen e tij destruktive përpos që humbi mbështetjen ndërkombëtare, u bë shkaktar i dezintegrimit të veriut, duke e çuar vendin deri në përplasje. Serbia e shfrytëzoj ketë sjellje maksimalisht, duke financuar agjenturat e veta në veri për agresion të hapur ndaj shtetësisë së Kosovës, duke shtyrë serbet lokal ta humbin lojalitetin ndaj çdo institucioni kosovar.

Tani çështja ka shkuar aq larg, sa që serbët thonë se jeta në Kosovë është e pamundur dhe se atyre, për sigurinë e vetë u duhen garancione kushtetuese me të mëdha.

Këto garancione i kanë projektuar në marrëveshjen e Ohrit të cilën Kurti e ka pranuar dhe e cila i tejkalon kompetencat e asociacionit, dhe ka kompetenca të autonomisë substanciale territoriale ekonomike e politike”.

Në fund, tha se Kosova do jetë në presion të vazhdueshëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Kryeministri Kurti, me ose pa vetëdije e përplasi Kosovën para një sfide të madhe, dhe tani të vetmen rrugë e kërkon rehabilitimin e tij politik, duke u munduar ta çoj vendin e zgjedhje me qëllim shpërndarjes së përgjegjësisë.

Tani Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare dhe si pasojë do të kemi presion të vazhdueshëm për zbatimin e tyre.

Shqiptarët, në vend që të jenë bashkëpunues në mbrojtje të interesave kombëtare, merren me akuza ndaj njëri-tjetrit përderisa vazhdojnë ta dëmtojnë interesin e vendin.

Në fund kur gjërat dalin jashtë mundësisë së korrigjimit, vazhdojmë me vajtimet duke adresuar dështimet tona tek fajtori historik kujdestar "Europa k..rva"”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat