Letra që nxiti ‘përçarje’ mes Kurtit e Osmanit, komentohen prapavijat e saj – ja kush mund të përfitojë nga kjo gjë!

Politika

Letra që nxiti ‘përçarje’ mes Kurtit e Osmanit, komentohen prapavijat e saj – ja kush mund të përfitojë nga kjo gjë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 maj 2024 Në ora: 18:15
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, të enjten në mëngjes njoftoi se Qeveria ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.

Megjithëse, Kosova dje në Komitetin e Ministrave nuk ishte fare në agjendë opinioni pozitiv i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Mirëpo, kjo letër shkakoi shumë zhurmë në publik.

Madje, duket se Qeveria nuk u konsultua as me presidenten Osmani për letrën që ia dërgoi KiE-së, ku e njoftoi për qëllimet e Qeverisë për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin.

Kështu tha këshilltari i presidentes Bekim Kupina, derisa potencoi se Osmani “nuk e përkrah këtë letër”.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës... Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina.

Kjo deklaratë shpërfaqi pakënaqësitë e Osmanit, derisa në opinionin public I përfol edhe për një përçarje mes Osmanit, Kurtit e Osmani.

E analistët për “Bota sot” folën mbi ndikimin që mund të ketë një përçarje e mundshme mes tre udhëheqësve të shtetit.

Mehazi: Pakënaqësia e presidentes, Vjosa Osmanit, nuk duhet të jetë shkak përçarjesh

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Fillimisht, tha se si duket dështimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE, do të jetë shkas që të ketë përçarje mes Osmanit, Kurtit e Gërvallës.

Image
Sulejman Mehazi.

“Refuzimi momental i Kosovës në Këshillin e Evropës normale s'e ka shprehur pakënaqësi që nga qytetarët e deri te elita politike e Kosovës, këtë pakënaqësi e shpreh edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të këshilltarit të saj, Bekim Kupina, e cila është prekur dhe nuk është pajtuar me letrën dërguar Këshillit të Evropës ku është shprehur hartimi i draft-statutit nga qeveria e Kurtit në krye me bashkëpartiaken e Osmanit, Shefen e Diplomacisë, Donika Gervallën, e cila pa konsultimin dhe sygjerimet e presidentes, Vjosa Osmanin, është dërguar në Këshillin e Ambasadorëve të Këshillit të Evropës. Si duket ky mos sukses diplomatik do bëhet shkaktar përçarjesh në mes presidentes, Vjosa Osmanit, kryeministrit, Albin Kurtit dhe shefes së diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvallës, se letra e mbushur me Asociacionet e komunave me pakicë serbe mund të bëhet mollë sherri përçarëse në mes presidencës dhe qeverisë së Kosovës”, deklaroi profesori.

Megjithatë, Mehazi tha se kjo pakënaqësi e presidentes nuk duhet të kthehet në përçarje mes udhëheqësve të shtetit, derisa shpresoi në mirëkuptimin e Osmanit, Gërvallës e Kurtit.

Ai tha se një përçarje e mundshme, do i konvenonte më së shumti Serbisë.

“Pakënaqësia e presidentes, Vjosa Osmanit, nuk duhet të jetë shkak përçarjesh, pasi draft-statuti i pakicave serbe nuk është nën kompetencat e presidetes Osmani, por nën kompetancat e qeverisë së Kosovës. Besojmë se do ketë mirëkuptim në mes Osmanit, Gërvallës dhe Kurtit, pasi kjo përçarje më së shumti i konvenon Serbisë dhe partive opozitare të Kosovës që padurim kërkojnë alibi për të kritikuar e sulmuar qeverinë e Kosovës”

Gjithashtu, profesori tha se ky revoltim i Osmanit, më shumë e dëmton Listën Guxo, se LVV-në.

“Revolta e letrës dërguar Këshillit të Evropës nga ana e Vjosa Osmanit më shumë do dëmtonte Lëvizjen Guxo sesa LVV-në e Kurtit, pasi letra kushtetuese e draft-statutin të pakicave serbe është dërguar nga bashkëpartiakja e Osmanit, Donika Gërvalla, dhe kjo pakënaqësi e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, më shumë do përçante e dobësonte Levizjen e saj Guxo sesa LVV-në e Kurtit”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Zogaj: Liderëve shqiptarë u duhet mirëkuptimi dhe uniteti kombëtar

Kurse, publicisti Skënder Zogaj tha se përçarja e udhëheqësve të shtetit është një gjë e papranueshme, derisa tha se u duhet një mirëkuptim dhe unitet kombëtar.

Image
Skënder Zogaj

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se egozimi për pushtet mund të jetë fatal për Kosovën.

“Ashpërsimi i toneve dhe ngritja e zërave rreth problemeve jetike dhe fundamentale për fatin historik të Kosovës, për mua është ogur i keq dhe i papranueshëm, sepse, është hera e parë në historinë tonë shekullore kur, fati i shqiptarëve varet nga vet shqiptarët, të cilëve mbi të gjitha u duhet mirëkuptimi dhe uniteti kombëtar dhe jo, aspak jo, egoizmi për pushtet, që në këto çaste mund të jetë fatal, nëse Kosova del nga agjendat ndërkombëtare veri-atlantike, të cilat e kanë çliru Kosovën nga armiku barbar serb dhe qe 24 vjet po përpiqen t'ia gjejnë një zgjidhje shtetësisë së Kosovës!” – tha ndër të tjera publicsti.

Po ashtu, Zogaj u shpreh i shqetësuar, pasi vlerëson se Kuvendi i Kosovës po përbëhet nga një “turmë huliganësh të papërgjegjshëm”.

“Unë ka kohë që jam duke e ndjekur me vëmendje spektin politik dhe stetëror dhe, kurrë nuk kam qenë më i shqetësuar, sepse po na mungon përcaktimi serioz shtetformues. E kam parasysh Kuvendin e Kosovës që përbëhet nga një turmë huliganësh të papërgjegjshëm dhe të padenjë për të qenë jo vetë përfaqësues të popullit por që as për një kuvend gurëthyesish! Kjo gjendje është alarmante dhe nuk ka dyshim se tashmë jemi në krizë të thellë morale, ku propaganda dhe thashethemet po nga e kalbin shpirtin!”

Në fund, ai shtoi se nëse letra e dërguar në KiE nuk është rezultat i bashkëpunimit të qeverisë, presidencës dhe Kuvendit, atëherë ëshë një gabim i rëndë.

“Prandaj, unë nuk e di saktë të vërtetën rreth hartimit, qëllimit dhe dërgimit të letrës KiE-së, por, them se, nëse letra nuk është rezultat i bashëvendimit të Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës, është gabim i rëndë dhe i patolerueshëm, që nuk ka guxuar të ndodh! Veçanërish mendoj se, Presidentja Vjosa Osmani pos përvjegjësisë nga funkdioni, është eksperte dhe me përvojë të shkëlqyer në këtë fushë, prandaj assesi nuk ka guxuar të anashkalohet!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat