Asambleja Parlamentare e KiE-së votoi për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar i kaloi Komiteti i Ministrave.
Megjithatë, Kosova nuk pritet të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.
Kjo për shkak të kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës, si dhe kushtëzimi me themelimin e Asociacionit.
E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Së pari, tha se ‘shantazhet’ që po i bëhen Kosovës duhet të marrin fund, pasi tani është koha për anëtarësimin e saj në KiE.
“Shantazhi imoral që po i bëhet Kosovës nga disa liderë evropianë duhet të marrë fund tani.
Evropianët nga Kosova kanë të drejtën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, djep i vlerave dhe të drejtave evropiane.
Nëse i marrim seriozisht vlerat tona, duhet t'i japim fund marrjes peng të Kosovës, shkaku i një iluzioni të dështuar nga një dialog imagjinar, i cili në realitet ka vdekur prej një dekade, i vrarë nga ardhja në pushtet e Vuçiqit, i mbështetur nga Rusia.
Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për anëtarësim”, deklaroi eksperti.
Sipas tij, serbët e Kosovës përfitojnë më shumë nga anëtërsimi i Kosovës në KiE, se nga Asociacioni.
Madje, tha se Perëndimi po gabon rëndë me insistimin e themelimit të Asociacionit.
“Serbët e Kosovës përfitojnë shumë më tepër nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës se sa nga i ashtuquajturi Asociacion.
Pavarësisht se çfarë lloj shoqate mund të miratojë Kosova, Serbia nën Vuçiç nuk do të jetë kurrë e lumtur derisa të jetë aq e fuqishme sa Republika Srpska, kështu që Kosova dhe aleatët e saj nuk mund ta lejojnë kurrë këtë gjë.
Pra, të këmbëngulësh në një Asociacion është një gabim i rëndë strategjik i Perëndimit. Të drejtat e serbëve në Kosovë mbrohen nga Kushtetuta e Kosovës, KFOR-i dhe Këshilli i Evropës!” – përmbylli Gunther Fehlinger për “Bota sot”.