“Ajo i ka të gatshme skenat për vrasje të reja dhe terror në Kosovë”/ Zbërthehet plani dashakeq i Serbisë pas formimit të qeverisë së re

Politika

“Ajo i ka të gatshme skenat për vrasje të reja dhe terror në Kosovë”/ Zbërthehet plani dashakeq i Serbisë pas formimit të qeverisë së re

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 8 maj 2024 Në ora: 20:03
Aleksander Vuciq

Në Serbi është formuar qeveria e re, e cila do të udhëhiqet nga Millosh Vuçeviq. E në ë përbërjen e re, Qeveria e Serbisë i ka dy persona, të cilët janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesisht për shkak të lidhjeve me Rusinë: Aleksandar Vulinin si zëvendëskryeministër dhe Nenad Popoviqin si ministër pa portofol.

Por, kjo gjë u kundërshtua ashpër nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku SHA u shpreh e “e zhgënjyer" nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit në qeverinë e re.

E sipas ekspertëve dhe analistëve, më këtë veprim, Serbia edhe njëherë po dëshmon qasjen e saj kundër SHBA-së e pro Rusisë.

Situatë sfiduese në Ballkan

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë për “Bota sot” se synimi kryesor i Serbisë është prishja e stabilitetit rajonal.

“Qëndrimi i qartë i DASH për situatën e rajonit të Ballkanit padyshim ka një impakt të drejtpërdrejt në skenën politike në Ballkanin perëndimor. Sanksionet që në fazën e parë ishin drejtuar ndaj grupeve kriminale që kanë lidhje me Serbinë si dhe politikanëve nacionalist që mendësia e tyre mbetet padyshim prishja e bilancit të stabilimentit ndërkombëtar të sigurisë në rajon. Ndërsa padyshim DASH përcjell me vëmendje çdo formë apo mënyrë të politikanëve, grupeve kriminale që bien ndesh me postulatën e demokracisë të sponsorizuar nga SHBA dhe BE”, shprehet Shala.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, sfiduese do të jetë edhe qeveria e re në Maqedoninë e Veriut.

“Shtet sikur Serbia dhe entiteti serb në BiH sikur edhe MKD Veriore në ardhje padyshim do të jenë në orbitën e DASH të ndonjë tentative që mund të sfidojë sikur e ka sfiduar Serbia me këtë qeveri. Ndërsa Mali i Zi dhe Kosova e së bashku me Shqipërinë ku kjo e fundit përmes SPAK është duke zbatuar garancitë demokratike të sponzorizuar nga SHBA-ja nuk do të ketë ndonjë pengesë eventual në forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen”, shton Shala.

“Por që Podgorica dhe Prishtina duhet padyshim të jenë të vëmendshëm që në as një formë të devijojnë nga trasa e fondamentale të përcaktuar nga vetë shtëpia e bardhë duke futur rajonin si hapësirë më mundësi krize deri të përmasa tjera më të rënda dhe politikanët të mendojnë qartazi se cila do të jetë qëllimi i tyre politik dhe orientues për shtetet e tyre”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Alarm për konflikte të reja

Kurse, analisti Gani Qarri deklaron se përfshirja e Vulinit në qeverinë e re si Zëvendëskryeministër, është alarm serioz i nxitjes së konflikteve të reja në Ballkan.

“Vet formimi i kabinetit ekstremisto-nacionalist qeveritar me emërimin e ministrit të deritanishëm të mbrojtjes, për kryeministër dhe ish shefit të BIA-së, Aleksandër Vulin, zëvendëskryeministër i parë i qeverisë serbe, edhe pse në listën e zezë të SHBA-ve, është paralajmërim serioz, për rrezikun e nxitjes së konflikteve të reja nga Serbia, vërejtje kjo, që vjen edhe nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, e veçanërisht nga zonja Alicia Kearns, si  deputete dhe në funksionin e kryetares së Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Madje tentimi për atentat në Soçanicë, fatkeqësisht dëshmoi publikisht, se Serbia jo vetëm që nuk ka hequr dorë nga sulmet terroriste, por ajo i ka të gatshme skenat për vrasje të reja dhe terror, në Kosovë”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

“Dhe për aq më keq, në ditët dhe muajt në vijim, siç u pa edhe me 5 maj, sulmet mund edhe të shtohen dhe të eskalojnë, qoftë në formën e "Pandas", apo edhe metodën e likuidimit të Oliver Ivanoviqit, gjë që e vërtetoi edhe përpjekja  ditës së diel, për atentat në veri të vendit tonë, ndaj Marko Jabllanoviqit, anëtari i partisë së Nenad Rashiqit, siç njoftoi vet Zëvendësministri për Kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoiça Radomiroviq. Atentat i cili, megjithëse për fat, nuk pati sukses, por qoftë edhe vetëm si shfaqje makabër e rastit më të ri të trishtë, dëshmon se, nga një qeveri puro nacionaliste, e Serbisë fashiste as që ka çfarë të pritet, më mirë, e cila në përbërje ka dy ministra të sanksionuar nga DASH-i”, thekson Qarri për “Bota sot”.

Ai thotë se Serbia po synon vrasjen e çdo njërit që e pranon pavarësinë e Kosovës.

“Andaj përveç diskursit edhe më të ashpër politik ndaj Kosovës, akti makabër i të dielës në Soçanicë, tregon qartë se në Serbi, po bëhen përpjekje intensive, për vrasje dhe likuidime të tjera, të emrave të përveçëm serbësh, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës, e ndoshta në renditjen e emrave, që BIA serbe, ka përzgjedhur, mund të gjenden edhe shqiptarë të shenjuar për likuidim, nga Serbia, akte tmerruese këto, të cilat medoemos, ndikojnë direkt në përshkallëzimin e gjendjes dhe rrezikojnë hapur sigurinë kombëtare të shtetit të Kosovës.”

“Në fakt, Zëvendësministri Radomiroviq, për këtë rast, fajësoi rëndë edhe Aleksandër Jabllanoviqin, i cili në kooketim me Vuçiqin, Aleksandër Vulinin dhe anëtarin e BIA-s, Dimiqin, për disa para dhe privilegje, jo vetëm se u tërhoq nga kandidatura për kryetar të Leposaviqit, por ai i tradhtoi edhe mbështetësit e tij, bleu një xhip dhe një automjet katërkëndësh, dhe hyri në shërbim të Vuçiqit duke mos lejuar minoritetin serb që të marrë fatin e vet në dorë. E sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, Jabllanoviq ishte përpjekur ti joshte të hynin në shërbim të terroristëve serb edhe Zëvendësministrin Radomiroviq dhe Marko Jabllanoviqin, duke u ofruar të merrnim lokale, apartamente dhe para, por nga momenti, që këta dy nuk pranuan të bëhen vegël e krye-terroristit Radojçiq, vet Aleksandër Jabllanoviqi i kishte paralajmëruar, se nëse nuk kthehen me Serbinë, jeta e tyre është në rrezik dhe mund ti vrisnin që të dy”, shton analisti Qarri.

Qeverinë e re serbe të sapoformuar, Qarri e sheh tërësisht si një qeveri pro ruse e kundër BE-së.

“Prandaj që nga ai moment, siç thotë Zëvendësministri Radmorivoviq,  Aleksandër Jabllanoviqi është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në tentativën për vrasjen e Marko Jabllanoviqit, akt të cilin Policia e Kosovës, puna e të cilës na bënë krenar dhe meriton çdo lëvdatë, duhet ta sqarojë në hollësi dhe deri në fund, e të marrë urgjentisht masat e parapara ligjore, për raste të tilla, kundër Aleksandër Jabllanoviqit dhe terroristëve tjerë serb, që veprojnë në Kosovë, përfshi Sllavko Simiqin e Zoran Todiqin, të dyshuarit për atentatin e 5 majit, në Soçanicë kundër Marko Jabllanoviqit. Pra të gjitha këto dëshmojnë katërçipërisht, se nga një qeveri tërësisht pro-ruse, si qeveria aktuale e Serbisë hegjemoniste, jo vetëm se do të ketë përshkallëzim edhe më të rëndë, të gjendjes, por nga veprimet e saj, mund të cenohet drejtpërsëdrejti siguria shtetërore në Kosovë, si dhe të rrezikohet edhe paqja në rajon, veçanërisht nga tendencat e hapura, për shkëputjen e të ashtuquajturës "republikë serbe" nga Bosnja e Hercegovina dhe bashkimin e saj me Serbinë”.

Por, a mund të ketë rritje të tensioneve në Ballkanin Perëndimor pas formimit të qeverisë serbe?

“Kjo gjendje, pikën kritike, mund ta arrijë, sidomos në dy javët vijuese kur pritet të miratohet në KS të OKB-së, Rezoluta për gjenocidin serb , në Srebrenicë dhe të votohet pro anëtarësimit të Republikës së Kosovës në KiE, me ç` rast do ti jepej kuptim i vërtetë dhe arsye e veçantë edhe festimit të 70 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, organizatës së parë, që në qendër, ka mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat