Diplomati shqiptar zbulon pse Vuçiqi ngriti këtë skenar për veriun e Kosovës dhe alarmon: Dy shtete në Ballkan janë në rrezik!

Politika

Diplomati shqiptar zbulon pse Vuçiqi ngriti këtë skenar për veriun e Kosovës dhe alarmon: Dy shtete në Ballkan janë në rrezik!

Nga: A.Zh Më: 4 maj 2024 Në ora: 09:59
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Agim Nesho, ka thënë se perëndimi nuk vendosi sanksione ndaj Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë, për shkak se të njëjtën duan ta largojnë nga Rusia.

Nesho për gazetën “Bota sot”, ka kritikuar ndërkombëtarët se me këtë politikë “privilegjuese” ndaj Serbisë, kanë ndikuar në marrëdhëniet e saj me Kosovën.

“Ngjarjet në Banjskë ishin një provokacion terrorist i sponsorizuar nga Serbia, që në thelb treguan karakterin shovinist të Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar duhej të vendoste sanksione kundër Serbisë, por nuk e bëri për arsye se shumë personalitete perëndimore vazhdojnë të besojnë se Vuçiq duhet të trajtohet si i ‘privilegjuar’ për të bërë kthesën dhe larguar nga Moska. Kjo politikë preferenciale ndaj Serbisë, e shprehur hapur nga vende si Franca, ka sjellë një disbalancë në trajtimin midis Kosovës dhe Serbisë dhe ka ndikuar në normalizimin e nevojshëm për realizimin e marrëveshjes midis dy vendeve”, ka thënë Nesho.

Image
Agim Nesho

Diplomati shqiptar ka komentuar edhe për politikën luftënxitëse të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që jo rrallë përmend mundësinë e konfliktit në Ballkan, sidomos me Kosovën.

Sipas Neshos, veriu i Kosovës është pjesë e planit të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit.

“Presidenti serb Vuçiq, por edhe shumë politikanë serbë, mbeten në pararojë të politikave nacionaliste dhe luftënxitëse në rajonin e Ballkanit. Veriu i Kosovës është pjesë e strategjisë së tyre për të destabilizuar rajonin. Për nacionalistët serbë, veriu i Kosovës mbetet një ‘konflikt i hapur’ dhe një çështje e pazgjidhur, pavarësisht se është pjesë territoriale e pandarë e Kosovës e bazuar në zgjidhjet e Komisionit Badinter dhe mënyrën që komuniteti ndërkombëtar pranoi zgjidhjen për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Vuçiq e ka ngritur këtë skenar për arsye se shtyhet dhe përkrahet nga Rusia, e cila shikon zhvillimet në Ballkan si një mënyrë për të shtrirë influencat e saj në rajon”, ka theksuar më tej ai.

Ish-ambasadori ka përmendur dy shtetet ballkanike, ku sipas tij, Rusia dhe Serbia mund të provokojnë.

“Në Ballkan, Kosova dhe Bosnja-Hercegovina janë të vetmet vende jo-anëtare të NATO-s, ku Serbia dhe Rusia mund të provokojnë. Prandaj, veriu i Evropës, si vendet Balltike, ashtu edhe Ballkani Perëndimor, mbeten zona me rrezik potencial ku Rusia revizioniste mund të provokojë. Kjo është shpresa e vetme e Serbisë për të realizuar politikën e saj për të përfituar diçka nga ‘padrejtësitë e së kaluarës”, ka thënë Agim Nesho për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat