Ekskluzive: Ky është qëndrimi i Britanisë së Madhe rreth zhvillimeve të fundit në dialog dhe raporteve Kosovë-BE

Politika

Ekskluzive: Ky është qëndrimi i Britanisë së Madhe rreth zhvillimeve të fundit në dialog dhe raporteve Kosovë-BE

Nga: M.Lakna Më: 20 shtator 2023 Në ora: 16:54
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott

Mbretëria e Bashkuar përkrah Bashkimin Evropian sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas takimit pa rezultate të datës 14 shtator.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Bota sot” zëdhënësi i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë, Richard Le Vay.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet deklaratën e BE-së të datës 19 shtator, e cila u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim” , thuhet në përgjigje.

Ndryshe, në një komunikatë të lëshuar dje (e martë 19 shtator) Bashkimi Evropian ka kërkuar që puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “të nisë pa vonesa të reja dhe parakushte”.

BE-ja kërkoi që Kosova dhe Serbia të “angazhohen në mënyrë konstruktive dhe mirëbesim” për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim.

“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton nisjen e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhet në letrën e BE-së me kërkesat për Kosovën dhe Serbinë.

BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

“BE-ja ua kujton palëve përgjegjësinë për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, komponentin kyç të çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”, thuhet mes tjerash në komunikatën e BE-së.

Kjo komunikatë e BE-së erdhi si kundërpërgjigje ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili të hënën në një konferencë me gazetarë, tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është “pozicionuar kundër Kosovës” në takimin e 14 shtatorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat