“Befason” Daniel Serwer: Nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi, ja çka mund të ndodhë me 2 maj në Bruksel

Politika

“Befason” Daniel Serwer: Nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi, ja çka mund të ndodhë me 2 maj në Bruksel

Nga: A.Zh Më: 27 prill 2023 Në ora: 12:08
Daniel Serwer

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me 2 maj në Bruksel, në kuadër të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka deklaruar se është i gatshëm për përballjen me Vuçiqin dhe ka deklaruar se pret rezultate konkrete.

Ai sot kërkoi që në këtë takim të trajtohet me urgjencë çështja e të pagjeturve. Kjo ngase sipas tij, në aneksin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit saktësohet se duhet trajtim urgjent për këtë temë.

“Ne në aneksin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit kemi thënë se është urgjente çështja e të pagjeturve, pres me urgjencë të trajtohet çështja e të pagjeturve me 2 maj. Gjykimi në mungesë mundësohet tash e 4 vjet, prandaj i bëjë thirrje Prokurorisë Speciale që ato mijëra dëshmi që i kemi për krimet në Kosovë të shndërrohen e aktakuza për përgjegjësit, sikurse në Kroaci edhe në Kosovë mund të gjykohen në mungesë. Është e paarsyeshme çfarëdo vonese, se dëshmitarët po vendin e po plaken”, ka deklaruar Kurti.

Edhe presidenti serb ka shprehur gatishmërinë për “bisedime të vërteta me shqiptarët”. Ai ka thënë se duhet një dialog i vërtetë.

Por, skeptik për takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq është shprehur eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer. Duke folur për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se Kosovës do t’i duhet të tregojë se çfarë do të pranojë për të mundësuar "vetëmenaxhimin" për komunitetin serb.

“Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë do të ndodhë më 2 maj, nëse do të ndodhë ndonjë gjë. Por, sipas meje, duket se Kosova duhet ta bëjë të qartë se çfarë do të pranojë për të mundësuar këtë "vetëmenaxhim" për komunitetin serb, për të cilin është pajtuar”, është shprehur profesori amerikan.

Ndërsa, duke komentuar thirrjet e politikanëve serbë për bojkotimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, që u mbajtën me 23 prill dhe mundësinë për ndëshkime nga ndërkombëtarët për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit, Serwer tha se Serbia do të zbatojë vetëm atë që dëshiron.

Sipas tij, kjo tregon se nuk ekziston asnjë marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Vuçiq e ka bërë të qartë se Serbia do të marrë dhe zgjedhë atë që dëshiron nga zbatimi i dy marrëveshjeve. Kjo do të thotë se në të vërtetë nuk ka asnjë marrëveshje fare”.

Eksperti ka shtuar se “vetëm kur BE-ja të inkorporojë dispozitat në procesin e anëtarësimit, do t'i kërkohet Serbisë të respektojë marrëveshjen. Kjo datë mund të jetë larg”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat