Tensionohen raportet Greqi-Serbi, gjysmë “Po-ja” helene për Kosovën shkakton “tërmet” politik në Beograd!

Politika

Tensionohen raportet Greqi-Serbi, gjysmë “Po-ja” helene për Kosovën shkakton “tërmet” politik në Beograd!

Nga: A.Zh Më: 26 prill 2023 Në ora: 23:02
Albin Kurti dhe Ana Bërnabiq

Analisti politik Blerim Gashi, ka thënë se abstenimi dhe gjysmë “po-ja” e Greqisë, në votimin për anëtësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, është pozitiv.

Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës është dashur të ndodhë më herët, por ka theksuar se kthimi i Greqisë në përkrahje të Kosovës, është idhnim i dyfishtë për nomenklaturën politike në Beograd.

Anulimin e vizitës së kryeministres serbe Ana Bërnabiq në Greqi, Gashi e ka quajtur “idhnim” dhe “dyfytyrësi”.

“Me këtë anulim të vizitës së Bërnabiqit në Greqi, këtë idhnim dhe zhgënjim të saj dhe Daçiqit, kjo është dalje e natyrshme e këtij establishment politik, sepse shihet qartazi kjo dyfytyrësi serbe, sepse këndej kinse bien dakord në Ohër, për pikën për mospengimin për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat, e këndej Bërnabiqin e pengon shpërfaqja e realitetit të shtetit të Kosovës, në atë ëndrrën dhe gënjeshtrën e kahmotshme të elitave serbe që Kosova nuk ekziston si realitet i pavarur dhe ata vendosin mbi Kosovën”, është shprehur Gashi për “Euronews Albania”, përcjell Bota sot.

Kjo, sipas tij, “natyrisht se e shqetëson jo vetëm gjithë elitën politike, por edhe përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave dhe aktorin kryesor në këtë politikë serbe, Kishën serbe.”

Gashi ka theksuar ndër tjerash, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po i frikësohet rënies nga pushteti.

“Është si tërmet, si të themi është një lëvizje tektonike për këtë ngrehinë, për këtë strukturë politike dhe kulturore për këtë bosht", ka deklaruar Gashi.

Bërnabiq ka anuluar vizitën në Athinë, pas votimit neutral të Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ajo ishte e ftuar në forumin ekonomik të Delphit dhe në agjendën e saj, ishte edhe një takim me homologun e saj grek.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, është shprehur i zhgënjyer nga homologu i tij grek dhe qëndrimi i Greqisë në votimin për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Greqia më befasoi. Ministrin nga Greqia e ka nderuar në shtëpinë e tij vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Daçiq, duke iu referuar vizitës së fundit të Dendias në Beograd dhe darkës që ka pasur me presidentin serb./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat