“Lufta” e Haradinajt për pushtet dhe etiketimi i Kurtit si “antiamerkan” – cili është qëllimi!?

Politika

“Lufta” e Haradinajt për pushtet dhe etiketimi i Kurtit si “antiamerkan” – cili është qëllimi!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 shkurt 2023 Në ora: 07:59
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj vazhdon të jetë një nga opozitarët me të zëshëm ndaj kryeministrit Albin Kurti. Që nga ardhja në pushtet e Kurtit, Haradinaj në vazhdimësi ka kritikuar dhe akuzuar kryeministrin për temat nga më të ndryshmet. 

Së fundi, kryetari i AAK-së, të parin e qeverisë e ka cilësuar si anti-amerikan, ku sipas tij moskoordinimi me ShBA-në ka rrezikuar interesin nacional të Kosovës. 

Ndër të tjera, Haradinaj u shpreh se “Qeveria Kurti ka dështuar në ndërtimin e një strategjie e cila do ta vendoste Kosovën në pozitë të favorshme në raport me Serbinë. Mos koordinimi me aleatët tanë, veçmas me Amerikën, ka rrezikuar interesin nacional të vendit dhe gjitha të arriturat e deritanishme të shtetit”. 

Nuk janë te befasishme këto deklarata të Haradinajt, mirëpo nuk dihet nëse pas këtyre akuzave dhe kritikave, fshihen disa qëllime politike, kryesisht ai për marrje të pushtetit. 

E për gazetën “Bota sot” analistët komentuan ‘luftën’ që Haradinaj po e bën ndaj Kurtit dhe akuzat se ai është anit-amerikan. 

Mehazi: Kurti është anti-asociacioneve serbe që ka nënshkruar qeveria e Haradinajt dhe Mustafës, e jo kundër amerikanëve 

Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se Haradinaj nuk ka të drejtë ta kritikojë aspak kryeministrin Kurti.

Image
Sulejman Mehazi

Në fillim, ai radhiti disa ‘mashtrime’ të kreut të AAK-së, të cilat i bëri gjatë kohës së qeverisjes së tij, përfshirë nënshkrimin e Demarkacionit. 

Nëse dikujt nuk i ngjanë e nuk i ka hije të kritikojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ai është, Ramush Haradinaj, i cili gjatë qeverisjes së tij e mashtroi jo vetëm Vuçiqi me nënshkrimin e asociacionit egzekutiv të pakicave serbe, më 2013, por u mashtrua edhe nga Gjukanoviqi që pa farë rezistence e dhimbje territoresh ia fali Malit të Zi, Çakorrin dhe Zhlebin, dallimi i kryeministrit Kurtit prej Haradinajt është se, kryeministri Kurti betohet para qytetarëve se një milimetër tokë nuk ia jep Serbisë e askujt, kurse zotëriu i AAK-së, Haradinaj, ‘kup e kllup’ pa pyet as SHBA-në e as BE-në ia nënshkroi Vuçiqit asociacionet serbe, plus ia fali Malit të Zi Çakorrin”, deklaroi ai. 

Krahas kësaj, Mehazi bëri një pyetje për Haradinajn, ku madje hodhi dyshimet se ai mund të frikësohet nga Kurti. 

“E pyesim Haradinajn se si mund të jetë anti-amerikan  e moskoordinues me SHBA-në kryeministri Kurti, kur ai mbron denjësisht Republikën e Kosovës të krijuar nga vetë amerikanët, mos ndoshta Haradinaj frikësohet nga Kurti i cili kurrësesi nuk pajtohet me asociacionet serbe nënshkruar nga Prontot e tij e do të arsyetohet me sintagmën "anti-amerikanizmi i Kurtit”, theksoi profesori. 

Ndër të tjera, ai nuk e kuptoi se çfarë lidhje ka kundërshtimi i asociacionit me anti-amerikanizmin. 

 “Çfarë lidhje kanë asociacionet serbe me anti-amerikanizmin e Kurtit, kur hapur shihet e vërehet se Kurti është anti-asociacionit serb që ka nënshkruar qeveria e Haradinajt dhe Mustafës, e jo kundër amerikanëve. 

Mospajtimi i Kurtit me asociacionet e pakicave serbe nuk ështe kundër SHBA-së, por kundër Serbisë, Vuçiqit dhe Haradinajt. 

E gjithë bota diplomatike e BE-se dhe SHBA-së e dinë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kundër dëshirave ekzekutive njëetnike të komunave serbe në Kosovë e kurrsesi kundër SHBA-së e BE-së”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”. 

  Elezaj: Sa i përket antiamerikanizmit te shqiptarët në Kosovë, jam thellë i bindur, se ai nuk ekziston fare 

Kurse, opinionisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli për akuzat që po i bëhen Kurtit se është “anti-amerikan”. 

Image
Rexhep Elezaj

Ai sqaroi se nuk ka një definicionin të qartë, se çfarë nënkupton për shqiptarët fjala “Anti-amerikanizëm”.  

“Kjo është një pyetje mjaftë delikate, sepse deri më sot në Kosovë asnjë institut politik apo shkencor nuk e ka dhënë definicionin e qartë, apo të saktë, se çfarë nënkupton për shqiptarët fjala “Anti-amerikanizëm”.   

Tema e antiamerikanizmit ka qenë aktuale edhe në vendet e Evropës perëndimore, ku ai shfaqet qysh në fillim të shekullit 20-të.  

Antiamerikanizëm ka edhe sot në Evropë dhe botë, dhe kjo për shkak të raporteve gjithnjë divergjente midis të Fortit (Amerikës) dhe të Dobëtit (popujve të vegjël), dallimeve rreth interesave të secilit veç e veç, konkurrencës së madhe në tregjet botërore, si dhe shfrytëzimit kolonial të pasurive natyrore të popujve dhe vendeve të varfra si në Afrikë, Azi, Amerikën Latine, etj”, u shpreh opinionisti. 

  Madje, ai shpjegoi se “anti-amerikanizmi” gjenezën e ka në ideologjinë komuniste-leniniste të Rusisë. 

Ndërsa, beson se antiamerikanizmi nuk ekziston te populli i Kosovës, me përjashtim të disa individëve që nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. 

Pra, dukuria e anti-amerikanizmit dhe e anti-evropeizmit, ndaj Francës, Anglisë, Spanjës, Portugalisë, etj., ka qenë reaksion i natyrshëm tek popujt dhe vendet e kolonizuara nga superfuqitë e mëdha dhe të mbajtura gjatë nën sundimin kolonial-pushtues të tyre. Por, nuk duhet harruar faktin se Antiamerikanizmi gjenezën e ka në ideologjinë komuniste-leniniste të Rusisë, pra në doktrinën bolshevike kundër kapitalizmit perëndimorë, ku sipas tyre klasa punëtore ishte e skllavëruar nga kapitalistët. Antiamerikanizmi rus asnjëherë nuk ka pushuar dhe ai edhe sot është shumë prezent në Rusi. 

Kurse, sa i përket antiamerikanizmit tek shqiptarët në Kosovë, jam thellë i bindur, se ai nuk ekziston fare, me përjashtim individësh të cilët nuk çojnë fare peshe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, nënvizoi Elezaj. 

Më tej, opinionisti konsideron se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, kjo për shkak të historisë dhe marrëdhënieve të dy shteteve, dhe kësisoj u shpreh se nuk ka antiamerikanizëm në vendin tonë. 

“Në Kosovë ekziston thellë në shpirtin e shqiptarëve, vetëm një përkushtim, dhe ai është Pro-amerikanizmi më i madh në botë, dhe, shkaqet për këtë dihen botërisht, sepse kush tjetër përveç se amerikanët ishin ata të cilët tri herë e shpëtuan kombin shqiptar nga zhbërja etnike, sidomos ishte një akt historik intervenimi i tyre ushtarak ndaj Serbisë fashiste, ndihmat financiare si dhe qëndrimi i fuqishëm përkrah 2 milion shqiptarëve, në kohën kur regjimi kriminal i Serbisë po bënte gjenocid në Kosovë (1998/99) duke e dëbuar nga Kosova armikun tonë shekullor. 

Amerikanët janë ata të cilët na e sollën lirinë, Kosovën e çliruan dhe e bën shtet sovran dhe të pavarur. Andaj, shtrohet pyetja, a mund të ketë antiamerikanizëm tek shqiptarët në Kosovë..!? Unë them se nuk ka”, potencoi ai. 

Në fund, Elezaj tha se deklaratat e Haradinajt se Kurti është anti-amerikan nuk kanë asnjë baze poltiike dhe këto akuza i bën vetëm për konsum politik. 

“Kështu që, frazat e përditshme të kryetarit të AAK-së, z. R. Haradinaj, se kryeministri Kurti është një antiamerikan, sipas mendimit tim, nuk kanë kurrfarë baze dhe peshe politike, përveç se si akuza ai i bën ato për konsum të brendshëm politik, kuptohet nga pozita e opozitarit, i cili jeton me shpresën se një ditë mund të vjen prapë në pushtet, e që nga ky synim ai nuk heq dorë asnjëherë”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat