Lista me emra të kriminelëve serbë në veri që ‘tronditi’ Beogradin – vjen propozimi: Ja si duhet vepruar me të!

Politika

Lista me emra të kriminelëve serbë në veri që ‘tronditi’ Beogradin – vjen propozimi: Ja si duhet vepruar me të!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 dhjetor 2022 Në ora: 11:42
Foto ilustrim "Bota sot"

Dramë, tensione, krime, sulme, provokime, e kanë karakterizuar veriun e vendit ditëve të fundit.

Krejt kjo si pasojë e grupeve kriminale serbe, që nuk po lejojnë që qetësia, rendi dhe ligji të mbizotërojë në këtë pjesë të vendit.

Rebelimi i tyre, po manifestohet me vendosje të barrikadave të shumta në rrugët që qojnë drejt pikave kufitare, Jarinjë e Bërnjak.

Në këtë mënyrë është bllokuar lëvizja e lirë e qytetarëve.

Marrë parasysh këto zhvillime, së fundi deputeti i VV-së, Armend Muja, ka rekomanduar listën për arrestime “për një Mitrovicë pa krim, banda dhe barrikada”.

Muja tha se “propaganda e Vuçiq e ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të qytetarëve të komunitetit serb propagandon kinse lista të gjera të njerëzve që do të arrestohen. Në Kosovë nuk ka lista për arrestim të qytetarëve”.

Megjithatë, Muja ka thënë se ekzistojnë disa grupe kriminale që veprojnë dhe i sfidojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës.

Ai ka bërë të ditur organizatat kriminale serbe dhe udhëheqësit e tyre.

“(1) Civilna Zaštita (Mbrojtja Civile) që janë krijuar nga Goran Rakiç, Igor Simiç, Slavko Simiç, Milosh Peroviç, Nenad Djuriç dhe Stevan Paviçeviç, 2) Severna Brigada (Brigada e Veriut) që është krijuar nga Andrija Vuçiç (vëllai i Presidentit serb), Milan Radoiçiç, Zvonko Veselinoviç dhe Radule Steviç, (3) Oragizatat e ekstremit të djathtë të lidhura me Rusinë, Kishen Ortodokse Serbe dhe Akademinë e Shkencave të Serbisë – Narodna Patrola (Damnjan Kezheviç, Danilo Viçiç (djali i Presidentit serb) dhe Aleksandar Filipoviç. Dihet që Presidenti serb Vuçiç, vëllai i tij Andrija, djali i tij Danilo, Shefi i BIA Aleksandar Vulin dhe Ministri i Brendshëm Bratislav Gashiç janë duke e bërë këtë lojë”, ka shkruar Muja.

Ai tha se Severna Brigada (Brigada e Veriut) dhe Civilna Zashtita (Mbrojtja Civile) duhet të shpallen organizata terroriste, pasi personat kryesorë të këtyre bandave janë prapa barrikadave që janë duke bllokuar disa rrugë në veri të Kosovës.

“Severna Brigada dhe Civilna Zashtita duhet të shpallen organizata terroriste. Qytetarë tanë në komunat veriore vazhdimisht informojnë që operativët kryesorë të këtyre bandave të armatosura dhe prapa barrikadave janë: Milan Radoiçiç, Zvonko Veselinoviç, Radule Steviç, Aleksandar Filipoviç, Nenad Djuriç, Stevan Paviçeviç, Aleksandar Jevremoviç, Marjan Radojeviç, Milosh Milovanoviç, Vladimir Radivojeviç (Mami), Marko Vukashinoviç, Lazar Radenković, Milorad Jevtiç, Nemanja Jevremoviç, Srdjan Vuloviç, Dejan Vuloviç, Vladica Jovanoviç, Dragan Raduloviç, Ivan Aksenijeviç, Milosh Vlashkoviç, Slobodan Vuçiniç, Zoran Stevanoviç, Milan Kompirović, Radovan Radiç, Ivo Vuçiniç, Zvezdan Milojeviç dhe Goran Zhivkoviç”.

Muja tha se “Grupi i kriminelëve është më i kufizuar seç mendohet dhe raportohet. E kaluara e tyre është kriminale dhe kanë për tu përgjigjur para drejtësisë”.

E në lidhje me këtë listë të kriminelëve serbë dhe mundësinë e arrestimit të tyre, për gazetën “Bota sot” folën ekspertët Drizan Shala dhe Armend Halimi

Shala: Amnisti nuk ka për veprat që bien ndesh me rendin kushtetues të Kosovës

Image
Drizan Shala

 

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në prononcimin e tij për “Bota sot” shpjegoi procedurën për arrestimet e grupeve/personave që kanë rënë në kundërshtim me normativën e Kosovës.

“Veprimet penale të ndjekjes janë të përcaktuara mirë sipas normatives në Kosovë dhe nga momenti që mblidhen gjitha provat materiale për veprat e caktuara/ndryshme prokuroria në bashkërendim me sistemin gjyqësore fillon të paraqes provat dhe pastaj aty fillon gjithë procedura e aparaturës policore për shoqërime/arrestime të personave/grupeve që kanë rënë ndesh me normativen e Republikës se Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas Shalës, një problem i madh në këtë çështje është fakti se rastet asnjëherë nuk po përmbyllen dhe përfundohen siç duhet.

“Problemi në Kosovë po është fakti që problemeve që janë të natyrës ligjore po u jepet hapësira dhe interpretimi politikë dhe po bartet problemi në një nivel tjetër i cili është ndesh me pjesën normative të vendit dhe çështjet asnjëherë nuk po përmbyllen dhe përfundohen siç duhet”, nënvizoi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, ai potencoi se nuk duhet lejuar aministimi i serbëve, në thelb qëllim i tyre është krijimi i një realiteti të ri politik kushtetues brenda vendit.

“Deklarimet e deputetëve dhe paraqitja e emrave dhe strukturave është mirë këtë pjesë t’ia lejojnë institucioneve dhe personave që fushë veprimtari e kanë pjesën e sigurisë dhe mos të bëhet sa për të rritur një grusht pëlqime në rrjete sociale sepse në këtë formë nuk i kontribuon sistemit, por vetëm bartet në atë nivelin politik që po i shkakton probleme dhe pasoja pjesës së ndjekjes dhe sigurisë.

Amnisti nuk ka për veprat që bien ndesh me rendin kushtetues të Kosovës prandaj nuk mund të bëhet një veprim i tillë që në thelb ka krijimin e një realiteti të ri politik kushtetues brenda vendit”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Halimi: KFOR-i konform mandatit duhet të sigurojë lirinë e lëvizjes

Image
Armend Halimi

 

Kurse, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” tha se kriminelët dhe terroristët serbë duhet të arrestohen menjëherë.

Sipas tij, kjo nuk duhet vlerësuar si betejë ndaj qytetarëve serbë, por grupeve kriminale e terroriste që nuk i përfaqësojnë ata.

“Se a duhet të arrestohen kriminelët dhe terroristët as që duhet të jetë diskutim, sikurse nuk kanë arsyetim veprimet kriminale e terroriste.

Dhe gjithë kjo nuk duhet parë se është betejë ndaj qytetarëve serbë, por grupeve kriminale e terroriste që nuk i përfaqësojnë ata, madje i cenojnë edhe vetë qytetarët serbë, ngase këto grupe janë dorë e zgjatur e Serbisë dhe Rusisë, të cilat propagandojnë dhe rezistojnë për Serbinë, e assesi për të drejta e liri gjoja te minoritetit serb, ngase asnjëherë ky minoritet nuk ka qenë në mungesë të privilegjit”, u shpreh Halimi.

Gjithashtu, kërkoi që të merren masa pa humbur kohë, pasi në njërën anë po u jepet zemër grupeve ekstremiste, në anën tjetër po shihen si të dështuara përballë tyre.

“Andaj ndaj tyre masat që duhet ndërmarr janë më se të qarta, përkundër faktit se kemi disa institucione legjitime paralele të sigurisë në Kosovë, por, secila ka misionet e veta, dhe në bashkërendim duhet vepruar pa humbur kohë, ngase në njërën anë po u jepet zemër grupeve ekstremiste, në anën tjetër po shihen si të dështuara përballë tyre.

Kështu që KFOR-i konform mandatit duhet të siguroj lirinë e lëvizjes, Policia e Kosovës arrestimin dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë, kurse EULEX konform mandatit, të asistoj Policinë e Kosovës”, vlerësoi ai.

Në fund, tha se nëse misionet ndërkombëtare nuk e kryejnë punën, të paktën mos t’i pengojnë institucionet e Kosovës, që të vendosin rend dhe ligj në veri.

“Mirëpo, sikur edhe do hezitonin mekanizmat ndërkombëtar të kryejnë misionet e tyre, s’ paku institucionet shtetërore të Kosovës nuk do duhej penguar për të sjell rend dhe ligj aty ku nevojitet. Nuk do duhej as të kërkohej amnistni për krimet e kësaj natyre, por të luftohen me mjetet adekuate në dispozicion”, përmbylli Armend Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat