Sulmi terrorist në Stamboll, tronditi mbarë botën/ Profesori i Sigurisë kërkon kamera në veri: Po tentohet destabilizimi atje

Politika

Sulmi terrorist në Stamboll, tronditi mbarë botën/ Profesori i Sigurisë kërkon kamera në veri: Po tentohet destabilizimi atje

Nga: Nehat Shaqiri Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 19:56
Policia e Kosovës në veri

Gjashtë persona janë vrarë dhe 81 të tjerë u plagosën në shpërthimin e së dielës në “Istiklal Avenue”, një rrugë e famshme e mbushur me dyqane dhe restorante që të çon në sheshin ikonik Taksim, në Stamboll.

Ky sulm terrorist e tronditi gjithë botën demokratike.

Policia e Stambollit ka bërë të ditur se janë ekzaminuar 1200 kamera sigurie, të cilat kanë parë rrugët e gruas së dyshuar që vendosi bombën deri në vendin e ngjarjes.

Për sulmet terroriste, dhe luftimin e këtyre grupeve flet Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami.

Profesori thotë se këto sulme terroriste sikur në Stamboll, tregojnë se sa e brishtë është siguria në botë, dhe asnjë vend nuk është imun ndaj sulmeve terroriste.

Image
Avni Islami

“Rasti i djeshëm në Stamboll, ishte sulm i organizuar terrorist, ashtu siç planifikojnë terroristët që të kryhet në një vend që është i frekuentuar, ku bota do të tronditej nga një sulm i tillë ku merr jetë të civilëve të pafajshëm. Pra, terrorizmi është fenomen në botë ku të gjithë së bashku duhet të parandalojmë dhe të luftojmë, sepse për terrorizëm nuk ka një formulë ose një mënyrë ptë t’i neutralizuar, qoftë individë, qoftë grupe terroriste”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se shtetet demokratike, institucionet e sigurisë në mbarë globin duhet të jenë unike në mënyrë që t’i parandalojnë sulmet e tilla.

“Pra me qëllim që të arrihen objektivat e grupeve të ndryshme terroriste, ata nuk zgjedhin mënyrë as mjete për të ardhur deri te qëllimi i tyre. Pamë që target ishte një vend ku ishte i frekuentuar dhe që mund të marrë jetë të pafajshëm ku bota do të tronditej nga një sulm i tillë siç ndodhi dje në Stamboll”, pohon ai.

Islami thekson se, është e vështirë të parandalohen sulmet e tilla, pasi rrjeti ‘marimangë’ është shumë vështirë të identifikohet.

“Prandaj, bota demokratike dhe institucionet e sigurisë në Evropë dhe më gjerë duhet të bashkëpunojnë ngushtë mes vetë në mënyrë që të prandalohen sulmet e tilla, edhe pse shumë vështirë për shkakë se grupet e ndryshme terroriste nuk kanë një strukturë dhe hierarki që veprojnë, por në rrjetin ‘marimangë’ është shumë vëshitrë që të identifikohen sulmuesit para aksionit të tyre, mirëpo asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi para sulmeve të tilla dhe terroristëve, sepse ata atë e duan që të mposhtin institucionet shtetërore dhe të sigurisë, prandaj duhet sa më tepër që të punohet në këtë drejtim në mënyrë që të parandalohen sulmet e tilla”, potencon ai.

Profesori tutje shton se, pas sulmit në Stamboll, pas një pune të shpejtë intenzive dhe operative të institucioneve të sigurisë, të policisë turke, pamë se kishin kontrolluar rreth 1200 kamera të sigurisë.

“Kjo tregon dhe duhet të jetë një shembull i mirë që institucionet e sigurisë së Kosovës, qoftë në veri të vendosin kamerat e fshehta të sigurisë, në mënyrë që të identifikohen grupet e ndryshme kriminale e terroriste të cilat po tentojnë që ta destabilizojnë veriun e Kosovës”, pohon ai.

Pra, sipas tij, kamerat e sigurisë janë mëse të domosdoshme, jo vetëm për grupet kriminale dhe aksidentet, por edhe për identifikimin dhe zbulimin e grupeve të ndryshme kriminale terroriste që janë duke vepruar në veriun e Kosovës.

“Kjo do të ndihmonte edhe Policinë e Kosovës që, nëse nuk ka kamera në pjesën veriore do duhej që në mënyrë urgjente të vendosen kamerat atje, pasi tashmë kemi parë që policiët e komunitetit serbë janë liruar nga detyra nga Policia e Kosovës, prokurorët e gjykatësit”, përfundon profesori Avni Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat