“Kosova nuk do të jetë më njollë e zezë”/ Vjen paralajmërimi për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar!

Politika

“Kosova nuk do të jetë më njollë e zezë”/ Vjen paralajmërimi për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar!

Nga: N. Sh. Më: 15 shtator 2022 Në ora: 00:04
Ilustrim

Ish-zëvendës minsitri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se, në një shtet ku nuk luftohet krimi në mënyrë permanente, atëherë ai lëshon rrënjë të forta.

Ai thotë se, pastaj të gjitha institucionet e shtetit, kur kanë për qëllim, edhe në mënyrën më serioze për ta luftuar krimin, e kanë të vështirë ta arrijnë spastrimin e krimit, sepse me vite të tëra ka dominuar krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Tani e vetmja shprese për një luftim efektiv të krimit është ligji i Vettingut, i cili për tu jetësuar ashtu si duhet, i duhet një kohë e tëre, jo e shkurtër, dhe duhet që në ato poste të deritanishme, ata që këtë shtet e kanë pru në këtë gjendje të mjerueshme, ata njerëz që kanë punuar aq gjatë, duhet të largohen dhe të zëvendësohen me njerëz të pastër dhe të shkolluar, për një luftim serioz të krimit e korrupsionit, krimit të organizuar”, thotë ai.

Tërnava shton se, ata që deri më tani ishin dhe vazhdojnë të jenë në pozitat kryesore, janë të inkriminuar skajshmërisht, sepse e kishin qëllimin për tu pasuruar vetë.

“Vetëm kur të caktohen në ato poste njerëzit profesionalë, në përputhje me ligjet pozitive të Kosovës, atëherë do të rriten shpresat se nga ato momente duhet të fillohet me spastrimin e institucioneve nga njerëzit e kriminalizuar, dhe nga ato momente do të fillojë të funksionojë shteti i së drejtës”, thotë ai.

Sipa tij, BE do ta ketë këtë parasysh, dhe në një kohë jo të largët, pasi të bindet se po luftohet krimi në mënyrë permanente, edhe Kosovës do i hapen rrugët drejt kësaj bashkësie.

“Pa një ndërrim të këtyre administratorëve shtetërorë, që tani gjinden nëpër institucionet e Kosovës, nuk mund të spastrohet Kosova, e kësaj do t'i kontribuojë ligji në pritje, i Vettingut. Nga këta të tanishmit që gjinden në pushtet e që janë përgjegjës për të gjitha këto të këqija që iu kanë bërë këtij vendi, nuk pritet diçka pozitive për ta pastruar këtë shtet nga krimet në fjalë, sepse ata vetë e sollën këtë vend në gjendje të tillë të kriminalizuar. Prandaj jo rastësisht po vazhdojnë të nënçmohen, dhe të mos trajtohen e dënohen në mënyrë meritore të ashpër, rastet e korrupsionit nga gjyqësori i korruptuar e nënshtruar nga krimi i organizuar”, thotë ai për gazetën “Bota sot”.

Tërnava pohon se, ligji i Vettingut që do të miratohet, është armë e fortë kundër krimit në drejtësi.

“Nga Vettingu do të goditen në rend të parë dhe me prioritet, gjyqtarë dhe prokurorë të lidhur me krimin, që bashkëjetuan me rrjetet e krimit të organizuar, duke mos i ndëshkuar sipas ligjit, por me dënime të buta e simbolike, për të mos thënë, i kanë amnistuar. Në një analizë të fundit të publikuar, të kësaj fushe, nga rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese, konstatohet se gjetjet e analizës së 40 aktgjykimeve të rasteve të korrupsionit, të shpallura nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021, evidentojnë se sistemi i drejtësisë, gjykatat në veçanti, por edhe prokuroria, nuk po arrijnë t’i përmbushin pritjet ligjore prej tyre”, shton tutje ai.

Ai pohon se,  politika ndëshkimore jo-uniforme dhe jo proporcionale në rastet e korrupsionit, shqetëson dhe ndjell pasiguri dhe pakënaqësi te qytetarët, si dhe ndjell kritikat e organizatave të shoqërisë civile dhe raporteve ndërkombëtare.

“Edhe orvatjet e Gjykatës Supreme të Kosovës, për t’i dhënë zgjidhje problemit të mungesës së dënimeve adekuate në sistemin e drejtësisë, me theks të veçantë në rastet e korrupsionit, deri më tani nuk po rezultojnë të suksesshme. Udhëzuesi i përgjithshëm i Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore, Udhëzuesi për shqiptimin e gjobave dhe Udhëzuesi i veçantë për rastet e korrupsionit, orientojnë drejt dhe saktë gjyqtarët dhe prokurorët lidhur për shqiptimin e dënimeve adekuate dhe proporcionale, për rastet e korrupsionit. Por nga analiza e 40 aktgjykimeve të korrupsionit, të nxjerra në vitin 2021, rezulton se këto dokumente që u dedikohen gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk po merren parasysh aq sa kërkohet, dhe kjo reflekton në cilësinë e gjithëmbarshme të aktgjykimeve të korrupsionit, në efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë, çka e kushtëzon edhe perceptimin e opinionit publik në sistemin e drejtësisë”.

“Mungesa e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit, kur bëhet fjalë për dënimet meritore, konfiskimet e pasurisë, kompensimet e dëmit shkaktuar parasë publike, tjetërsimet e rasteve të profilit të lartë – madje atyre të shënjestruara për liberalizim të vizave - jep përshtypjen se dukuria e korrupsionit është bërë imune karshi çdo përpjekjeje të sistemit të drejtësisë në vend”, shton ai.

Ai thotë se, është shumë shqetësues përdorimi i tepruar dhe pothuajse tërësisht i paarsyetuar i rrethanave lehtësuese, në rastet e korrupsionit, dhe injorimi i rrethanave evidente rënduese në këto raste.

“Me jetësimin e ligjit të Vettingut në jetën e përditshme, është një shpresë se megjithatë Kosova fillon të spastrohet nga ato krime të deritashme. BE do ta merr këtë fakt parasysh, dhe Kosova në të ardhmen nuk do të jetë më njollë e zezë e izoluar, për shkak të sundimit në sistemin e drejtësisë, nga krimi i organizuar”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat