Alarmante përdorimi i drogës në Kosovë/ Eksperti i sigurisë: Me paratë e drogës po investohet në ndërtime të larta

Politika

Alarmante përdorimi i drogës në Kosovë/ Eksperti i sigurisë: Me paratë e drogës po investohet në ndërtime të larta

Nga: N. Sh. Më: 31 maj 2022 Në ora: 11:55
Pamje nga sekuestrimi i drogës në Kosovë

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka folur për krimin që po bëhet me shpërndarjen e drogës në Kosovë.

Ai thotë se, kjo veprimtari ka filluar të lëshojë rrënjë me të madhe në Kosovë dhe është tashmë vështirë për ta çrrënjosur.

Sipas tij, shpërndarësit janë edhe konsumues të llojeve të ndryshmetë narkotikëve, e që konsiderohen si më të angazhuarit në tregun e këtij lloji në mënyra të ndryshme të organizimit.

Tërnava pohon se, tani më ky lloj krim i organizuar është bërë përditshmëri, ku shton se, tash llogaritet si më profitabili, edhe pse kultivimi i bimëve narkotike, prodhimi dhe qarkullimi i tregtimi i drogave është e ndaluar sipas ligjeve tona.

“Përpjekjet për ta luftuar dhe parandaluar këtë lloj krimi nuk po japin sukses edhe pse policia dhe institucionet tjera që janë të obliguar ta luftojnë krimin e organizuar, që e kanë për detyrë që t’i luftojnë këto dukuri kriminale po ballafaqohen çdo ditë me zbulimin rasteve të reja, qoftë të tregtimit apo edhe të konsumimit”, shprehet Tërnava.

Sipas tij, kjo dukuri po i shkakton shtetit të Kosovës dëme të mëdha, si brenda ashtu edhe në instancat ndërkombëtare, dhe shpeshherë Kosova merret si shembull negativ që nuk po arrin ta lufton krimin e organizuar.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kjo vërejtje po ndikon në izolimin tonë që kemi mbetur si shteti ma i izoluar në botë. Ky lloj i krimit të organizuar është bërë si tregtia me substanca narkotike nga rrjetet e krimit të organizuar, një nga veprimtaritë më profitabile të pasurimit të oligarkëve të lidhur me krimin, kundër të cilit duhet të ashpërsohet akoma më shumë angazhimi i organeve të ndjekjes, sepse përveç shpëlarjes së parasë në biznes, në fushën e ndërtimit e kudo tjetër, me këtë tregti të pistë, me këtë helm, po merr përmasa alarmante edhe goditja e shtresës më të vlefshme të popullatës, helmimit të rinisë, që janë përdoruesit kryesor “ilegal” të substancave narkotike-drogave”, pohon ai.

Tërnava thotë se, sipas statistikave më të reja të raportimit, në Kosovë janë rreth 40 mijë përdorues të substancave narkotike, kryesisht të moshave të reja.

“Personat përgjegjës që merren me rehabilitimin e këtyre njerëzve, thonë se droga e tipit kokainë është në treg, kurse mosha e përdoruesve ka rënë ndër vite, nga moshat e larta tek ato më të rejat”, tregon ai.

Ai shton se, aktualisht mosha më e re që abuzon me droga është 16 vjeç, dhe përdoret lloji i drogës marihuanë. Ndërkaq për sa i përket llojit kokainë, mosha e përdoruesve ka rënë nga 37 vjeç sa ishte vitet e kaluara, në 26 vjeç.

“Viti i kaluar, dhe ky vit në vazhdim, janë shënuar me raste të bujshme, mbase më të suksesshmet për dallim nga qeverisjet e kaluar, për zbulimit të trafikut të drogës dhe shpërndarjes së saj nga grupet e trafikantëve”, potencon ai.

 Tërnava kërkon edhe angazhimin e AKI-së për luftimin e kësaj dukurie.

“Situata në të cilën tani gjendet vendi i ynë, po bëhet e domosdoshme që në funksion të ndjekjes së thellë të krimit, të shpëlarjes së parasë së pistë e cila pikërisht nga këto burime po investohet në fushën e ndërtimit, të angazhohet edhe AKI dhe inteligjenca financiare, sepse përveç përfitimeve materiale nga grupet kriminale, dëmet janë të pariparueshme në shtresën e përdoruesve të drogave nga të cilat po goditen shtresat e rinisë e cila nga mungesa e perspektivës dhe depresioni po futet në këto ujëra të pista të narkomanisë, dhe ka tendencë që personat që përjetojnë depresion janë më të hapur ndaj përdorimit për të ikur nga gjendja reale e tyre emocionale e që i shtyn deri në varësi ekstreme që po krijojnë e bëhen probleme shoqërore sociale e familjare”, thotë ai.

Ai shton se, Kosova dihet se në çfarë situate ekonomike gjendet, dhe tani kjo situatë e varësisë ekstreme nga droga, nga të rinjtë e vendit tonë që tani janë bërë problem shoqërorë e sociale, po na e rëndon situatën në të cilën gjendet Kosova.

“Jo rastësisht tani numër i madhe i të rinjve në mënyra të ndryshme po shkojnë drejtë shteteve të BE-së, sepse për këtë rrugë po i detyron mungesa e perspektivës dhe zhgënjimi me realitetin në vend, dhe kërkimi i një perspektive ekonomike ma të mirë për ta në rrugët e migrimit”.

Ai pohon se, është një obligim serioz, detyrë patriotike për ta luftuar e ndaluar zgjerimin e këtij fenomeni kriminal, prandaj nga policia e Kosovës dhe institucioneve tjera kërkohet që t’i luftojnë të gjitha të këqijat në këtë shtet.

“Prej organeve të pjekjes kërkohet që në mënyrë të pamëshirshme ta luftojnë këtë lloj të krimit me narkotik qe po na e shkatërron një rini të shëndosh që e kemi, po na shkakton probleme shumë të mëdha”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat